Çështjet e hapura

Flaka Surroi Flaka Surroi 12 shkurt 2019 07:54

Jetojmë me maksimën tonë të përjetshme: "Hajt se bëhet mirë". E nuk do të bëhet mirë pa u mbyllur krejt këto çështje që ne përbrenda i kemi të hapura: frika, oportunizmi, mentaliteti, servilizmi, karshi atyre që edhe po të ishin porositur nga Serbia nuk do t'ia dilnin të na shkatërronin më shumë seç na kanë shkatërruar politikanët kosovarë në 20 vjetët e fundit

Është e tmerrshme se në çfarë jemi shndërruar si shoqëri në këta 20 vjetët e fundit. Kur e nisëm nga zeroja, i kishim të gjitha para vetes për t'u bërë më të mirë seç ishim. I kishim vullnetin, gëzimin dhe ndihmën e njerëzve që nuk na kanë pasur borxh, ama bash asnjë send, për të kaluar nga një shoqëri e përvuajtur prej dekadash, në një shoqëri të mbarë.

Se vijmë në këtë derexhe kurrë përjetë nuk më kishte shkuar në mendje. Nuk e kisha besuar se jemi aq shpirtngushtë dhe aq budallenj sa për ta gërryer krejt pasurinë e përbashkët që e kishim dhe për t'i shkelur vlerat me të cilat do të duhej të mburrej një shoqëri deri në skaj, aq sa ato thuajse nuk ekzistojnë më.

Këso krize të rëndë ekonomike kjo Kosovë ka përjetuar thuajse në të njëjtat përmasa, në kohët kur na kishin qitur në masë prej punës nga fillimi i të '90-ve. Ajo që na dallon nga ajo situatë është se fatmirësisht nuk kemi valutë tonën, sepse deri tash me siguri e kishim tejkaluar edhe rekordin e ish-Jugosllavisë, kur inflacioni kishte mbërritur në 19.810,2%.

Por nuk është vetëm kriza ekonomike ajo që po na përcjellë. Është kriza e përgjithshme shoqërore që na ka kapluar dhe e cila e ka futur thuajse gjithë një popull në letargji, që nuk di të reagojë për asnjë gjë të keqe; që nuk di të kërkojë përgjegjësi dhe as të fusë rend në këtë shtet, për shkak se duket se ka çuar duart. Duket se është dorëzuar dhe duket se të vetmen gjë që e pret është një rast për të zhdukur prej këtu për t'u mos u kthyer kurrë më.

Pedofilia

Një rast tejet i shëmtuar u zbardh javën që e lamë pas. Fati i zi i një vajze, katrahura e së cilës nisi kur kishte qenë e mitur, mbaroi me një abort, me akuza për dhunime dhe me një reagim euforik, të zhurmshëm dhe linçues, të të gjitha llojeve natyrisht në FB dhe nëpër portale. Madje u thirr një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për ta debatuar temën, dhe në të morën pjesë 45 a sa deputetë, ashtu siç edhe në protestat e Prishtinës dhe Drenasit nuk u mblodhën më shumë se disa qindra njerëz.

Rasti i abuzimit të një të miture nga, fillimisht, arsimtari, e më pas edhe një polic hetues, derisa kjo nuk u bë madhore kur edhe e abortoi fëmijën në një ordinancë që duket se nuk ka pasur licencë për punë -- e tregon në mënyrën më të tmerrshme të mundshme rrënimin e të gjitha hallkave të edukimit, të moralit, të arsimimit, të etikës profesionale, të familjes dhe të së drejtës në këtë shoqëri.

Pa hyrë fare në analizën e rrethanave a deklaratave që janë dëgjuar ditët e fundit, një fakt mbetet i pamohueshëm: është rast i dyfishtë i pedofilisë, i cili duhet të ndëshkohet me masat më të rrepta të mundshme që i parasheh ligji. Po qe se vërtetohet se aborti është kryer në ordinancë të palicencuar dhe në kundërshtim me ligjin, mjeku gjithashtu duhet të dënohet dyfish: edhe penalisht, sepse pavarësisht se sa i efektshëm në punën e tij, e ka rrezikuar jetën e pacientes dhe profesionalisht, me marrjen e licencës dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit.

