OpEd

Luftërat e Tonit jashtë palestrës

Driton Kuka nuk ka garuar shumë kur ishte sportist, edhe pse thuhet se kishte potencial. Por e vërteta është se ai asnjëherë nuk ka ndaluar së luftuari. Bile ka luftuar fort, sidomos jashtë palestrave për të drejtat e tij dhe të sportistëve. Falë insistimit të tij, kombinuar me presionin e sukseseve të vazhdueshme të xhudistëve të tij nëpër gara të mëdha, sot sportistët gëzojnë të drejtat e tyre: marrin bursa, shpërblime për rezultate e më të vjetrit edhe pensione sportive. Sportet e sportistët po ashtu janë kategorizuar. Lufta e radhës e tij jashtë palestrës është ndërtimi i qendrës së xhudos

Driton Kuka - Toni ka një merak që ndoshta as sukseset kulmore të nxënësve të tij nuk ia shuajnë - luftërat që si xhudist nuk mundi t'i bënte. Situata e ndier në vend në vitet kur ai pritej dhe duhej të shpërthente, nuk lejoi luftërat e tij në tatami.

Pas mbarimit të luftës në Kosovë, ishte vonë për të shfaqur muskujt si xhudist mbi dyshekët verdhekuq.

Për këtë merakun, dijen dhe pasionin për xhudon i orientoi në gdhendjen e kampionëve që sot Kosova krenohet me ta.

Pjesa tjetër është histori.

Por nuk është kaq e thjeshtë. E vërteta është se Kuka asnjëherë nuk ka ndaluar së luftuari. Bile ka luftuar fort. Dhe, po aq e vërtetë është se këto luftëra që vazhdon t'i bëjë jashtë palestrave të xhudos e pengojnë në punën profesionale me xhudistë e xhudiste.

Kuka, kur është në Pejë, nis ditën me stërvitjen e mëngjesit në orën gjashtë, për ata që mësimin e fillojnë në orën tetë dhe e mbyll me stërvitjen e fundit, në tetë të mbrëmjes. E gjatë ditës duhet të gjejë kohë të merret edhe me punët që nuk i takojnë.

Të bëjë rolin e zëdhënësit, të menaxherit, të drejtorit e çka jo tjetër.

Ai mban publikun të njoftuar me gjithçka, vrapon pas sponsorëve e vizave, paraqet projektet në Ministri dhe kërkon në vazhdimësi të drejtat që u takojnë sportistëve të tij elitarë, e me këtë edhe ndonjë tjetri nëse gjendet diku. Presioni ndaj pushtetit dhe strukturave të tij për të mbajtur premtimet po ashtu është "punë e tij" dhe ai këtë presion e kombinon edhe me rezultate e medalje të vazhdueshme nga evropianët, botërore e Lojërat Olimpike.

Është epike lufta e tij me pushtetin, pak e rëndë të thuhet kështu, por e tillë ishte ajo për rregullimin e infrastrukturës ligjore për shpërblimin e sportistëve me rezultate në arenën ndërkombëtare. Atij iu deshën vite që të bindë pushtetin të bëjë atë që e ka detyrë, të shpërblejë sportistët për rezultatet dhe t'u ofrojë kushte minimale për stërvitje. U desh të paraqesë edhe ofertat që kishte nga shtetet e tjera për të vazhduar punën, ai dhe kampionia olimpike, botërore e evropiane, Majlinda Kelmendi. Nuk është e lehtë për dikë që ka dhënë aq shumë për sportin e vendit "të kërcënojë" se do të braktisë atë. Por ai është i pakompromis në atë që vlerëson se është e drejtë.

Dhe, lufta e tij ishte e drejtë. Sot sportistët elitarë, ata me suksese ndërkombëtare, shpërblehen për rezultatet që i arrijnë në gara të mëdha, si evropiane, botërore e olimpiada. Shpërblehen edhe ata që në të shkuarën e largët kanë arritur rezultate, si sportistë apo trajnerë, duke marrë më shumë se pension që shkon në 500 euro e më tepër. Kjo formë e përkrahjes për ta është e përhershme.

Është falë Tonit dhe sukseseve të tij.

Ai kishte edhe arsye të kërkonte shpërblimet, pasi rezultatet i kishte mburojë. Me insistimin e tij, kombinuar me rezultatet e mëdha të sportistëve të tij, është bërë edhe rregullimi i ndarjes së bursave për shpresat olimpike. Është bërë edhe kategorizimi i sporteve dhe trajnerëve, që natyrshëm xhudon e ka nxjerrë si sportin, kurse atë si trajnerin më të suksesshëm.

Falë këtyre rregulloreve, sot secila federatë dhe secili sportist e trajner e di ku e ka vendin dhe në bazë të kësaj merr edhe subvencionin nga buxheti i shtetit.

Toni, por edhe federata që i takon, ka kohë që kanë marrë një iniciativë për masivizimin e xhudos në Kosovë. Federata ka ofruar përkrahje profesionale dhe në pajisje për këdo që merr iniciativë për të themeluar klub të xhudos.

Ndërkohë vatër e xhudos mbetet Peja, e sidomos lagjja e njohur si "Asllan Çeshme", ku Toni ka bazën dhe palestrën e tij private.

Gati të gjithë xhudistët elitarë vijnë nga kjo lagje. Dhe masivizimit të natyrshëm pas sukseseve të shumta në botë, palestra e ngritur në pronë familjare është e vogël për t'i bërë ballë. Mbi të gjitha, nuk është reprezentative për "të strehuar" kampionë olimpikë, botërorë e evropianë.

Për këtë, Toni si luftë të radhës jashtë arenës kishte marrë iniciativën për ndërtimin e një qendre të xhudos në Pejë. Ideja e tij u përkrah fuqishëm nga suksesi i Majlindës në "Rio 2016", kur fitoi medaljen e artë olimpike, të parën dhe të vetmen për Kosovën.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau rreth 1.5 milionë euro, kurse Komuna e Pejës ndau truallin në qendër të qytetit. U bë projekti dhe u shpall edhe fituesi i tenderit. Por, gati dy vjet pas kësaj pune nuk është hedhur as guri themeltar. Për më tepër, nuk ka as shenja se do të hidhet.

Majlinda me shokë e shoqe dhe 400-500 të rinj sa janë aktivë sot, e meritojnë një qendër të tillë reprezentative, kurse Toni, si një prej trajnerëve më të çmuar në botë, meriton të merret vetëm me xhudo.