Pavarësisht rritjes së vazhdueshme ekonomike që ka shënuar përgjatë viteve, e edhe tejkalimit të normës së shteteve fqinje, Kosovës i mbetet rrugë e gjatë drejt arritjes së një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, rrjedhimisht krijimit të vendeve të reja të punës. Rritja si e tillë ka pasur si burim kryesor konsumin e lartë të brendshëm të nxitur kryesisht nga niveli i lartë i dërgesave nga mërgata.
Derisa janë inkurajuese reformat e vazhdueshme në mjedisin e të bërit biznes, të reflektuara pozitivisht edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, e cila publikon çdo vit Raportin e Lehtësisë së të Bërit Biznes dhe “The Heritage Foundation” që publikon indeksin global të lirisë ekonomike, Kosova vazhdon të perceptohet jo mirë nga investitorët potencialë, qoftë për shkak të paragjykimeve të cilat lidhen me imazhet e konfliktit të dy dekadave më parë, mungesës së stabilitetit politik, por edhe për shkak të mungesës së informatave, si rezultat i punës jo të kënaqshme në promovimin e mundësive për investime para investitorëve të huaj. Rrjedhimisht, Kosova në vazhdimësi është karakterizuar me fluks të ulët të investimeve të jashtme, madje në dhjetë vjetët e fundit me fluks më të ulët se vetëm disa muaj para shpalljes së pavarësisë.
Vendi, megjithatë, zë vend edhe në dokumente që e pasqyrojnë atë me tone negative, siç janë raportet që matin ekonominë joformale dhe perceptimin mbi korrupsionin. Dokumentet e tilla zbehin gjithashtu prospektet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa një realitet i tillë bën që sektori privat në Kosovë të ballafaqohet me vështirësi të shumta, në një terren i cili nuk është i barabartë për të gjithë, dhe i cili nuk ofron trajtim dhe qasje të njëjtë për të gjithë lojtarët në të.
1. Mbi dialogun
Nuk ka dyshim, se të arriturat e cekura më sipër janë rezultat i një interaksioni më aktiv ndërmjet sektorit privat dhe atij publik përgjatë viteve të fundit. Po ashtu, është i rëndësishëm presioni i vazhdueshëm i aktorëve të sektorit privat dhe organizatave të shoqërisë civile mbi institucionet lidhur me nevojën e përpjekjeve më serioze për luftimin e korrupsionit dhe ekonomisë joformale. Arritjet e Kosovës në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm afarist, janë dëshmi e mirë se dialogu nuk ka alternativë, në fakt është një detyrim që rëndon mbi sektorin publik, si dhe një mundësi që duhet shfrytëzuar me përgjegjësi nga ana e sektorit privat.
Në një publikim të sajin të titulluar Dialogu Publiko-Privat: Çelësi i Qeverisjes së mirë dhe Zhvillimit, Qendra për Ndërmarrësinë Private Ndërkombëtare (CIPE), pjesë e Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pjesë e së cilës është edhe organizata të cilën e drejtoj në Kosovë, vlerëson se dialogu publiko-privat është dëshmuar si mundësues i ofrimit të rezultateve, ndërsa vetë përfshirja e sektorit privat në dialog ka ndihmuar në ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme ndaj sfidave në rritje të qeverisjes, përfshirë rritjen e barabartë dhe reduktimin e varfërisë, llogaridhënien publike dhe integritetin e biznesit, si dhe promovimin e inovacionit. Reforma e vazhdueshme fiskale në vend, e cila ka mundësuar prezantimin dhe zbatimin e disa masave, është dëshmia më e mirë se konkluzionet e mësipërme të CIPE-së, mund të gjejnë zbatim praktik edhe në Kosovë, po që se ekziston vullneti i të gjithë hisedarëve.
Në Kosovë, formalisht ekzistojnë disa mekanizma zyrtarë të dialogimit, të krijuar viteve të fundit, të cilat pavarësisht qëllimit të mirë dhe angazhimit konkret të organizatave që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, nuk janë shfrytëzuar maksimalisht nga ana e qeverive të vendit, duke bërë që iniciativat për ndryshime ligjore ose propozimet për masa të ndryshme të adresohen në mënyrë individuale, pa mundësi të diskutimit të mirëfilltë të tyre, e aq më pak të trajtimit të të gjitha ndikimeve që propozimet e tilla mund të kenë. Kjo detyron palët, posaçërisht sektorin privat, që të gjejnë kanale të tjera të komunikimit - jashtë atyre formale.
Në vitin 2012, nga Qeveria themeloi Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, i cili me kalimin e viteve është shndërruar në një mekanizëm ndërinstitucional dhe gjithëpërfshirës të dialogimit. Në vitin 2013, ministri i Financave pati themeluar Këshillin konsultativ fiskal, si mekanizëm për adresimin e çështjeve me të cilat përballen bizneset në raport me institucionet tatim-mbledhëse, ndërsa në vitin 2015, kryetari i Kuvendit pati vendosur themelimin e Zyrës së Komunitetit të Biznesit, si mekanizëm i cili do t’u mundësonte qasje të drejtpërdrejtë bizneseve në procesin e hartimit dhe ndryshimit të ligjeve me ndikim në punën e tyre. Të dy mekanizmat e fundit kanë qenë pothuajse jofunksionalë në dy vjetët e fundit. Derisa i pari ka shërbyer si model replikimi edhe në shtetet e tjera të rajonit, të cilat megjithatë, kanë treguar një përkushtim më të madh në përmbushjen e qëllimeve për çka janë themeluar trupat e tillë.
2. Mbi skepticizmin dhe kritikën
Sipas fjalorit të Merriam-Webster, skepticizmi është gjendje e dyshimit në përgjithësi, ose ndaj ndonjë objekti në veçanti. Dyshimi i përfaqësuesve të sektorit privat karshi shumë vendimeve të institucioneve legjislative e ekzekutive, nuk buron nga ndonjë prirje e natyrshme sa për të kritikuar, por buron nga përvoja e kaluar, si dhe mungesa e besimit dhe të kuptuarit të drejtë të qëllimeve të këtyre vendimeve. Prandaj, dyshimet mund të relativizohen vetëm me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm ndërmjet vendimmarrësve dhe atyre që preken nga këto vendime.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), besimi në Qeverinë, mes tjerash, është i rëndësishëm edhe për konfidencën e investitorëve dhe konsumatorëve, ndërsa është jetik për aktivitetet kyç ekonomike. Në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Kosova ka avancuar në aspektin legjislativ, duke e harmonizuar në masë të madhe strukturën e saj ligjore me atë të BE-së, megjithatë zbatueshmëria e shumë prej këtyre ligjeve është larg nivelit të dëshiruar, derisa sipas OECD-së, besimi në institucione është i rëndësishëm edhe për suksesin e programeve, politikave dhe akteve rregullative, zbatimi i të cilave varet nga pajtueshmëria e qytetarëve. OECD-ja rekomandon gjashtë fusha përmes të cilave qeveritë mund të kthejnë besimin ndaj tyre e këto përfshijnë: besueshmërinë, reagimin ndaj kërkesave, çiltërsinë, rregullativën më të mirë, integritetin dhe drejtësinë, si dhe politikëbërjen gjithëpërfshirëse.
Institucionet, pra, kanë përgjegjësi të angazhohen për rritjen e besimit të qytetarëve dhe shoqërisë në përgjithësi, duke komunikuar në mënyrë të hapur dhe të sinqertë me të gjithë ata të cilët parashtrojnë pyetje, ofrojnë rekomandime, por edhe bëjnë kritika, meqë të pranuarit e kritikës është tipar i rëndësishëm i lidershipit, ashtu siç është edhe marrja e përgjegjësisë për gabime dhe dështime eventuale. Komunikimi i mirëfilltë i shërben llogaridhënies, e funksionimi i mirëfilltë i kësaj të fundit i shërben fuqizimit të demokracisë.
3. Rruga përpara
Rritja e qëndrueshme ekonomike përkufizohet si normë e arritshme e zhvillimit pa krijuar probleme të tjera ekonomike, e veçanërisht probleme që mund të kenë ndikim tek gjeneratat e ardhshme, sidomos në aspekt të mjedisit dhe burimeve natyrore, duke bërë që rëndësia e dialogut të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës të jetë e pazëvendësueshme.
Duke pasur parasysh, mënyrën në të cilën janë marrë një pjesë e madhe e vendimeve nga Qeveria ekzistuese, një pjesë e të cilave janë pezulluar e madje edhe tërhequr, siç është rasti edhe me vendimet për masat mbrojtëse në importe, për shkak të reagimeve të aktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nuk nevojitet shkencë që të konkludohet se dialogu është imperativ, ndërsa Qeveria aktuale duhet të mbajë funksional mekanizmat formalë të konsultimit me sektorin privat. Madje edhe të përpiqet të shmangë lëshimet nga vitet e kaluara, që kanë bërë që shumë prej iniciativave për ndryshime ligjore ose akte të reja ligjore, të mos jetësohen asnjëherë.
Duke e bërë këtë, Qeveria do të dëshmonte se përpiqet me sinqeritet në realizimin e qëllimeve që i ka vënë vetes, për qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit, ekonomi të zhvilluar dhe modernizim të shtetit, arsim cilësor, etj. Kuvendi në anën tjetër, duhet të ketë në konsideratë nevojën për diskutime gjithëpërfshirëse jo vetëm me palët e jashtme të interesit, por edhe brenda vetë mureve të tij, nëse i referohemi faktit që në raste të caktuara janë aprovuar ligje me minimumin e nevojshëm të votave, duke cenuar kështu legjitimitetin e ligjeve të tilla. Qytetarët, bizneset dhe shoqëria civile në përgjithësi kanë të drejtë të kërkojnë të përfshihen në proceset e vendimmarrjes dhe të kërkojnë llogari nga të zgjedhurit e tyre dhe ata që marrin dhe zbatojnë vendime në emër të tyre. Kjo për shkak se mbushin arkën e shtetit, e rrjedhimisht edhe paguajnë pagat për këta zyrtarë, por edhe për shkak se janë ata që i bartin pasojat e atyre vendimeve.
Madeleine Albright në librin e saj “Fashizmi: Një paralajmërim” thotë se duke qenë të vetëdijshëm se politikat e shtetit janë të komplikuara, ato kanë nevojë për një analizë më të kujdesshme, ndërsa nga liderët kërkohet të konsultojnë ekspertët, si dhe të ofrojnë mundësi për shprehje të mendimeve lidhur me opsionet në dispozicion. Momenti kur kjo nuk aplikohet, çon në një sistem të ri politik, që është objekt i librit të fundit të ish-sekretares amerikane të shtetit.