Përgjegjësia prindërore dhe e shkollës

Por nga ky rast i rëndë assesi nuk duhet përjashtuar përgjegjësinë e institucioneve arsimore, por, mbi të gjitha, edhe të prindërve të viktimës. Është shumë vështirë e besueshme që e gjithë kjo situatë, e cila ka zgjatur dy vjet të plota, të mos jetë ditur edhe në shkollë, edhe në shtëpi. Është shumë vështirë e kapshme që në shtëpi a shkollë të mos jenë regjistruar mungesat disaditëshe të vajzës. Nuk është e mundshme që të mos jenë vërejtur ndryshimet në sjelljen e saj. Është pothuajse e pabesueshme që në një vend të vogël të mos ketë pasur bile indice muhabetesh për një diçka kaq të shëmtuar që po zhvillohej para syve të të gjithëve.

Pa i ditur rrethanat e as raportet familjare, rasti i vajzës e tregon mbase më së miri qasjen që kjo shoqëri ka ndaj temave që ende i quajmë dhe i trajtojmë tabu. Në kohën kur një numër jo i vogël qytetarësh dhe organizatash flisnin për nevojën e futjes së lëndës së edukatës seksuale nëpër shkolla, pati plot të tjerë që insistonin që kjo të zëvendësohej me edukatën fetare, ani që arsimi në Kosovë është shekullar.

Dhe nuk është punë vetëm e futjes së kësaj lënde në planprograme mësimore. Është çështja e edukimit dhe e arsimit që do të duhej ta sillte ndryshimin e mendësisë patriarkale që mbisundon në këtë shoqëri. Mendësinë e fshehjes "së marres" në vend se të luftohen e keqja dhe anomalitë. Me ndryshimin e kësaj mendësie, me automatizëm do të ndryshonte edhe kultura e mosndëshkimit që e sundon këtë vend -- aty ku krejt të këqijat harrohen pas tri ditësh për shkak se nuk ka institucione funksionale të drejtësisë që do ta luftojnë krimin, i cili nuk nënkupton veç hajninë dhe vrasjet.

Përgjegjësia institucionale

E këtë që e jetojmë sot ua kemi borxh atyre që e udhëheqin këtë vend qe dy dekada. Të painteresuar fare për mirëqenien e përgjithshme, e kanë instaluar sistemin klientelist, ku pothuajse të gjithë që marrin rrogë nga buxheti janë aty për të kryer punë për ta.

Kjo sjellje, ky interes i klikave të ngushta politiko-partiake, na ka sjellë në situatën kur nuk kalon ditë e vetme në të cilën nuk ndodh një grabitje e armatosur e bankave apo e dyqaneve. Sikurse të jetonim në anarki, ku kushdo dhe kurdo mund ta marrë të drejtën për të t'i dhunuar të drejtat e për të ta kërcënuar sigurinë. Kjo ngase kultura e ndërtuar në 20 vjetët e shkuar është që vjedhja, sidomos ajo e organizuar, është virtyt e jo krim. Se ta marrësh të huajën pa dhimbje dhe pa asnjë përgjegjësi është një veprim që politika e bën pandëshkueshëm, prandaj mund të replikohet pa asnjë telash.

Nga ana tjetër, ata që përpiqen të funksionojnë sipas rregullit dhe në pajtim me ligjin janë ata që heqin më së shumti. Në mungesën kronike të parasë që shkon në rrugët e shtrenjta dhe në pagesën e subvencioneve që nuk është e thënë se kthehen në konsum, mezi ia dalin t'ua mbulojnë rrogat punëtorëve të vet, e njëkohësisht të paguajnë edhe tatimet me të cilat do t'u paguhen rrogat të gjithë atyre njerëzve në shërbimin publik, përfshirë edhe politikanët.

Çështjet e hapura

E këta politikanë që kur e marrin pushtetin mendojnë se janë dhe sillen sikur të jenë mbi ligjin, nuk merren me këto çështje të hapura brenda në shtet. I kemi mësuar ne, votuesit, që të na i mbushin kokat me pallavra boshe dhe veprime populiste. Ne ua kemi lejuar hapësirën që të bëjnë krejt çfarë iu teket e që të mos reagojmë asnjëherë si masë, për t'iu treguar se nuk bën të marrin vendime të këqija në emrin tonë.

