Privatizimit i duhet kriza

Fatban Bunjaku & Kreshnik Ahmeti 16 February 2019 13:41

Projekti për kalimin e Telekomit të Kosovës tek kapitali privat u riaktualizua edhe një herë. Pas dështimit të shitjes së këtij aseti kombëtar tek një kompani fiktive në vitin 2012, qeveritë e Kosovës ndryshuan strategjinë. Për një periudhe të gjatë qeveritë e ndryshme, me projekt të njëjtë neoliberal, zhvatën në forma të ndryshme Telekomin e Kosovës. Dy qëllime kishte kjo strategji: përfitimi i grupeve të interesit nëpërmjet zhvatjes dhe shkaktimi i një krize artificiale financiare në Telekomin e Kosovës, për ta përdorur pastaj atë si argument për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike. E tërë kjo strategji, e shpjeguar me shembuj konkretë në vazhdim, na e vërteton edhe një herë faktin që procesi i privatizimit nuk është mjet nëpërmjet të cilit luftohet korrupsioni në ndërmarrjet publike. Por është pikërisht korrupsioni si domosdoshmëri për realizimin e proceseve të privatizimit.

Janë tri metoda të cilat janë përdorur për shkatërrimin e kësaj ndërmarrjeje fitimprurëse: degradimi teknik, kontratat e dëmshme dhe mbipunësimet partiake. Në vazhdim do t’i shpjegojmë me disa shembuj konkretë mënyrat e këtij shkatërrimi.

Degradimi i parë teknik ndodh me sigurimin e pajisjeve dhe përkrahjes teknike. Nga viti 2001, Telekomi i Kosovës me imponim të UNMIK-ut kishte bërë marrëveshje për këto shërbime me korporatën franceze “Alcatel-Lucent”, si partner kryesor për pajisje dhe përkrahje teknike. Siç rëndom ndodh edhe në rastet e tjera, me qëllim të diversifikimit teknologjik, Telekomi kishte bërë edhe një marrëveshje shtesë me korporatën e mirënjohur Nokia. Kur Nokia bleu korporatën “Alcatel Lucent”, ajo i kishte ofruar Telekomit të Kosovës transicionin e teknologjisë nga teknika e Alcatel në atë të Nokias, me kushte të favorshme. Por menaxhmenti i Telekomit, tashmë i mësuar me praktikat e kaluara me Alcatel, e cila një pjesë të “konsulencave” i nënkontraktonte tek kompanitë lokale, prona të familjarëve të pushtetarëve aktualë, nuk po binte në “frekuenca” të njëjta me mënyrën korrekte të negocimit të Nokia-s, gjë që i karakterizon kompanitë e tilla serioze. Për këtë arsye përfaqësuesit e Nokia-s demonstrativisht kanë lëshuar takimin me zyrtarët e Telekomit dhe kanë ndërprerë negociatat.

Kjo situatë e ka lënë Telekomin në një gjendje të vështirë. Sot, Telekomi punon pa përkrahjen e prodhuesit të teknologjisë mbi të cilën operon dhe kjo është arsyeja përse ende nuk po arrin t’i ndërrojë SIM kartelat për të zbatuar plotësisht kodin e ri shtetëror. Gjithashtu, kjo situatë gati pamundëson zhvillimin e mëtutjeshëm teknik dhe të shërbimeve.

Degradimi teknik i Telekomit të Kosovës vazhdon edhe në shtrirjen e rrjetit të VALA-s. Rrjeti i VALA-s shtrihet në tri nivele dhe abuzimet më të mëdha ndodhin në nivelin e dytë të saj: vendosjen e antenave në brendi të vendbanimeve. Po të shohim me vëmendje, përgjithësisht këto antena janë të vendosura në pronat vetjake të menaxhmentit dhe personave të lidhur me partitë në pushtet, apo tek familjarët e tyre. Në këtë mënyrë këta persona fitojnë të hyra nga renta për vendosjen e këtyre antenave në pronat e tyre. Përderisa kriteri primar për vendosjen e antenave përcaktohet nga pronari, e jo nga lokacioni që siguron mbulim më të gjerë dhe më cilësor, atëherë kjo strategji e vendosjes ul cilësinë e mbulimit për telefoninë mobile VALA dhe rezulton me zhvatje të buxhetit të Telekomit të Kosovës.

