OpEd

“Tezja” vs. “Daja”

Rrëfimi shkon përafërsisht kështu: Një mbret dashurohet e martohet me një lypsare, “karallajkë” hesapi. E veshë në dukat dhe e mbush me stoli. E bën mbretëreshë pallati e sundimtare vendi. Ia shtron shtratin me petale lulesh dhe i sjell verë me kupa argjendi.

Por ai e vëren se gruaja e tij mbyllet çdo ditë nga një orë në dhomën e saj. Bëhet merak dhe fshehtas hap një vrimë në mur, nga ku e përgjon ditët në vijim. Ka çfarë të shohë! Mbretëresha kishte hedhur ca lecka të vjetra e ca monedha të vogla rreth e rrotull dhomës, e veshur e mbështjellë si lypsare. Shkonte te secila leckë duke thënë me dorën e zgjatur: “ Zonjë, a më jep pak bukë? Zonjë a më fal diçka?“

Mbreti u shokua dhe kapi kokën me grushte. “Si është e mundur”, i tha, “të vesha në ar e stoli, ndërsa ti mbete duke kërkuar e vjedhur monedha e paçavra?“

“Më fal”, i tha gruaja, “por ky është shpirti dhe zanati im. Është natyra ime. Më mori malli për të.”

A kajde a fajde

Çfarë rrëfimi interesant. Sikur ta kishte shkruar dikush në Bruksel.

Çohet gruaja e botës dhe me gjithë paratë e mira që i gllabëron nga buxheti i vendit pa bërë kurrfarë pune të hairit, i vjedh edhe “qaty do” rroba në midis të Evropës, se helbete po mbetet pa veshur.

Aman moj grua e çuditshme! Aman moj dadë se më plase! Po pse moj nuk vjedh në Kosovë, ku hajnia është ligjore edhe kur bëhet fjalë për qindra mija euro! Po pse moj nuk operon lirshëm këtu, ku vidhen pa teklif ari e droga në dhomat e dëshmive në polici dhe askujt asgjë. Këtu, pra në Kosovë, ku vidhen asfalti, posta, rryma, nafta, benzina, pensionet, barërat esenciale, stentat,insulina, herceptina. Vidhet buxheti tridhjetë milionë euro dhe prapë askujt asgjë. Bile në mos “Dajë” ty të kishim quajtur “Teze”! Ndoshta dikujt edhe iu kishe dhimbsur e ta kishte fal edhe pjesën tjetër që e ke paguar!

Pse moj rrezikon të na prishësh punë me botën, tamam kur kjo Qeveri e lavdishme po punon të na shndërrojë në Stamboll të vogël evropian? A di ti që çohet e vjen kryeministri e t’i kapë duart e t’i thyen eshtrat një nga një, bashkë me ca shqelma të mirë prapa? Dhe nuk i vjen fare zor a je femër, a je gjashtëdhjetë vjeçe a çka dreqi je. Pa përtesë të largon, se e kemi bodyguard shteti, alo, a po merr vesh najsend kleptomane monedhash? Therja dikah mytu, se na bëre hor!

Megjithëse, ndoshta ti edhe nuk ke aq faj. Në një vend ku hyhet në politikë vetëm për t’u pasuruar, “krimi” yt i vockël duket deri diku edhe simpatik. Ahu tekefundit, alamet Vinona Ryder ka vjedhur rroba nëpër dyqane të shtrenjta e nuk u bë kiameti, e jo më ti, një copë përfaqësuese shteti. Pale e arsimit!

Tekefundit pakëz vjedhje ka lezet, që thonë! Pak adrenalinë për t’u ndierë gjallë. Kush ka faj se ata belgët, nuk kanë punë më të mençur pos ta djerrin kohën nëpër kamera vëzhguese e siguri? Ta thërrasin policinë për secilën cikërrimë?!

Në anën tjetër, ku keni parë ju, të merresh me politikë në Kosovë pa vjedhur, dreqi e marrtë, nuk ka asnjë logjikë. Sidomos kur secili politikan e di që vjedhja në politikë nuk ndëshkohet fare. Dhe sa më e madhe shuma, aq më pak është e dënueshme. Vjedh 40 euro - bëhesh horr në gjithë Kosovën. Vjedh e fal miliona- asgjë askujt. Bile të thonë i zoti! Lum si ai! Të adhurojnë dhe votojnë edhe më tutje. Ngrihesh në detyrë.

Se merre me mend ta thërrasësh policinë. Hamadreq, vjedhin edhe ata. Ruana Zot, çështja shkon në Gjykatë. Çerdhja e hajnisë dhe korrupsionit. Ndaj, pse të lodhemi kot, kur thjesht i heq dënimet dhe problemet hiqen si me dorë.

