Si të gjykohet samiti i Hanoit

Yoon Young-kwan Yoon Young-kwan 02 March 2019 08:48

Pas Hanoit, institucionet multilaterale financiare do të duhej t’i udhëzonin burokratët dhe studentët koreanoveriorë rreth funksioneve të financave ndërkombëtare dhe ekonomisë së tregut. Në fakt, kjo gjë është goxha urgjente, shkaku se pa njohuritë e domosdoshme, transformimi ekonomik i Koresë Veriore kurrë nuk do të jetë i mundur. Nëse samiti i Hanoit e përfshin në vete marrëveshjen për lehtësimin e shkëmbimit të informatave dhe ekspertizave, atëherë aq më mirë. Por pavarësisht rezultatit të samitit, ka ardhur koha që të përvetësohet një kornizë më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse për vlerësimin e rezultateve të diplomacisë mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Nëse ajo që ndodh në Hanoi gjykohet sipas kriterit të së shkuarës, atëherë suksesi mund të ngatërrohet për dështim

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe lideri koreanoverior, Kim Jong-un, po takohen tani në Hanoi të Vietnamit, në kuadër të samitit të tyre të dytë. Gjatë vlerësimit të rezultatit, si optimistët ashtu edhe pesimistët duhet të përqendrohen në tri kritere: në përparimin e pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje formale paqësore, denuklearizimin dhe transformimin potencial të regjimit të Koresë së Veriut.

Në retrospektivë, nëse diplomacia e pasuksesshme e 25 vjetëve të shkuar na ka mësuar ndonjë gjë, atëherë kjo është se denuklearizimi nuk do të ndodhë fillimisht pa përfundimin e armiqësisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë Veriore. Politikat e presionit dhe kërcënimeve pa angazhim të njëmendtë politik kanë prodhuar vetëm mosbesim të dyanshëm dhe e kanë orientuar Korenë e Veriut nga shmangia e marrëveshjes.

Fatmirësisht, Trump dhe Kim kanë sinjalizuar gatishmëri për të ecur drejt një relacioni më miqësor SHBA-Kore Veriore dhe disa raporte të para samitit në Hanoi kanë sugjeruar se Trumpi do t’ia ofrojë Kimit shpalljen formale të fundit të luftës koreane. Por normalizimi i plotë do të marrë kohë.

Pas udhëtimit sekret të ish-sekretarit amerikan për Siguri Kombëtare, Henry Kissinger, në Kinë më 1971, janë dashur edhe tetë vjet të tjera diplomaci që SHBA-ja t’i normalizojë marrëdhëniet e saj armiqësore me Kinën, teksa presidenti, Jimmy Carter, i garantoi Republikës së Popullit njohje të plotë diplomatike më 1979.

Diplomacia me regjimin e Kimit kërkon të njëjtin nivel të durimit. Ç’është më e pakta, një deklaratë e përbashkët e shpalljes së fundit të luftës koreane do të çelte udhë që SHBA-ja dhe Koreja Veriore të krijojnë zyra ndërlidhëse në Fenian dhe Washington. Kjo nuk është punë e vogël.

Natyrisht, po zhvillohet ende goxha debat rreth kostove potenciale dhe përfitimeve nga shpallja e paqes, teksa disa shqetësohen se kjo gjë mund ta dobësojë aleancën e SHBA-së me Korenë e Jugut. Por për aq kohë sa Koreja Jugore dhe SHBA-ja e ndajnë një vizion për të ardhmen e aleancës së tyre, ato mund të ndërmarrin hapa që e garantojnë shndërrimin e deklaratës së paqes në një burim stabiliteti, e jo paqartësie.

Pothuajse shtatë dekada e vjetër, aleanca SHBA-Kore Jugore është mjaft elastike sa të jetë në gjendje t’i përshtatet mjedisit të ri ndërkombëtar, të krijuar nga denuklearizimi dhe Koreja Veriore paqësore.

Për sa i përket denuklearizimit, shumica presin që Kimi së shpejti t’i ftojë inspektorët ndërkombëtarë për të konfirmuar se ky regjim ka asgjësuar në mënyrë të pakthyeshme zonën e testeve bërthamore Punggye-ri dhe zonën e testeve raketore Tongchang-ri.

Sërish, krejt kjo do të përbënte një progres domethënës. Por një veprim edhe më i rëndësishëm për suksesin do të ishte nxjerrja prej përdorimi e Qendrës së Kërkimeve Bërthamore Yongbyon. Disa ekspertë e kanë përshkruar këtë qendër si të vjetruar dhe pa ndonjë vlerë. Por shkencëtari kryesor bërthamor, i cili e vizitoi katër herë Yongbyonin, ka thënë së fundi për “Washington Post”-in se e konsideron atë “si zemrën e programit të tyre bërthamor”, dhe “si një punë goxha, goxha të madhe”.

Nxjerrja prej përdorimi e Yongbyonit nën vëzhgimin e inspektorëve ndërkombëtarë do të përbënte një precedan të rëndësishëm për zonat e tjera sekrete në të ardhmen. Dhe pajtimi i Kimit për ta ngrirë prodhimin e materialeve fosile dhe për përpilimin e një harte të rrugës drejt negociatave të ardhshme do t’i nxiste edhe pesimistët të pranojnë se samiti ishte një sukses dhe se qasja më pragmatike e SHBA-së – shkëmbimi i veprimit me veprim – ka rezultuar të paktën në njëfarë progresi drejt denuklearizimit.

Çështja e fundit është nëse vetë regjimi koreanoverior po ndryshon. Përmbushja e dy kritereve të para duhet të krijojë kushte që Kimi të ecë gradualisht drejt modelit të zhvillimit prej autoritarizmit, siç ka ndodhur më herët me Vietnamin dhe Kinën. Nëse ai po e shqyrton seriozisht një transicion të tillë, kjo është e pamundur të thuhet. Ama ia vlen të përmendet se derisa Kimi nuk i ka privatizuar mjetet e prodhimit, ai i ka lejuar tregjet që të luajnë rol shumë më të madh në ekonominë e Koresë së Veriut, dhe atë në masë shumë më të madhe sesa kanë bërë ndonjëherë babai dhe babagjyshi i tij, Kim Il-sung.

Për shembull, ngritja e Donjusë, shtresë e “padronëve të parasë”, ka ndryshuar dinamikat e ekonomisë politike të Koresë së Veriut dhe ka riformësuar marrëdhënien në mes të regjimit dhe popullit.

Kim Jong-ili ishte përpjekur ta shtypte këtë shtresë të re me një reformë të dështuar valutore në nëntor të 2009-s. Por i biri i tij duket se i ka përqafuar ata, qoftë me vetëdëshirë apo për shkak të dinamikave të brendshme politike dhe sanksioneve përherë e më të serta ndërkombëtare me të cilat është përballur.

Shikuar nga e ardhmja, shumëçka do të varet prej asaj nëse SHBA-ja dhe vendet e tjera të pasura pajtohen ta ndihmojnë Kimin të bëhet një lider zhvillimi mbi mykun e Deng Xiaopingut, arkitektit të “hapjes” së madhe të Kinës pas 1978-s.

Nëse ky në të vërtetë është shtegu që Kimi ka hartuar, atëherë komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndonjë arsye pse t’i qëndrojë në rrugë. Përkundrazi: ne do të duhej të sajonim shtysa specifike për ta ndihmuar që ai t’i përmbushë planet e tij.

Në fund, të gjithë shpresojnë se Trumpi do ta hedhë hapin e parë, duke ofruar heqjen me faza të sanksioneve ekonomike në këmbim të hapave të njëmendtë të regjimit të Kimit drejt denuklearizimit.

Për më tepër, kur sanksionet të zbuten, përjashtimi i projekteve ndërkoreane të zhvillimit duhet të jetë në krye të listës.

Përpos kësaj, institucionet multilaterale financiare do të duhej t’i udhëzonin burokratët dhe studentët koreanoveriorë rreth funksioneve të financave ndërkombëtare dhe ekonomisë së tregut. Në fakt, kjo gjë është goxha urgjente, shkaku se pa njohuritë e domosdoshme, transformimi ekonomik i Koresë Veriore kurrë nuk do të jetë i mundur. Nëse samiti i Hanoit e përfshin në vete marrëveshjen për lehtësimin e shkëmbimit të informatave dhe ekspertizave, atëherë aq më mirë.

Por pavarësisht rezultatit të samitit, ka ardhur koha që të përvetësohet një kornizë më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse për vlerësimin e rezultateve të diplomacisë mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Nëse ajo që ndodh në Hanoi gjykohet sipas kriterit të së shkuarës, atëherë suksesi mund të ngatërrohet për dështim.

(Yoon Young-kwan, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Koresë, është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kombëtar të Seulit. Vështrimi është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Yoon Young-kwan