Zhvatja nëpërmjet rrjetit të antenave nuk ndalet me kaq. Pa asnjë logjikë biznesore, menaxhmenti i Telekomit ka vendosur që sigurimin e gjeneratorit për antenat dhe naftës për gjenerator ta bëjë një palë e tretë dhe jo vetë Telekomi. Kjo situatë ka rezultuar me shumë antena, të cilat nuk kanë fare gjenerator, apo me antena të cilat kanë gjenerator, por nuk kanë naftë. Përderisa fondet për blerjet e gjeneratorëve dhe naftës u alokohen palëve të treta, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk realizojnë obligimet të cilat i kanë. Prandaj, në shumë raste kur në një vendbanim ka reduktime të energjisë elektrike, mbulueshmëria e VALA-s ulet në mënyrë të ndjeshme për klientët, sepse antenat nuk janë funksionale.

Degradimi i tretë teknik ndodh me rrjetin tokësor të Telekomit të Kosovës. Telekomi i Kosovës është ndërmarrja e vetme, e cila shtrin rrjetin e saj nën tokë, për dallim nga operatorët privatë, pra nuk e varë atë nëpër shtylla në zonat e banimit. Ndërmarrjet e tjera kanë barrë të madhe financiare për varjen e kabllove nëpër shtylla, me ç’rast 65% të kostos operacionale të këtyre operatorëve privatë shkon në mirëmbajtjen e këtij rrjeti. Telekomi i Kosovës, me shtrirjen nëntokësore, nuk e ka këtë barrë financiare dhe ka cilësi teknike dhe disponueshmëri më të lartë të shërbimeve. Por befasisht, menaxhmenti i Telekomit vendos që ky rrjet të shfrytëzohet më pak se 10% edhe pse është shumë më cilësor dhe me kosto më të ulët, në raport me konkurrentët.

Përveç shfrytëzimit të ultë, menaxhmenti i Telekomit saboton edhe zgjerimin e mëtutjeshëm të këtij rrjeti. Përderisa çdo vit ekzistojnë plane për zgjerim të rrjetit tokësor dhe rritje të tregut, pa ndonjë logjikë biznesore, realizimi i këtyre planeve ndalet dhe në të njëjtën kohë zgjerimin e njëjtë e realizon ndonjë operator tjetër. Vetëm në Komunën e Prishtinës, ky sabotim i brendshëm i ka ndodhur Telekomit të Kosovës në Rrugën B, zonën lindore të “Kodrës së Diellit”, lagjen “Pejton”, Zonën Industriale, etj.

I gjithë ky degradim teknik dhe e tërë kjo zhvatje nuk kanë nxitur asnjëherë reagimin e auditorit të brendshëm, institucion i cili do të duhej të ishte i mbingarkuar me punë dhe do të duhej të referonte shumë raste tek Prokuroria. Kjo ndodh, sepse auditorja e brendshme thjesht nuk vjen në punë. E kjo ndodh, sepse si auditore e brendshme është e punësuar gruaja e një deputeti të njërës nga partitë në pushtet.

Ndërsa, metoda e dytë për shkatërrimin e Telekomit realizohet nëpërmjet kontratave të dëmshme, të cilat ia pamundësojnë Telekomit “frymëmarrjen” financiare. Me kontratën e Z-mobile, Telekomi tanimë ka vite që po dëmtohet. Krijimi i operatorëve virtualë është metodë e zakonshme e ndërmarrjeve të Telekomit, për të synuar segmente të ndryshme të tregut. P.sh. kështu veprojnë operatorë të ndryshëm në Evropën Perëndimore, të cilët kanë lejuar operatorë virtualë, si Lebara e cila e shërben segmentin e emigracionit në këto vende. Edhe në Kosovë kemi një rast tjetër të operatorit virtual, siç është rasti i D3 Mobile, si operator virtual i Ipko-s. Ipko mban të kufizuar veprimtarinë e D3 Mobile në tregun vendor, duke mos rrezikuar kështu tregun e telefonisë së vet. Por krijimi i Z-Mobile, si operator virtual i cili shfrytëzon infrastrukturën dhe teknikën e Telekomit të Kosovës, për t’i krijuar konkurrencë vetë Telekomit të Kosovës, nuk ka asnjë logjikë biznesore.

Operatorët virtualë në kushte normale, referuar shumë shembujve në botë, kanë kufizime në ndarjen e të hyrave financiare, numrit të parapaguesve dhe kufizim nga “dumping-u”. Operatori virtual para se ta lansojë një pako, duhet të marrë miratimin e operatorit amë. Operatori amë vepron me mekanizma që parandalojnë rrjedhën e klientëve të tij drejt operatorit virtual. Me një fjalë, operatori virtual sipas definicionit shërben segmente që operatori amë nuk mundet apo nuk e sheh si të volitshme që t’i shërbejë. Prandaj, përgjithësisht përqindja e të hyrave ndahet 40% me 60% në të mirë të operatorit amë, që në rastin tonë do të ishte VALA. Por kontrata kriminale e VALA-s me Z-Mobile parasheh vetëm 27% të hyra për VALA-n dhe 73% për Z-Mobile. Pra, pjesa dërrmuese e rrjetit publik të Telekomit të Kosovës punon në të mirë të Z-Mobile-it.

Këto të hyra të larta Z-Mobile i siguron duke përdorur politika “dumping-u” ndaj VALA-së, duka ia shfrytëzuar abuzivisht burimet, duke degraduar kështu shërbimin për abonentët e saj dhe të VALA-s. Ky operator virtual krijon oferta të ndryshme për klientët, pa u koordinuar dhe pa marrë leje nga VALA dhe si rrjedhojë e saj, dëmton afarizmin e VALA-s duke ia marrë klientët. Kjo krijon një situatë në treg të cilën nuk e gjen në vendet e tjera. P.sh, në ShBA të gjithë operatorët virtual zotërojnë 4.3% të tregut, përderisa në tregun e Kosovës operatorët virtual, përgjithësisht Z-Mobile, zotërojnë 10.6% të tregut. Praktikisht, rrjeti i telefonisë mobile të Telekomit të Kosovës punon për fitimet e operatorit virtual Z-Mobile dhe për këtë arsye Telekomi i Kosovës sot funksionon me humbje, përderisa Z-Mobile me fitim.

Përderisa VALA ka shumë vështirësi për mbajtjen e klientëve të saj, për shkak të operatorit virtual që i është kapur si “shushunjë”, ajo zhvatet edhe në procesin e shpërndarjes/shitjes së numrave të telefonit në treg. Aktualisht, Telekomi shfrytëzon tri kanale për shitjen e produkteve në treg: dyqanet e veta, lokalet e Postës së Kosovës dhe një palë të tretë private, e cila e organizon shitjen nëpër dyqane private dhe e ngarkon Telekomin me 13% të secilës shitje të realizuar. Së pari, nuk është e kuptueshme pse Telekomi ka nevojë për një operator privat i cili i shpërndan numrat e telefonit tek dyqanet private. Këtë operacion logjistik e financiar Telekomi do ta realizonte vetë me kapacitetet aktuale, dhe nuk do të kishte nevojë t’i ndante 13% të të hyrave nga secila shitje. Në anën tjetër, dëmi i radhës është nga fakti që operatori privat është vetëm një nga tri metodat e shpërndarjes, por realisht i realizon 60% të të gjitha shitjeve “prepaid” të shërbimeve të VALA-s.

Zhvatja e Telekomit realizohet edhe në hallkën e marketingut. Në vitin 2017, në periudhë krize financiare dhe shitjeve vazhdimisht në ulje, Telekomi ka nënshkruar marrëveshje marketingu me një kompani, së cilës ia kanë paguar gjysmë milioni euro vetëm për ta siguruar ekskluzivitetin e shërbimeve të tyre. Përmbi këtë gjysmë milion euro, kompania e marketingut është paguar për secilin shërbim të cilin e kanë realizuar për Telekomin. Përveç kësaj, ka raste kur janë themeluar portale të cilat pa asnjë përvojë dhe kapital medial kanë siguruar kontrata prej dhjetëra mijëra eurove. Një rast i tillë është edhe me portalin KosovaLajm i cili, sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, është themeluar në qershor të vitin 2018 dhe pas tre muajve ka siguruar kontratë marketingu nga Telekomi i Kosovës, në vlerë prej 60,000 eurove. Si hallkë e fundit e marketingut është lokali ku bëhet shitja e produkteve. Në rastin e Telekomit të Kosovës edhe në këtë hallkë gjejmë zhvatje të fondeve publike. Ka raste kur Telekomi i Kosovës paguan deri në 23,750 EUR në muaj për një lokal në qendër të Prishtinës, pronarit të së cilës, sipas informatave të brendshme nga Telekomi, i janë dhënë paradhënie për 20 vite, pra 5.7 milion EUR si pagesë e njëhershme.

Së fundmi, në media u publikua edhe një marrëdhënie tjetër kontraktuese, e cila ka shterur financiarisht Telekomin e Kosovës, e ajo ishte marrëdhënia me kompaninë “Interadria L.L.C.” dhe kompaninë simotër të saj N.T “Interadria”. Këto kompani, me pronarë të njëjtë, në total kanë zhvatur nga Telekomi i Kosovës 10.9 milionë euro. Se si kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë është shumë e lehtë për t’u kuptuar: njëri nga pronarët e kësaj kompanie është familjar i afërt i kryeparlamentarit Kadri Veseli. Prandaj, jo rastësisht kjo kompani në listën e shërbimeve të cilat i ofron ka shërbime që nga instalimi i nxehjes e deri tek shtrimi i autostradave, pra varësisht se ku ofrohet mundësia për të siguruar tender.

Metoda e tretë, për sabotimin e ndërmarrjes dhe zhvatjen e saj, është mbipunësimi në ndërmarrje dhe krijimi i rrjetit klientelist nëpërmjet këtij mbipunësimi. Edhe pse në gjendje të krizës artificiale financiare, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës nuk ka hezituar të punësojë njerëz të rinj në ndërmarrje, duke ngarkuar kështu shpenzimet operacionale të kësaj ndërmarrjeje. Në konkurset e fundit, pjesa dërrmuese e të punësuarve janë “rehatuar” në departamentin e shitjes. Pra, po të niseshin nga kjo e dhënë, arsyeshëm do të krijohej përshtypja se Telekomi i Kosovës ka rritje të shitjes dhe zgjerimit në tregun e vendit. Por, kështu nuk thonë raportet e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Nga këto raporte kuptojmë se në vitin e kaluar, pjesëmarrja sipas të hyrave e Telekomit në tregun e Kosovës ka rënë vazhdimisht në tri periudha tremujore, të vitit 2018: nga 17.09% në TM1, në 16.27% në TM2 dhe në 14.72% në TM3. Gjithashtu, ndër vite të hyrat e Telekomit, ne raport me vitin paraprak, kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme e madje në dukje edhe të kontrollueshme. Në 2014 kanë rënë për 30 milionë; në 2015 për 20 milionë; në 2016 për 20 milionë; dhe në 2017 për 20 milionë. Pra, nuk ka logjikë financiare rritja e punësimit në këtë gjendje, e aq më pak e punësimit në departamentin e shitjes. Siç është publikuar rishtazi, lista e të punësuarve tregon se pjesa dërrmuese e të punësuarve të fundit në Telekomin e Kosovës janë anëtarë të partive në pushtet. Nëpërmjet këtyre punësimeve partitë në pushtet po krijojnë rrjetin e tyre klientelist, nëpërmjet të cilëve synojnë sigurimin dhe rritjen e ndikimit për vota dhe ndikimit të shtuar për afera të tjera financiare përbrenda ndërmarrjes.

Telekomi i Kosovës nuk është se ka nevojë për kapital privat për tu këndellur nga kjo gjendje. Telekomit të Kosovës si hap të parë e urgjent i duhen masa të antikorrupsionit. Aty do të duhej të rishqyrtoheshin të gjitha kontratat me palët e treta, duke filluar nga Z-Mobile e duke vazhduar deri tek kontratat e lokaleve me qira dhe të vendosjes së antenave. Aty është i domosdoshëm një ristrukturim i burimeve njerëzore, bazuar në mënyrën e punësimit, përgatitjen e të punësuarve, vijueshmërinë e tyre në punë, raportet e tyre të punës dhe nevojat e Telekomit. Kjo do t’i krijonte mundësi Telekomit të Kosovës që të këndellej, nëpërmjet punëtorëve profesionist që e ngritën ndërmarrjen në këmbë pasluftës dhe nëpërmjet kontratave me palët e treta, të cilat janë në interes të Telekomit si një kompani publike. Po të vinte një menaxhment profesional dhe në shërbim të publikut, Telekomi i Kosovës sot do të ishte ndërmarrja më fitimprurëse publike dhe do t’i kontribuonte buxhetit të shtetit tonë me dividenta të rregullta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Fatban Bunjaku & Kreshnik Ahmeti