OpEd

S'ka kohë për të humbur

E besoj të gjithë e kanë të qartë, pos partisë të cilën ai e kontrollon ende, se problemi kryesor politik në Kosovë është Thaçi dhe krejt çka paraqet karriera e tij politike. Dhe pavarësisht aktivizimit të Gjykatës Speciale, nuk duhet mbështetur shumë në probabilitetin që edhe ai së shpejti të ftohet në Hagë. Sepse deri atëherë, mund të bëjë edhe më shumë dëm seç ka bërë deri tash

Janë dy vendime që janë marrë kohëve të fundit dhe që të dyja po kritikohen edhe nga jashtë, përderisa përbrenda po quhen vendime "populiste" me qëllime parazgjedhore.

Njëri vendim, i kthyer në ligj, mund ta shndërrojë FSK-në në ushtri që nuk do të quhet ushtri, dhe do ta hapë një proces të gjatë për t'u bërë ushtri përnjëmend, me gjithë mungesën e pajisjeve të rënda ushtarake.

Tjetri ka të bëjë me, tashmë të famshmen, "taksë 100%" ndaj importit të produkteve prej Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës - e cila e besoni ose jo, ende ka mbetur në fuqi edhe pas 15 ditësh, pavarësisht shumë presioneve që po vijnë nga të gjitha anët.

I vetmi që nuk e ka asnjë koment të vetëm për të dyja çështjet vazhdon të jetë Thaçi.

Ushtria

Se a duhet pasur vendi ushtri apo jo në kohën kur NATO-ja është këtu ka qenë temë diskutimi prej vitesh. Përderisa më e zëshmja për nevojën e ushtrisë gjithmonë ishte treguar Vetëvendosja, partitë e tjera disi e aktualizonin çështjen e ushtrisë pak para se të vinte koha e zgjedhjeve.

Do ta kujtojmë idenë e qeverisë së shkruar që të shkohej me formimin e ushtrisë, e cila qe kundërshtuar zëshëm nga NATO-ja dhe shtetet e fuqishme, ngase kërkohej që të kalohej nëpër procedurën e ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës. Ligji i cili kishte mbetur në sirtar u përvetësua nga Thaçi, i cili doli me pompozitet duke premtuar se, ja, ai do ta bënte Kosovën me ushtri; dhe se nëse do të dështonte nuk do të kishte më arsye për ta mbajtur postin që e mban, duke qenë Komandant Suprem i FSK-së. Dështoi, për të njëjtat arsye si Qeveria e kaluar, porse natyrisht nuk u tërhoq nga posti, sepse kishte plane të tjera në mendje.

Pa bërë shumë zhurmë, kjo qeveri i nxori sërish po të njëjta projektligje, dhe me pak intervenime i kaloi në Qeveri. Porse, për dallim nga herët e tjera, kësaj radhe kryeministri shkoi në Amerikë me qëllimin që ta bindte Administratën amerikane se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, ngase vetë Kushtetuta e mundësonte rregullimin e brendshëm të FSK-së me ligj.

Me të marrë pëlqimin e amerikanëve, të gjitha kundërshtimet e tjera pak a shumë u amortizuan.

Prandaj edhe me shumë gjakftohtësi u mor deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, i cili tha se transformimi i FSK-së po vinte në kohë të gabuar dhe në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve të NATO-s. Megjithatë, aleati kryesor dhe financuesi kryesor i NATO-s çoi porosi tjetër. Nëpërmjet ambasadorit të ri amerikan në Kosovë, porosia që erdhi thotë: "Evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv për Kosovën" -- që do të thotë se nuk ka arsye që kjo të mos ndodhë tash që Kosova pothuajse qe 11 vjet është shtet, dhe në kohën kur do të bëhen 20 vjet nga fundi i luftës.

Dhe nëse duhet kërkuar edhe një argument shtesë për këtë çështje, mbase do të mundë të shërbente edhe kjo që para disa ditësh Daniel Serwer e quajti "Ilaçi i duhur": "Serbia po kërcënon me ndërhyrje në Kosovë po qe se Kuvendi i Kosovës e voton formimin e ushtrisë. NATO-ja po e përkrah Beogradin.

