Kush kë po e bind për ndryshimin e kufijve të Kosovës

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 23 janar 2019 08:40

Mbetet e paqartë se a është ndryshimi i kufijve të Kosovës përmes shkëmbimit të territorit apo korrigjimit të kufijve vërtet kërkesë amerikano-evropiane dhe Kosova duhet ta përfillë, apo janë Kosova dhe Serbia ato që kërkojnë nga amerikanët, evropianët e rusët ta mbështesin këtë ide. Rusia nuk e ka ndryshuar qëndrimin, sepse që nga viti 2008 mbështet “zgjidhjen që është e pranueshme për të dyja palët”. Pra, tash të thuhet se Rusia dhe Serbia kanë të drejtë është e njëjtë sikur të pranosh se ka qenë gabim shpallja e Pavarësisë pa pajtimin e Serbisë.

Është shumë e vështirë që përmes një hulumtimi të zbulosh se kush vërtet kërkon që zgjidhja, e cila do të normalizonte raportet mes Kosovës dhe Serbisë, të jetë ndarja e Kosovës apo ndryshimi i kufijve përmes një “korrigjimi” të tyre ose “shkëmbim territoresh”. Pasi kjo ide në masë të madhe është kundërshtuar fuqishëm në Kosovë edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, e siç duket, por nuk është krejtësisht e sigurt, edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ata që e mbështesin, presidenti Hashim Thaçi me bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij, kanë nisur ta shesin këtë ide si një kërkesë të “miqve ndërkombëtarë” të cilëve “nuk mund t’u themi jo”. Por, nuk po gjejmë miq të vërtetë ndërkombëtarë të thonë publikisht se duhet të pranojmë ndarjen e Kosovës, që veriu të jetë pjesë e Serbisë e që ndonjë pjesë e Luginës së Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Ata që përkrahin këtë ide, e për të cilët nuk mund të thuhet se kërkojnë realizimin e saj, por vetëm se do të ishte ide e mirë, ose ishin kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, ose janë vënë në shërbim të strukturave që paguajnë për shërbimet e tyre këshilluese.

Në BE asnjëherë nuk është thënë se kanë ndonjë kërkesë që ndryshimi i kufijve të jetë zgjidhje e problemeve mes Kosovës e Serbisë. Askush në emër të BE-së nuk mund ta thotë këtë dhe askush nuk ka të drejtë që në emër të BE-së të insistojë në një zgjidhje të tillë. Edhe ata për të cilët thuhet se “kërkojnë këtë zgjidhje”, nuk është fjala për “kërkesë”, por më shumë për “mbështetje”, ose se “nuk do ta kundërshtonin”. As nga amerikanët, së paku jo publikisht dhe formalisht, nuk është dëgjuar se ata kërkojnë që Kosova të pranojë ndryshimin e kufijve të saj në të cilët shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Edhe letra e presidentit Trump drejtuar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Thaçi dhe Vuçiq, u bën thirrje atyre që të arrijnë marrëveshjen, sepse mund të ikë ky rast, por nuk shpreh ndonjë kërkesë për ndryshim kufijsh si zgjidhje. Sikur edhe ata që “nuk kanë asgjë kundër” kësaj ideje nga radhët e evropianëve, ashtu edhe nga pala amerikane, thuhet se nuk do të duhej kundërshtuar asnjë marrëveshje për të cilën do të binin dakord të dyja palët.

Madje kur është fjala për BE-në, ka të tillë që apriori janë shprehur kundër kësaj ideje. Sepse kanë qenë kundër për vite me radhë dhe kanë investuar shumë për të parandaluar realizimin e ideve të tilla. Politika agresive e Serbisë ka dashur së pari idetë e tilla t’i realizojë me luftë e pastaj, pasi ka dështuar, ka vazhduar përpjekjet me mjete politike. Presidenti i tashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur e ka lavdëruar ish- diktatorin Milosheviq si “lider të madh”, ka shprehur kritika vetëm për shkak të asaj që nuk i ka realizuar “qëllimet e mira”, sepse “nuk e ka kuptuar si duhet situatën në botë”. Për ata që nuk e dinë, se janë shumë të rinj apo nuk e kanë përcjellë shumë, duhet rikujtuar se bazë e qasjes së Serbisë në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ka qenë se “të drejtë në vetëvendosje kanë popujt e jo njësitë federative”. Pra, sipas kësaj logjike, që u bë edhe qëllim i luftërave, të gjithë serbët nga të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë është dashur të përfshiheshin në Serbi. Edhe serbët nga Serbia, edhe ata nga Bosnjë-Hercegovina e edhe ata nga Kroacia. Në Kosovë ishte planifikuar që përmes spastrimit etnik, pastaj kolonizimit, të ndryshohet struktura etnike në mënyrë që shqiptarët të mos e kenë më shumicën dhe kjo pjesë të jetë pjesë e një Serbie të madhe. Pasi thuhej se “malazeztë janë serbë”, edhe Mali i Zi nënkuptohej nga politika serbomadhe si pjesë e cila do të ishte në atë shtet. U bënë shumë krime, u derdh shumë gjak, por kufijtë nuk ndryshuan. Të gjitha shtetet që sot ekzistojnë si shtete të pavarura në territorin e ish-Jugosllavisë u pavarësuan në kufijtë që i kishin si njësi federative të ish-Jugosllavisë. Ky ishte argument i përmendur shpesh në dëgjimet para gjykatësve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila u bind se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Prej kur kjo Gjykatë dha mendimin e saj, që ishte befasues për shumë e një goditje e rëndë për Serbinë, Beogradi, në bashkëpunim me disa struktura të BE-së, nisi fushatën e relativizimit të këtij mendimi duke krijuar probleme praktike dhe duke ofruar që ato të zgjidhjen përmes dialogut në Bruksel. Kosovarëve naivë ky dialog iu shit si një proces në të cilin “do të zgjidheshin vetëm disa probleme praktike teknike, që do të lehtësonin jetën e përditshme të njerëzve”, por tash u pa se që nga fillimi ka ndihmuar në krijimin e një realiteti në terren, sipas së cilit ndarja do të bëhet zgjidhje e logjikshme. Dhe tash jemi në atë situatë në të cilën kërkohet të zyrtarizohet kjo, me ndoshta ndonjë aranzhim për t’ia dhënë edhe Kosovës ndonjë pjesë, sa për të mos thënë se ka qenë ndarje në vija etnike.

Mbetet e paqartë a është ndryshimi i kufijve të Kosovës përmes shkëmbimit të territorit apo korrigjimit të kufijve vërtet kërkesë amerikano-evropiane dhe Kosova duhet ta përfillë, apo janë Kosova dhe Serbia ato që kërkojnë nga amerikanët, evropianët e rusët ta mbështesin këtë ide. Rusia nuk e ka ndryshuar qëndrimin, sepse që nga viti 2008 mbështet “zgjidhjen që është e pranueshme për të dyja palët”. Pra, tash të thuhet se Rusia dhe Serbia kanë të drejtë është e njëjtë sikur të pranosh se ka qenë gabim shpallja e Pavarësisë pa pajtimin e Serbisë, që, sipas tyre, ka qenë “në mënyrë të njëanshme”. Është për t’u habitur, madje edhe shokuese, të dëgjohet tash nga politikanë e Kosovës se “duhet zgjidhje, ku asnjëra palë nuk do të humbë apo të fitojë gjithçka”, që është pikërisht fjali që udhëheqësit e Serbisë e përsërisin me vite.

Kosova nuk duhet të pranojë se ka fituar gjithçka, ndërsa Serbia të ketë humbur gjithçka. Sepse edhe Pakoja e Ahtisaarit ka qenë kompromis jo i lehtë për Kosovën. Nuk e dimë se kush po mundohet ta bindë Kosovën që të ndryshojë qasjen që ka pasur me vite së bashku me miqtë ndërkombëtarë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agim Bajrami25/01/2019 14:01

Une mbaj konceptin tjeter rreth zhvillimeve permes nesh dhe rajonit.Lidershipi dhe popullata kosovare kan foremsim folklorik,me sens te shikimit te zhvillimeve te ngjarjeve globale dhe rajonale duke i fajesuar te tjeret me binsjen iluzionare e te rrejeshem se krejt bota duhet te mendan per kosovaret dhe shqiptaret dhe e krejta bota e din dhe angazhohet se konflikti shqiptaro -serb eshte ajo situat ku te gjith e vlersojn se shqiptaret jane ne te drejten e tyre.Ne politik dhe diplomaci ka interesa dhe jo simpati.ka eleanca per pozicionim te qart ne mbrojtje te interesave kombetare dhe me se e qart ne tere kete duhet te kete vlera reale veropiane -amerikane.Tek ne , sa ka njohuri,arsim te mirfillt,vetedijesim te shoqeris per te pasur kapacitetin e perballimit te ketyre zhvillimeve dhe krahas ketyre avancimin dhe mbrojtjen e interesave kombetare.Nuk mjafton te thuhet se kam qene trim se kam marr nje pushk kineze dhe jam barrikadua diku ne nje skut te malit dhe tani e mabj te drejten e perhershme te ju shes leksione rreth kesaj ngjarje.Tani duhet dija,puna,pergjegjesia,disiplina dhe arsimimi i mirefillt.A e kane kete kapacitet strukturat drejtuese te shtetit dhe shoqeris pergjat ketyre zhvillimeve?

lind23/01/2019 13:14

Dëmet që ka shkaktuar propaganda Srbo-Turke e për ta ndihmuar influencën Srbo-Turke , sot janë më se të dukshme për shoqërinë tonë të molisur. Politika aktuale Srbo-Turke ësht Politik e rrezikshme domionuse ,influenc për riokupim?! Pra mos haroni… çlirimit nga çizmet e fundit mvaret nga vet ne?! Isa Boletini na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në Pazar.

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj