OpEd

Si arusha në dimër

E nëse as përpjekja për shkatërrimin përfundimtar të Kushtetutës, sipas së cilës Kosova është shtet parlamentar e jo monarki, nuk është arsye e mjaftueshme për protestë, atëherë kjo nuk ka asnjë domethënie tjetër pos që LDK-ja edhe për të tretën herë bëhet patericë e Thaçit

Kur në vjeshtën e 1997-s studentëve u ishte mbushur kupa, deshën që nëpërmjet protestës të shprehnin pakënaqësinë e tyre me atë që po ndodhte në Kosovë, e në veçanti me arsimin. Më 1 shtator 1996 qe nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Millosheviqit dhe Rugovës, me ndërmjetësimin e Vincenco Paglias nga Komuniteti Sant Egidio, për normalizimin e arsimit në Kosovë. Pas ndërhyrjes së shtetit serb në arsimin shqip më 1990; mbylljes së shkollave dhe përjashtimin e stafit akademik, shqiptarët organizuan mësimin nëpër shtëpi private, përderisa krejt objektet shkollore mbetën në dispozicion të minoritetit serb, që as çerekun e shkollave nuk mund ta mbushte me nxënës.

Sidoqoftë, ashtu edhe siç mund të pritej, ajo marrëveshje nuk zbatohej se nuk zbatohej për pikë të qejfit të Beogradit dhe vetëm me ndonjë lëvizje, siç ishte lirimi i Institutit Albanologjik, krijohej përshtypja se gjërat po lëviznin para.

Studentët u lodhën dhe menduan se forma e vetme për t’i treguar botës se diskriminimi po vazhdonte dhe se nuk do të ndryshonte vetvetiu ishte të mblidheshin krejt sa ishin për të protestuar. E kishin menduar se nga “Velania”, ku gjendej Rektorati “në ekzil”, të shkonin deri te Rektorati përnjëmend, dhe kështu, jo vetëm simbolikisht, të ktheheshin në objektet e veta.

Kërkuan përkrahjen politike nga kryetari i atëhershëm i LDK-së, Ibrahim Rugova.

Ky iu tha se nuk ishte kohë e protestave dhe se duhej pritur zbatimin e marrëveshjes.

Studentët nuk e dëgjuan.

Më 1 tetor 1997 protestuan. Hëngrën dajak. Përpinë shumë gaz lotsjellës. U krijua një kaos i paparë nga dhuna policore, porse xhirimet e ngjarjeve qarkulluan nëpër tërë botën. Fitues moralë gjithsesi dolën studentët. Humbës, ata që thanë se nuk ishin kohë për protesta.

Pallavrat institucionaliste

Ky qe kujtimi i parë që ma përshkoi mendjen posa e lexova deklaratën e LDK-së se nuk është kohë protestash dhe se kriza të cilën po e jetojmë do të tejkalohet me zgjedhje të parakohshme. Kjo përgjigje erdhi pas thirrjes publike që e bëri VV-ja për organizimin e një proteste, organizatorët shpresojnë, masive kundër të bëmave të Thaçit dhe rrezikut në të cilin është duke e futur Kosovën.

Në çastin kur të gjithë janë të vetëdijshëm se numrat në Kuvend e pamundësojnë një mocion votëbesimi të Qeverisë, sepse ose duhen votat e minoriteteve, përfshirë edhe Lista Srpskan, ose duhet që dikush nga partitë në pushtet të votojë për rrëzimin e vetvetes, me kusht që e gjithë opozita të bashkohet. E siç qëndrojnë punët tash, dhe nëse duhet mbështetur në hulumtimin e para një kohe të KDI-së, atëherë del se zgjedhjet më së paku iu konvenojnë PSD-së dhe NISMA-s, për të cilat thuhet se kanë shanse të vogla për ta kaluar pragun (gjithnjë sipas KDI-së).

Pra, në mungesë të numrave, çfarë mocioni do të iniciojnë duke rrezikuar që ai të mos kalojë dhe që t’i zgjatet jeta edhe gjashtë muaj kësaj Qeverie katastrofike, e që ndërkohë të mos ndërmerret asnjë hap i vetëm për ta ndalur Thaçin në fizkulturat e veta.