Asnjëra qeveri nuk u mor me arsimin si duhet. Në fakt, që të gjitha kontribuuan që ai të shkatërrohet në këtë masë. E njëjta, por edhe më keq, për shkak të implikimeve të mëdha edhe buxhetore e edhe jetësore, ndodhi me shëndetësinë, ku u vodh me bagera. Asnjëra qeveri nuk mendoi se si ta ndihmojë bujqësinë -- vetëm mendoi si të ndajë grante për dosta. Askush nuk mendoi se si ta zgjidhë çështjen e papunësisë kronike që po bëhet endemike, porse shikoi me hapë sa më shumë "institucione" arsimore që japin diploma, por nuk japin dituri.

E as kjo qeveri nuk është më ndryshe sesa ato të përparshmet. Mbase në disa elemente është hala edhe më e keqe, më e paefektshme dhe edhe më e humbur se të gjitha të tjerat. Është qeveri që nuk e ka marrë me kohë kontrollin mbi negociatat me Serbinë nga frika se mund të bjerë, duke ia lënë rrugën hapur një njeriu me kredibilitet zero që të na përfaqësojë në një proces të errët, të turbullt dhe shumë të rrezikshëm.

Për shkak të oportunizmit, kjo Qeveri mundësoi që procesi i Brukselit për "normalizimin" e famshëm të shndërrohet në fontanë të dëshirave për Beogradin. Që sa herë të dojë të nxjerrë mbi tavolinë cilëndo temë që asaj i përshtatet, e madje edhe t'i vërë si kusht për t'i vazhduar negociatat.

E fundit në vazhdën e bisedimeve që gjithsesi i konvenojnë më shumë Serbisë sesa neve, për shkak se ne ia dhuruam perspektivën evropiane me nënshkrimin e marrëveshjes për Zajednicën, është kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me heqjen e taksës, por edhe me anulimin e statutit të “Trepçës” miratuar nga Kuvendi i Kosovës javën e shkuar.

Kjo i mjaftoi BE-së që të bënte thirrje edhe një herë që taksa të hiqej menjëherë dhe që të bisedohej edhe për “Trepçën”, pse jo, "nëse palët e konsiderojnë se ka tema të hapura". Nuk e dëgjova asnjëherë BE-në të fliste për temat e hapura të të zhdukurve; të reparacionit; të kthimit të artefakteve të vjedhura muzeore; të kthimit të fondeve e dokumenteve të vjedhura; të qarkullimit të lirë, apo të ngjashme.

Me kësi insistimi dhe me trysninë që po ushtrohet nga ambasadorët amerikanë në Beograd e Prishtinë, që taksa të hiqet për të vazhduar bisedimet, ai i cili përfiton është Thaçi. Duke u paraqitur si "i marrun vesh", si njeriu që mund ta heqë taksën (natyrisht, nëse e rrëzon Haradinajn, mund ta bëjë këtë pas disa muajsh), shkon e takohet sa në Bruksel, sa në Washington me njerëz të ndryshëm, madje edhe mban fjalime duke thënë "se nëse duhet bërë një korrigjim të vogël kufijsh" për ta arritur paqen, këtë duhet bërë. Pa e pyetur askënd, pa marrë miratimin as të Kuvendit, pa e marrë parasysh asnjë pasojë shkatërrimtare të asaj që e thotë.

Sepse, me insistimin për korrigjimin e kufijve ky vetë e mohon shtetësinë e Kosovës, e mohon Pavarësinë, Deklaratën e së cilës vetë e ka lexuar, e mohon faktin se nja 100 shtete e kanë pranuar atë me hartën që e ka. E njeriu, i cili është në gjendje ta vërë mbi tavolinë çështjen e pavarësisë së Kosovës me territorin që ka, është në gjendje të hapë cilëndo çështje të cilën dosti i vet, Vuçiq, mund ta sugjeronte në cilindo takim të ardhshëm.

* * *

Punët i kemi keq, dhe nuk po shoh që po shkojnë nga përmirësimi. Mbesim shoqëri e shtet me shumë çështje të hapura që i tolerojmë me vite. Jemi shndërruar në njerëz që jetojmë sa për të mbijetuar, të pafuqi për të ndërruar çfarëdo, sepse jetojmë me maksimën tonë të përjetshme: "Hajt se bëhet mirë".

E nuk do të bëhet mirë pa u mbyllur krejt këto çështje që ne përbrenda i kemi të hapura: frika, oportunizmi, mentaliteti, servilizmi, karshi atyre që edhe po të ishin porositur nga Serbia, nuk do t'ia dilnin të na shkatërronin më shumë seç na kanë shkatërruar politikanët kosovarë në 20 vjetët e fundit.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi