Michel Houellebecq ka shkruar edhe një roman. Bujq të dëshpëruar luftojnë me armë kundër politikave të BE-së, një personazh, me profesion agronom, mendon të hidhet nga një ndërtesë e lartë, sepse e ka humbur dashurinë e jetës dhe tash nuk i ndihmojnë as ilaçet kundër depresionit. Houellebecq sërish bën zhurmë kundër BE-së, lavdëron të djathtën ekstreme dhe gratë më me dëshirë do t’i shihte të nënshtruara dhe në kuzhinë.
Sa herë që Michel Houellebecq boton një roman, në mediat perëndimore mbretëron një nervozizëm kureshtar. Në romanin e tij “Nënshtrimi” (botuar më 2015) shkrimtari provokues francez përpiqej të trondiste botën (perëndimore), duke përshkruar Francën si vend që qeveriset nga islamikët. Ajo ditë, sipas tij, nuk është e largët. Jemi në vitin 2019 dhe islamikët janë larg nga marrja e pushtetit në Paris, megjithëse Houellebecq po bën gjithçka për të trembur publikun me vizionin e tij apokaliptik.
Kur në vitin 2016 Houellebecq mori një çmim në Gjermani (Çmimin “Frank Schirrmacher”, të emëruar sipas botuesit të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”), ai goditi të majtën, armikun e tij imagjinar, fajtoren kujdestare për çdo gjë në këtë botë, e sidomos për problemet e personazheve të romaneve të autorit francez. Këto personazhe vuajnë nga impotenca, depresioni, mungesa e vullnetit për jetë. E majta, sipas Houellebecqut, është frikacake, e majta këmbëngulë që në debatin publik të përdoret vetëm fjalori korrekt politik, e majta po e dobëson Perëndimin. E majta është vetë djalli. E majta është “një kafshë e zënë në ngushticë e cila ka frikë nga vdekja dhe bëhet e rrezikshme”. E majta angazhohet për integrime evropiane, Houellebecq ëndërron që BE-ja të shkatërrohet sa më shpejt. Në fjalimin e tij të mbajtur në Gjermani Houellebecq u ankua se e majta po e shkatërron edhe virilitetin, fuqinë seksuale të burrave. Si shembull për këtë përmendi se në Francë është e ndaluar me ligj që burrat të vizitojnë prostitutat. Kjo, sipas tij, i shkatërruaka familjet. Sepse sa më shumë burra që vizitojnë prostituta, aq më stabile familjet. Sipas Houellebecqut. Kjo logjikë idiotike e tij nuk ka fund. Ai thotë madje se me këto ligje e majta po i shkatërron familjet dhe shoqërinë.
Tani Michel Houellebecq ka shkruar edhe një roman. Quhet “Serotonin”. Kështu quhet hormoni i lumturisë. Në pamfletin e ri të Houellebecqut bujq të dëshpëruar luftojnë me armë kundër politikave të BE-së, një personazh, me profesion agronom, mendon të hidhet nga një ndërtesë e lartë, sepse e ka humbur dashurinë e jetës dhe tash nuk i ndihmojnë as ilaçet kundër depresionit. Houellebecqu sërish bën zhurmë kundër BE-së, lavdëron të djathtën ekstreme dhe gratë më me dëshirë do t’i shihte në kuzhinë.
Për Houellebecq të majtit janë sidomos fajtorë për shkak se me lëvizjen e vitit 1968 kanë ndikuar në triumfin e individualizmit, kanë bërë të mundur revolucionin seksual dhe kanë hapur rrugën për barazinë mes gjinive. Houellebecqu këtë e urren. Për të do të ishte më mirë nëse gratë – si në shekullin e ’18 – do t’u nënshtroheshin urdhrave të burrave – në kuzhinë dhe sidomos në shtrat. Houellebecqu i sheh gratë si “forcë krijuese në nivel të tërmetit”. Por kjo forcë krijuese, sipas tij, shpërthen vetëm brenda katër mureve, jo në jetën publike. Gratë të bëjnë karrierë? Një vizion i mërzitshëm për Michel Houellebecq. Sepse, siç u nënvizua, gruaja e ka vendin te shporeti.
Këto provokime të Houellebecqut çuditërisht nuk zgjojnë zemërim të madh në opinionin perëndimor. Mediat sikur janë mësuar me gjuhën e tij, e cila na qenkësh e rafinuar. Sulmet e tij brutale kundër establishmentit politik shikohen si provokime që duhet duruar, sepse na qenkan provokime interesante. Në të vërtetë nuk janë gjë tjetër veçse neuroza të një tipi që hallin e vetëm e ka impotencën mashkullore, andaj në çdo roman të tij fokusi është diku mes këmbëve dhe roli i gruas shumë i qartë – nënshtrues. (Dashnoret e personazheve të Houellebecqut në të shumën e rasteve janë “kurva”, “të përdala”, “bishttundura”. Janë fjalë që autori i përdor me zell inflacionar).
Edhe romani i ri “Serotonin” është botuar menjëherë në shumë gjuhë evropiane. Duket se ka një interesim në shoqëritë evropiane për perversitete mendore dhe seksuale, për provokime të rënda, për gjuhë vulgare, për mallkime brutale të BE-së etj. Tërë këtë Houellebecqu e “ujit” me shumë alkool dhe përshkrime të detajuara për pedofilinë. Dhe një gazetë gjermane shkruan: “Megjithatë, pas formulimeve mizogjene dhe gafave pedofil në të vërtetë fshihet një romantik, i cili nuk ka mall për gjë tjetër përveçse për një grua”. Edhe këso bajgash botohen në mediat gjermane.
Para se të botonte romanin e fundit, Houellebecqu në “Harper’s Magazine” e quajti Donald Trumpin presidentin më të mirë të Amerikës, e lavdëroi për shkak se është nacionalist dhe tha se do të ishte i gatshëm të votonte për çdo politikan në Francë që angazhohet për dalje nga BE-ja dhe nga NATO-ja. Si mund të shpjegohet popullariteti i Houellebecqut? Ndoshta vetëm me shoqëritë e tejngopura, të fokusuara vetëm në konsum dhe të gatshme që përrallat perverse të një shkrimtari francez t’i përthithin si material për konfirmim të paragjykimeve.