Kompromisi i rrezikshëm me ligjin

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 09 shtator 2018 08:00

Kryeinspektori konsideron se nuk është mirë të ndëshkohen me gjoba të mëdha kompanitë e papërgjegjshme, që përfitojnë nga fuqia e lirë punëtore të cilën më pas e hedhin në rrugë si leckë. Ai mendon t’i vetëdijesojë ato “me letra”. Kryeinspektori po “harron” se në Kosovë me letra çdo gjë është në rregull

“Sipas Ligjit për shëndetin dhe sigurinë në punë gjoba për një shkelje mundet me shku deri në 35 mijë euro. Me Ligjin për shëndetin dhe sigurinë në punë për një shkelje parashihet gjoba deri në 10 mijë euro. Nëse ne shkojmë me gjobat maksimale, ose me gjobat që kërkojnë ashpërsimin e masave, kompanitë do të kishin vështirësi financiare. I kemi 95 për qind të kompanive buzë rënies dhe qëndrimit në treg, dhe nëse ne i shqiptojmë këto gjoba, atë biznes ne e mbyllim. Dhe çka po bëjmë, a po e mbrojmë punëtorin? Të gjithë ata punëtorë ne kemi me i largu prej punës, dhe kanë me u bë raste sociale. Qëllimi i Inspektoratit të Punës është ngritja e vetëdijes dhe përmirësimi i situatës në terren. Jo me e dëmtu askënd, por duke e mbrojtur punëtorin”.

Nëse mendoni që këtë deklaratë e ka dhënë shefi i ndonjë shoqate për mbrojtjen e bizneseve apo i ndonjë ode ekonomike, gaboheni. Ky është deklarimi zyrtar i kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, gjatë intervistimit rreth temës që e trajton gazeta në këtë numër: mungesa e sigurisë në punë dhe shkeljet e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

Trembëdhjetë njerëz kanë vdekur në vendin e punës gjatë tetë muajve të këtij viti në Kosovë. Qindra të tjerë kanë pësuar lëndime. Por këto shifra duket se nuk e shqetësojnë fort kryeinspektorin, i cili ka tetë vjet që udhëheq me institucionin që e ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Ligjit të punës dhe Ligjit për shëndetin dhe sigurinë në punë. Ai vazhdon t’ua bëjë avokatin bizneseve. Thotë se “nuk duhet me ia lënë barrën vetëm punëdhënësit”, për rastet e vdekjeve të punëtorëve dhe se aksidentet po ndodhin pasi që “edhe punëtorët nuk janë mjaft të koncentruar në vendin e tyre të punës”.

Sigurisht se ka raste të lëndimeve apo vdekjeve në punë që ndodhin edhe si pasojë e pakujdesisë së punëtorit, sepse ne shqiptarët jemi të njohur për shpërfillje të rrezikut. Por është punëdhënësi ai që duhet të detyrojë punëtorin që t’i respektojë strikt rregullat në një vend pune ku rreziku është permanent. Së pari duhet t’i ofrojë trajnime profesionale për punën që do ta kryejë, t’ia sigurojë mjetet adekuate të punës dhe ta mbikëqyrë vazhdimisht nëpërmjet eprorëve.

Aksidentet më të shpeshta po raportohen nga sektori i ndërtimtarisë, aty ku edhe informaliteti është më i lartë. Me shkallën e papunësisë rreth 40 për qind, punëtorë të pakualifikuar pranojnë të punojnë qoftë edhe pa kontratë për një pagë minimale. Kjo është shtresë punëtorësh që u mungon arsimimi dhe nuk kanë njohuri as për të drejtat e tyre në punë. Fakti se përqindje e lartë e punëtorëve në këtë sektor punojnë pa kontrata pune nuk u jep atyre as të drejta ligjore. Ndodh që punëdhënësi nuk ua paguan pagat me nga tre-katër muaj, ata detyrohen ta lënë punën dhe ato paga nuk i marrin kurrë. S’kanë si ta ndjekin punëdhënësin në gjyq, sepse nuk kanë dëshmi se kanë punuar për të. Njësoj ndodh edhe me rastet kur lëndohen në vendin e punës, apo kur përfundojnë jetën tragjikisht. Kompanitë zakonisht përpiqen t’i mbajnë fshehtë këto vdekje, sepse kujdesen për imazhin e tyre publik dhe nuk duan të marrin përgjegjësi. Familjarët heshtin, sepse e dinë që familjari i tyre ka punuar “në të zezën” dhe nuk mund të kërkojnë as dëmshpërblim.

Problemi është po aq i shprehur edhe në veprimtaritë e tjera, ku punëtorët angazhohen në punë pa kontrata. Lëre që nuk i gëzojnë të drejtat themelore të punës, që e përfshijnë edhe mbledhjen e kursimeve pensionale, porse edhe në formë indirekte e dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit, i cili nuk mund t'i arkëtojë tatimet nga puna e tyre, e cila nuk evidencohet kund.

Kurse kryeinspektori konsideron se nuk është mirë të ndëshkohen me gjoba të mëdha kompani të tilla të papërgjegjshme, që përfitojnë nga fuqia e lirë punëtore të cilën më pas e hedhin në rrugë si leckë. Ai mendon t’i vetëdijesojë ato “me letra”. Kryeinspektori po “harron” se në Kosovë me letra çdo gjë është në rregull. As auditimet nuk po arrijnë t’i zbulojnë hajnitë nëpër institucione, sepse zyrtarët tashmë e kanë perfeksionuar mbulimin me letra.

Bizneset mund t’u ofrojnë letra me kilogramë inspektorëve kur u shkojnë për inspektim. Por në letra inspektorët nuk do të mundë ta shohin realitetin e funksionimit të një kompanie. Nëse duan ta vërtetojnë saktë zbatimin e Ligjit të punës, inspektorët duhet të vizitojnë vendpunishtet dhe kompanitë e tjera, dhe të shohin numrin real të punëtorëve dhe kushtet në të cilat punojnë. Sepse të rrallë janë punëtorët që do të shkojnë t’i paraqesin parregullsitë në procesin e punës dhe që njëkohësisht rrezikojnë të mbesin pa punë, duke qenë të vetëdijshëm për këtë situatë krize për çfarëdo vendi pune që mbretëron aktualisht në Kosovë.

Apo ndoshta inspektorët e Ibrahimit “nuk duan” ta shohin, ose më shumë u përshtatet që t’ia mbyllin njërin sy realitetit.

Përderisa në kompanitë që nuk u dorëzohen presioneve të pushtetit kërkojnë nga punëdhënësi dokumente që dëshmojnë se po i përfillin ligjet e punës në detaje, në kompanitë interesat e të cilave ndërlidhen me interesat e pushtetarëve “nuk e shohin” as elefantin në dhomë. Lëshojnë pe edhe në shkeljet elementare të Ligjit të punës, siç janë: mungesa e kontratave për punëtorët, mosrespektimi i së drejtës për pushime javore, vjetore e mjekësore, mosdhënia e pagave me rregull etj. Prandaj, nuk mungojnë edhe akuzat për korrupsion ndaj inspektorëve.

Ligji i punës dhe ai i shëndetit dhe sigurisë në punë janë përpiluar sipas standardeve evropiane. Sipas të njëjtave standarde, ato edhe duhet të zbatohen në praktikë. Shteti nuk guxon ta lërë zbatimin e ligjit në vullnetin e kompanive, sepse të rrallë janë ata punëdhënës që kujdesen për sigurinë dhe shëndetin e punëtorit nga ndërgjegjja dhe humaniteti. Sikur të mos u rrinin mbi krye gjobat ndëshkuese për moszbatimin e rregullave të punës, edhe në shtetet perëndimore do të mbretëronte kaos në sektorin privat sikurse është ky në Kosovë.

Punëdhënësit mund të vlerësojnë se sigurimi i shëndetit dhe mbrojtja e punëtorit u shkakton shpenzime shtesë dhe ua dëmton buxhetin. Por ata duhet ta kuptojnë se mbrojtja në punë është edhe investim, sepse punëtori i shëndoshë dhe i kënaqur me kushtet e punës është më produktiv.

Siguria dhe mbrojtja në punë ndikojnë edhe në përmirësimin e produktivitetit dhe progresit ekonomik të çdo shteti. Prandaj, shteti duhet të jetë i vendosur që t’i promovojë dhe t'i mbrojë të drejtat e punëtorëve, dhe të kujdeset për ndërtimin e kulturës së veprimit parandalues të tragjedive në vendin e punës.

Këto të drejta nuk mund të promovohen me qasjen si kjo e kryeinspektorit, i cili duke favorizuar kulturën e mosndëshkimit të bizneseve po mendon se mund ta ringjallë ekonominë e “vdekur” të Kosovës.

Të vetmen gjë që mund ta promovojë me këtë qasje është rritja e numrit të të vdekurve në vendet e tyre të punës dhe forcimin e informalitetit, që çon në pasurimin e të fortëve dhe në mjerimin e të pafuqishmëve që vuajnë për mbrojtjen nga shteti.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti