OpEd

Daullexhinjtë kakofonikë

Nuk do të mjaftonte një libër për t'i numëruar të gjitha gabimet politike të Thaçit. Po të kishte fije sinqeriteti në vete, do të pranonte se Kosova e jonë sot është larg Kosovës së ëndërruar në luftë -- e një shteti me mirëqenie e stabilitet. Është Kosova e sëmurë, para kolapsit, në masë të madhe për shkak të "gabimeve të tij nga të cilat ka mësuar", e nga të cilat Kosova ka pësuar

Duket se asnjëherë më parë nuk kemi pësuar një fiasko më të madhe diplomatike se kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Si shtet joanëtar i organizatës, delegacioni i shtetit tonë nuk mund të marrë pjesë në punimet e Asamblesë, për më tepër, as që mund të hyjë në sallën plenare të saj. E megjithatë, kjo nuk e ndali Kosovën që ta dërgonte një delegacion prej nja 30 anëtarësh që të sorollateshin nëpër korridore e të takoheshin nëpër skutat e kafiteritë e selisë së OKB-së.

Se çka bënë ata 30 e kusur veta atje, nuk do ta marrim vesh kurrë, për shkak se secili, me t'u kthyer prej atje, do të na tregojë se ka pasur takime shumë të suksesshme dhe se krejt vëmendja e botës është drejtuar nga Kosova. Asnjëri nuk do t'i numërojë emrat e personave të rangut të lartë me të cilët do të jetë takuar, pos Pacollit, i cili do t'i shënojë që të gjitha në Twitter, pavarësisht se ato do të demantohen një nga një po në këtë rrjet social.

Kësaj radhe më shumë se kush tjetër, gazi i botës dhe objekt talljesh u bë ministri i Jashtëm. Pos një marrëveshjeje që kishte lidhur me Tajlandën, që bartësit e pasaportave diplomatike të liroheshin nga vizat, nuk dëgjuam të ketë bërë tjetër gjë pos të jepte një sërë deklaratash që dëshmojnë se Kosova ka njeriun tepër të gabuar në krye të diplomacisë, pikërisht në kohën kur imazhi i Kosovës ka rënë përtokë.

Pra posti i blerë me shitjen e votave pas daljes nga një koalicion për të hyrë në tjetrin, tregon se sa e keqe është kjo Qeveri -- pa fije integriteti dhe e interesuar vetëm për akomodimin e qejfeve partiake në krah të buxhetit të Kosovës.

Si të ishte në trans

Po aq i keq është edhe kryetari i shtetit -- i cili beson se është shndërruar në pronarin e Kosovës dhe se mund të manipulojë me të ashtu siç ia ka ënda. Dhe në fakt ka shumë arsye të besojë se është ashtu, ngase në 10 vjetët e fundit nuk pati kush t'ia ndalte turrin.

Dje u kthye nga Amerika dhe e mbajti urgjentisht një konferencë për shtyp, duke e vazhduar rrëfimin për "zgjidhjen urgjente, përfundimtare dhe të qëndrueshme me Serbinë", që tash e quan "demarkacion".

Aty tha që zyrtarëve të huaj (nuk e dimë kujt) ua kishte përcjellë kërkesën e Luginës për bashkim me Kosovën. Nuk tha nëse ia kishin përkrahur idenë, porse tha se "Amerikanët po i dhânë mbështetje" procesit negociator me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian..., dhe më pas i përsëriti ato shtatë fjali që i ka mbajtur në mend, për integrime euroatlantike e këso gjërash.

I tha edhe dy gjëra. E para, se "nëse ne si politikë dhe institucione të Kosovës nuk do jemi të bashkuar për këtë temë për liberalizmin e vizave dhe të argumentojmë plotësimin e të gjitha kritereve do rrezikojmë të gjithë procesin që të shtyhet për vitin 2020". Thuajse prej argumentimit verbal të zyrtarëve politikë varet liberalizimi. Mbase do të duhej t'i pyeste organet e drejtësisë se sa raste të "shenjëzuara të profilit të lartë" kanë përfunduar me aktgjykime dënuese dhe me konfiskim pasurie. Mbase kur shtetet anëtare të kuptojnë që kjo ka ndodhur në një apo asnjë rast, do të vendosin të na e mohojnë lëvizjen e lirë, të cilën Thaçi e premtoi se do të ndodhte para 8 vjetësh. Pra, mund të kërkojë që institucionet të flasin njëzëri për këtë punë, ama arsyeja se pse nuk i kemi plotësuar kushtet më herët i ka më së shumti ai. Për shkak se gjatë qeverisjes së tij çështja e demarkacionit me Malin e Zi kishte hyrë si kusht për liberalizim me kërkesën e Kosovës. Kaq sa për me ia përmend një gabim.

Çështja tjetër për të cilën foli qe puna e insistimit të tij që të vazhdojë të jetë në krye të negociatave, edhe në kushtet kur ambasadori amerikan në ikje, Delawie, e thotë publikisht (e ky qëndrim do t'i jetë raportuar Washingtonit) se "procesit të dialogut i mungon legjitimiteti demokratik". Me fjalë të tjera, ndodh uzurpimi i autorizimeve që i takojnë Kuvendit dhe Qeverisë. Pra, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Thaçi i mohoi zërat se veprimet e tij të fundit po i bënte për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale. Shtoi se nuk kishte frikë dhe se askush nuk mund ta mohonte luftën e pastër të UÇK-së (të kujtojmë se Specialja nuk merret me UÇK-në, por me individë). Dhe fare në fund, e pranoi se "gjatë vitesh në pozita udhëheqëse ka bërë edhe gabime, porse nga ato ka mësuar shumë".

Fatkeqësia e gabimeve të Thaçit është se përderisa ai ka mësuar nga to, Kosova ka pësuar nga to. Dhe edhe pëson dhe ende ngec për shkak të "aftësive" të tij negociuese dhe për shkak të faktit se është i shantazhueshëm, e për pasojë, edhe lëshon pe për ta shpëtuar lëkurën e tij.

Nuk do të mjaftonte një libër për t'i numëruar të gjitha gabimet politike që i ka bërë dhe i bën. Porse po të kishte fije sinqeriteti në vete, do të pranonte se Kosova e jonë sot është larg Kosovës së ëndërruar në luftë -- e një shteti me mirëqenie e stabilitet. Kjo sot është Kosova e fundosur, e pazhvilluar, e paperspektivë, ku duket se asnjë segment nuk mund të quhet i shëndoshë. Është Kosovë e sëmurë, para kolapsit, në masë të madhe për shkak të "gabimeve të tij nga të cilat ka mësuar".

Kapja për fije kashte

E atë që e ka mësuar mirë është t'i shantazhojë të gjithë ata që falë manipulimeve të tij bëhen me pushtet. E njëri nga ta është Ramush Haradinaj. Ky i fundit është peng i vullnetit të Thaçit që mund t'ia rrëzojë Qeverinë kur të dojë: ende i ka njerëzit e vet në parti që po deshi ky e votojnë mocionin e votëbesimit. Prandaj, edhe vështirë është t'i besohet kundërshtimit që ia bën Thaçit për punën e kufijve. Nuk do të ishte hera e parë që ndërron qëndrim, për interes të vetin.

E Haradinaj, pasi e bëri buxhetin rrush e kumbulla, tash iu ka rrekur një pune tjetër madhore që ngjall sentimentin popullor: krijimin e ushtrisë së Kosovës. Pa prit e pa kujtu, para disa javësh dolën projektligjet për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, por në të cilat mungon edhe elementi i implikimeve financiare që nënkupton edhe armatimin e një force ushtarake. Ato ligje nuk parashohin nëse ushtria do të ketë tanke, helikopterë, avionë, artileri..., dhe, çka është me rëndësi, nuk e kanë marrë përkrahjen e NATO-s, e cila insiston se ushtria duhet të themelohet me Kushtetutë.

Në mungesë të aktiviteteve që do ta nxisnin zhvillimin ekonomik, që do të nisnin ndryshimin në arsim e shëndetësi a bujqësi, Haradinaj tash është lidhur për punën e ushtrisë, thuajse nga kjo po na varet jeta momentalisht. Në një shtet ku rrogat e administratës publike dhe pagesat e subvencioneve për këso e aso pensionesh e marrin gjysmën e buxhetit, krijimi i ushtrisë, me kushtet e njëjta çfarë momentalisht i ka FSK-ja, nuk ka ama bash kurrfarë kuptimi. E veçanërisht jo, nëse nuk është siguruar ndonjë përkrahje materiale nga ndonjë shtet i madh perëndimor që do të mundë të na falte ose shiste mjete e armatim për pak para.

Kapja për ushtrinë është sikur kapja për një fije kashte - në përpjekje për të lënë një gjurmë pozitive në qeverisjen absolutisht më të keqe që e ka pasur Kosova që nga çlirimi. Për shkak se krejt të tjerat që kanë ndodhur në këtë vit qeverisjeje do të mundë të shërbenin si mësim se si nuk duhet udhëhequr një shtet.

Thuajse që nga dita kur është formuar kjo Qeveri, është përsëritur se kjo duhet të bjerë - e tash më shumë se kurrë, meqë nuk ka numra as për të siguruar kuorumin në Kuvend. Mbase opozita do të gjejë mënyrën për t'i siguruar numrat për ta rrëzuar që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Në të kundërtën, do të vazhdojë agonia që do të mundë të na sillte pasoja edhe më të rënda.

* * *

Paraprakisht, ky Kuvend duhet ta ndalë Thaçin, e duhet ta ndalë edhe Gjykatën Kushtetuese nga edhe një gabim eventual me ndonjë interpretim të çoroditur që mund t'ia bëjë pyetjes së shtruar nga Thaçi në përpjekje për ta shmangur Kuvendin për ndonjë marrëveshje ndërkombëtare.

I pari në këtë përpjekje u paraqit Korab Sejdiu, i cili ia nisi qëndrimin dhe shpjegimin e tij Kushtetueses -- duke e hedhur poshtë pretendimin e Thaçit. Kështu do të duhej të bënin edhe deputetët (apo grupet parlamentare) e tjerë, sa për t'i treguar Thaçit se letërkëmbimet të cilat i citon burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare të votuara në Kuvend. E në fund, do t'u mbetet në ndërgjegje anëtarëve të Kushtetueses ta gjejnë formulimin e duhur për ta shmangur precedentin që e shuan sistemin parlamentar të përcaktuar me Kushtetutë.

Nga ana tjetër, shumë nga gjërat që do të pasojnë në ditët në vijim do të varen nga protesta që do të mbahet sot. Shumë do të varet nga numri i njerëzve që do të dalin të tregojnë mospajtimin e tyre me rrëmbimin e pushtetit nga Thaçi, dhe edhe më e rëndësishme do të jetë nëse aty do të mblidhen njerëzit pavarësisht orientimeve politike. E sot, sikurse para 20 vjetësh, opozitarët kanë nevojë të bashkohen dhe të gjejnë një konsensus të ndërsjellë nëse e kanë përnjëmend se duan që Kosova të dalë nga hendeku.

Përderisa në Kosovë të ketë shumë daullexhinj, ku secili i mëshon me të veten, nuk do të mbërrijnë asgjë më tepër sesa një kakofoni kaotike dhe pa ritëm, e cila, në përpjekje për t'i ikur, vetëm mund të na kthejë në teh të humnerës, së cilës besuam që i kishim ikur pothuajse para 20 vjetësh.

flaka@koha.net