Kjo është qesharake. Aleanca do të duhej t'i thoshte Beogradit se boll më. Forcat e udhëhequra nga NATO-ja duhen udhëzuar që ta bëjnë të qartë këtë qëndrim. Kosova është pa ushtri që nga ndërhyrja e NATO-s e vitit 1999, që e shpëtoi atë nga përpjekjet e kryetarit Millosheviq për ta nënshtruar popullsinë e saj me forcë dhe nga shpallja e Pavarësisë së saj më 2008. NATO-ja ka siguruar mbrojtjen territoriale të Kosovës, edhe pse ajo e qeveris veten dhe është njohur nga nja 110 shtete.

Tash Prishtina do që ta shndërrojë Forcën e vet të Sigurisë, që ka armatim të lehtë, në ushtri. SHBA-ja, Britania e Madhe dhe NATO-ja janë konsultuar në detaje. Procesi do t'i marrë dhjetë vjet a më shumë. Po qe se NATO-ja do të tërhiqet ndonjëherë nga Kosova dhe të dërgohet në misione me prioritet më të lartë, shtetit i nevojiten mjetet për ta mbrojtur veten së paku për disa ditë. NATO-ja do të duhej t'i përkrahte ata që duan t'ia lehtësojnë barrën e jo ata që kërcënojnë me agresion".

Taksa

I pabesueshëm presioni ndërkombëtar në lidhje me taksën prej 100% për mallrat serbe. Aq i madh saqë komisionari për Zgjerim i BE-së, Hahn, erdhi në Kosovë, pas takimit me Vuçiqin në Beograd, për të shtuar trysninë që taksa të hiqet urgjentisht.

Përderisa pritej ardhja e tij, deputetët serbë, të cilët janë duke e bojkotuar punën në Kuvend prej muajsh, u ngujuan në zyrën e grupit të tyre parlamentar, duke kërkuar që të takoheshin me të, për ta lutur që ta rriste trysninë ndaj zyrtarëve qeveritarë.

Ndërkohë e kishin mbushur zyrën me ca letra në të cilën kishin shkruar se taksa ishte 100% kundër serbëve; që ajo i lë ata pa bukë; që atyre ua shkel të drejtat e njeriut, e të ngjashme. Në asnjërin rast nuk e pamë se pse do të ishte kjo taksë kundër serbëve, kur taksa u imponohet krejt produkteve që vijnë në treg për konsumatorët kosovarë pavarësisht kombësisë; se përse kjo taksë i linte pa bukë, kur furra ka me bollëk gjithandej Kosovës dhe përse ajo pikërisht i shkelte të drejtat e njeriut të serbëve.

Me taksën mund të pajtohemi ose jo për mënyrën se si është vendosur, mbase edhe pa i matur pasojat e një çrregullimi eventual në treg, i cili, dorën në zemër, në këto dy javë nuk është që vërehet shumë. Porse taksa në fakt e paraqet një shenjë proteste për krejt atë që është duke na ndodhur posaçërisht në vitin e fundit.

Pas një presioni të madh ndërkombëtar u kalua demarkacioni, për të cilin përfundimisht nuk e morëm vesh nëse na la pa territor apo jo - dhe nuk erdhi liberalizimi. Dhe pavarësisht faktit se e dimë se janë shtetet anëtare ato që vendosin për këtë çështje, cinizmi i Hahnit (nuk vjen liberalizimi së paku deri më 2020-n) qe vështirë i kapërdishëm. Natyrisht, për dikë që nuk e di se çfarë poshtërimi është të presësh për viza me një ton dokumentesh në krah, është lehtë të caktojë afate, mbase edhe atëherë kur e di se nuk e ka të sigurt rizgjedhjen apo zgjedhjen në një post tjetër në "qeverinë" evropiane në zgjedhjet që po vijnë.

Reagimet nga qeveritarët serbë që e akuzojnë Kosovën për gjithçka e që e kanë për shkas taksën, munden edhe të mos jenë brengë për humbjen e 45 milionëve tregti në muaj, sa është sikleti se Kosova mund të pavarësohet edhe nga produktet e Serbisë. Që nga ana tjetër, me ndonjë marrëveshje me ndonjë shtet mik, do të mundë të zëvendësoheshin me produkte të shteteve të tjera mbase edhe me më pak kosto.

S'ka amnisti

Nuk e përjashtoj fare mundësinë që këto vendime mund t'ia rrisin rejtingun Haradinajt, i cili tashmë duket se ka hyrë në fazën më serioze në të cilën i rrezikohet Qeveria. Fakti se dje nuk kishte kuorum as për ta votuar buxhetin shumë të kritikuar, për shkak se është tepër shpenzues dhe aspak zhvillimor, tregon se puna ka ardhur në tetik. Porse do të duheshin pranuar edhe kundërshtuesit e tij, se taksës ia zgjati jetën më shumë seç kishte bërë Thaçi kur ka qenë kryeministër dhe që megjithatë shkoi në Amerikë për të nxjerrë një premtim të prerë nga Administrata e Trumpit për punën e ushtrisë.

Kjo, nga ana tjetër, nuk e amniston fare për njëqind skandalet dhe problemet që i ka krijuar qeverisja e tij. Megjithatë problemet e Kosovës shkojnë përtej një takse dhe një ushtrie që do të marrë një dhjetëvjetësh për t'u shndërruar në diçka serioze. Dhe aktualisht problemi më i madh në skenën politike, krahas negociatave të pakokë, është tërheqja e njohjeve që në formë rapide po shumëzohet, duke e sjellë numrin e shteteve që na kanë njohur nën 100.

Në një qeveri normale, as që do të duhej diskutuar shkarkimi i ministrit të Jashtëm, që është treguar krejtësisht i padijshëm dhe i papërgjegjshëm, për shkak se kurrë nuk gjeti kohë për t'u ballafaquar me deputetët. Duke ditur që as prej këtyre deputetëve nuk mund të ketë ndonjë hair.

Në një qeveri normale nuk do të duhej vazhduar të flitej për barnat esenciale që mungojnë, ose për analfabetizmin në rritje. Nuk do të duhej diskutuar nëse grantet e bujqësisë i ndahen bashkëshortes së ministrit, apo edhe nëse Ministria e Kulturës do të duhej lëvizur në Prizren, për ndonjë arsye që veç ai që e ka propozuar e di. Në një qeveri normale do të duhej të ngrihej alarmi për ndotjen alarmante në Prishtinë me rrethinë; do të duhej ndërmarrë masa që së paku të siguroheshin maska për fëmijë, nëse për askënd tjetër, që kushtojnë 1,50 euro, e të cilat në Kaliforni, gjatë zjarreve të sivjetme, i bartnin të gjithë në kushtet kur ndotja ka qenë trefish më e vogël se në Prishtinë.

* * *

Nuk e di nëse ardhja e ambasadorit të ri amerikan do të sjellë edhe ndryshim thelbësor në atë që ndodh këtu. Deklaratat e tij të para janë shumë shpresëdhënëse për gomarët e Edi Ramës - pra që Amerika nuk e ka shtyrë idenë për këmbim territoresh; e as që do të pajtohet verbërisht me çdo ide që vjen nga pushteti në Prishtinë, e as që negociatat duhen të përmbyllen menjëherë.

Është koha e fundit që partitë ta mbërrijnë një pajtim për menaxhimin e situatës në të cilën na ka sjellë Thaçi - përderisa ai hesht, e sillet nëpër botë duke e shtyrë agjendën e tij personale, por duke e vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, ne merremi me taksa e KESCO e me ajër të ndotur. Kur të na shkojë shteti, as nuk do të merremi me këto tema, e as që do të na pyesë kush për mendime rreth temave.

E besoj të gjithë e kanë të qartë, pos partisë të cilën ai e kontrollon ende, se problemi kryesor politik në Kosovë është Thaçi dhe krejt çka paraqet karriera e tij politike. Dhe pavarësisht aktivizimit të Gjykatës Speciale, nuk duhet mbështetur shumë në probabilitetin që edhe ai së shpejti të ftohet në Hagë. Sepse, deri atëherë mund të bëjë edhe më shumë dëm seç ka bërë deri tash.

flaka@koha.net