Të thuash se nuk është koha për protesta, kur shtetin e ka rrëmbyer një njeri i vetëm me idetë e tij halucinacionante, që nuk ia merr vesh kush se pse dhe si i shpik; kur ke një krizë enorme me veteranët e rrejshëm dhe me manipulimet e drejtësisë që i bën vetë Prokuroria e Shtetit, e cila më së paku duket të jetë e interesuar për zbatimin e ligjit; kur e ke një qeveri pesëqindanëtarëshe që fal borxhe e paguan penale që askush nuk di si i kalkulon, plus që heq dorë nga negociatat për shkak “se ka punë më të rëndësishme për të bërë”. Edhe çka duhet të ndodhë në Kosovë që opozita të bëhet bashkë, pavarësisht dallimeve ideologjike, për ta ndalur të keqen.

E keqja nuk ndalet me konferenca për shtyp – këtë tashmë na e ka dëshmuar e kaluara jo e largët. Nuk ndalet as me sjellje primadonash të ofenduara – kur ka një rrezik të madh që kanoset, duhen harruar finesat dhe pallavrat institucionaliste. Sepse pikërisht “institucionalizmi” i LDK-së e bëri Thaçin kryetar. Dhe nuk praj së pyeturi: a ju bren ndërgjegjja juve që e keni votuar? A ndiheni fajtorë për këtë që po na ndodh në emër të “institucionalizmit” tuaj të kotë?

Po të kishit qenë vërtet institucionalistë, kurrë nuk do ta kishit votuar Thaçin kryetar, ngase ashtu e kishin ruajtur vërtet institucionin e kryetarit si simbol të unitetit. E meqenëse e keni bërë të kundërtën, tash e keni kohën për t’i larë gjynahet, që nënkuptojnë edhe dy koalicionet me PDK-në, duke e marrë bajrakun e opozitarizmit, nëse bash kjo po ju intereson, e jo që gjërat të ndryshojnë për të mirë.

Kush do t’i bëjë bashkë?

Pos problemit “ariu në gjumë të dimrit” (LDK), problemi tjetër te opozita është ndarja e thellë ndërmjet atyre që dikur ishin një: VV-ja dhe PSD-ja. Do t’i keni arsyet e veta se përse janë të hidhëruar me njëri-tjetrin, porse situata në të cilën gjendemi do të duhej të shërbente si motiv për t’u bashkuar për qëllimin e ndaljes së Thaçit, i cili përderisa të gjithë janë të hutuar dhe flasin për ide institucionaliste, është duke e përpunuar tash edhe Gjykatën Kushtetuese për ta eliminuar Kuvendin nga rendi i ditës.

Kur Millosheviqi tashmë ua kishte mbushur kupën serbëve, opozita u bë një – e bashkuar dhe luftoi për ta marrë pushtetin. Serbët u ngopën me liderin serb që e kishte privatizuar pushtetin. I kishte futur në katër luftëra. Ishte pasuruar dhe e kishte krijuar një kastë pasanikësh të rinj me prejardhje mafioze dhe kriminale. E kishte sjellë shtetin e tij buzë greminës, duke ia shkatërruar ekonominë deri në palcë.

Opozita erdhi në pushtet dhe kasapin e Ballkanit e dorëzoi në Hagë.

E situata te ne dallon vetëm për nga katër luftërat që Kosova nuk i ka luftuar. Krejt të tjerat janë identike: privatizimi i pushtetit; pasurimi personal dhe i një grumbulli njerëzish me prejardhje mafioze e kriminale me shtetin në buzë të greminës, sepse ky shtet nuk di se çfarë është ekonomia, e lëre më zhvillimi ekonomik.

Po të bëhej bashkë opozita, atëherë presioni publik ndaj Thaçit do të ishte shumë më i madh dhe do t’i jepte më pak hapësirë për ofendimet e vazhdueshme që ia bën inteligjencës sonë duke na thënë “s’ka këmbim, s’ka ndryshim, ka korrigjim, ka Luginë, ka krejt”, por nuk na thotë se në fund s’do të ketë asnjë send...

Shumë do të ishte mirë që në mesin e opozitës që gjendeshin tre a katër veta që do të shërbenin si një trup koordinues – s’ka nevojë me qenë bajraktarë. Mjafton me qenë me ndikim aq sa për ta bashkuar opozitën me një front.

O, hapini sytë bre!

Fronti do të duhej ta ndalte Thaçin dhe mandej eventualisht ta rrëzonte edhe Haradinajn me gjithë Qeverinë e vet të shtrenjtë. E mbase edhe do të duhej të paraqitej me listë të përbashkët në zgjedhjet e radhës (nëse mocioni funksionon) ashtu që të sigurohet një shumicë solide që mund ta udhëheqë shtetin para. Dhe kjo shumicë do të mundë të zgjidhte për herë të parë në këtë vend një Qeveri teknokratësh e jo simpatish partiake që detyrën e vetme që e kanë është të bëhen edhe më cinikë sesa shefat e tyre.

Nëse opozita ende nuk e ka vërejtur, ky shtet nuk ka asnjë perspektivë që të bëhet shtet përnjëmend, sepse pos që udhëhiqet nga një strukturë njerëzish injorantë dhe destruktivë, është edhe shtet i cili sundimin e ligjit e ka prioritetin e fundit në ranglistë.

Rishtazi, Policia e Kosovës i ka arrestuar, e gjyqi i mban në mbajtje gjashtë veta që kanë vjedhur 400 litra benzinë nga punishtja e “Bechtel Enkas”. 400 litra benzinë e kanë vlerën 480 euro – dhe këta njerëz do t’i hanë nja dy a tre vjet burg; nuk do ta mbajnë paraburgimin në arrest shtëpiak, e as që do të dënohen me kusht. Ama një zyrtar i lartë policor i akuzuar për marrje ryshfeti 100 mijë eurosh për “zhdukjen” e një rasti lirohet nga akuza për shkak se prokuroria thuajse qëllimshëm e ka përpiluar një aktakuzë që mund ta rrëzojë kushdo, pa pasur nevojë të ketë përgatitje profesionale juridike.

Po e njëjta prokurori e ka bërë qëllimisht lëmsh rastin e “Veteranëve të rrejshëm” duke shtuar edhe dy mijë emra në listë, e duke hequr disa nga “peshqit e mëdhenj” komandues, vetëm për ta diskredituar Blakajn dhe për ta ndezur pakënaqësinë te veteranët përnjëmend. Flitet për vjedhjen e milionave të buxhetit nëpërmjet mashtrimit, të cilin e kanë miratuar anëtarët e Komisionit shtetëror – por mbase vlera do të duhej të ishte nja 500 euro, e ndoshta kjo prokurori do të merrej seriozisht me këtë lëndë.

* * *

LDK, nëse ende nuk e keni kuptuar, kjo që po na ndodh sot është pasojë e drejtpërdrejtë e sundimit dhjetëvjeçar të Thaçit dhe PDK-së. Institucionalizimi i krimit dhe përvetësimi i pushtetit absolut, që nënkupton kontrollin mbi Policinë, Prokurorinë dhe gjykatat – është ajo për çka veçohet ky njeri, i cili nuk ka mundur të arrinte aq larg po të mos ishte LDK-ja, e cila më 2007 e më pas edhe më 2013 ia zgjati jetën. Për më keq, i dha pushtet aq sa tash mendon se është mbreti i Kosovës. Aq sa mendon që nëpërmjet Kushtetueses, që tashmë një herë ia ka ofruar pushtetin me një interpretim që do të hyjë në analet e absurdes juridike, do të mundë ta eliminonte Kuvendin dhe që ky më mos të ketë fuqi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me dy të tretat e votave.

E nëse as kjo përpjekje për shkatërrimin përfundimtar të Kushtetutës, sipas së cilës Kosova është shtet parlamentar e jo monarki, nuk është arsye e mjaftueshme për protestë, atëherë kjo nuk ka asnjë domethënie tjetër pos që LDK-ja edhe për të tretën herë bëhet patericë e Thaçit.

Partia e cila lavdërohet se është më e madhja, më e fuqishmja dhe më e vjetra, nuk po del të jetë asgjë më shumë se një grumbull oportunistësh politikë (me disa përjashtime) që ende beson në përrallën e institucionalizmit, në Kosovën ku institucionet qëmoti kanë pësuar vdekje klinike.

flaka@koha.net