Pastaj nuk është se ne po shohim hajni për herë të parë. Oh, jo, kjo për ne është si të thuash “copë djathi”. Nga shitësi i akullores e deri në Qeveri, të vjedhin i madh e i vogël para syve, dhe ti pyet a doni ende.

Ndaj lëreni gruan le të vjedhë rehat allahile! Hipokritë dreqi, shovenista mashkullorë! Edhe ju feministe që dëshironi ta shndërroni në kauzë dallimesh gjinore. Jo kjo qenka femër, jo pse nuk dënohen meshkujt. Pse more po e diskriminoni gruan pa nevojë kur hajni nuk ka gjini. Përkundrazi, bëjeni ministreshë sikur i keni bërë ministra ndër vite kiamet hajnash meshkuj, që u treguan të zotë me miliona të vjedhur.

E nuk është se nuk po ju shohim e kuptojmë gjë ne populli. Në rregull, budallakia katërdhjetë qeshitshe është , ndërsa ne jemi duke e provuar diku të njëzetenëntën, ka kohë, veç grahini ju!

E qebesa edhe bankat, si pallate fajdesh, të maskuara në institucione financiare, ia pinë gjakun qytetarit më zi se kont Drakulla. Me kamata marramendëse në kreditë që ia japin këtij populli të varfër, fërkojnë duart si mizat parazit. As nuk e shpërblejnë askënd pse depoziton paratë e majme, me të cilat ajo pastaj vepron e punon. Jo ma çfarë. Ju duhet të paguani për mirëmbajtjen e kontos dhe për secilin veprim që kërkoni për paratë tuaja! Se helbete, ua lajnë konton çdo ditë me “Domestos”. Ia mirëmbajnë fasadën kontos se i shpërlahet boja.

Ju kërkoni historinë e kontos suaj – gjashtë euro! Nxirrni paratë tuaja prej bankës – dy euro! Merrni pensionin – një euro e gjysmë! Kartela e re – dy euro! Mesazh lajmërues në tel – dy euro! Bukur. Kjo si të të rrahin e të mos lënë të qash! Urdhëroni kredi të mira, të lira, të arta, speciale, unike, pa shumë dokumente, fjalë dhe dëshmitarë. Në rast mospagese, ne nuk ju bëjmë asgjë,veç ju marrim shtëpinë dhe gjithçka keni pos shpirtit. Çka po doni tjetër. Pse a mos patët dinjitet, krenari a zë a? Hajt bre se jetohet më shlirë pa to.

Tupanxhitë e shesheve moderne

Populli vazhdon dhe qëndron si dud. E mban gajlen e Zvicrës në futboll dhe Erdoganit në politikë. Qan e feston për ta. Oh, e bëri shqiponjën me dorë, oh nuk e bëri. Oh Erdogani mirë që fitoi, jo keq që fitoi. Festojnë e kallin erdoganistët e Prizrenit, njësoj si enveristët e Ferizajit. Mirë që nuk kallën edhe ndonjë libër a njeri si shtrigat në turrë të druve. Bechteli, Aeroporti, KEK-u e njëmijë hajni- skandale të tjera ku Erdo i shpërlan duart, nuk do të thonë asgjë për të verbrit mendorë . Kështu është kur secilit “tupanxhi” i lejohet t’i mëshojë daulles në secilin shesh nga Komunat, të cilat ups, i bie të jenë adhuruese të Erdos po ashtu. E si mos të jenë allhile për “pobratimin” e presidentit, i cili dëshiron të na ndriçojë udhën me llamba orientale? Të lutem. Hapi sytë milet. Turqia na do aq shumë sa thotë Kosova është Turqi. Serbia thotë Kosova është Serbi (por pa shqiptarët në të!), ndërsa ne dëshirojmë që Kosova të jetë Kosovë bashkë me Shqipëri. Shih sa mirë është kur ke qëlluar kaq i dashur sa jemi ne.

Në ndërkohë, Kosovës po i shkëputet një cope toke (jo gjeografikisht) para syve nga Asociacioni serb, ndërsa populli ende po ankohet për shkrepat e Çakorrit. Deputetët serbë po vendosin për fatin e Kosovës pas njëzet vjetëve çlirimi, ndërsa shqiptarët nuk po merren vesh mes vete as brenda një partie, se jo më mes dy sosh. Gjysma e Mitrovicës pothuajse u shkëput në tërësi, bashkë me resurse të vlefshme shoqërore, ndërsa “ trimat” tanë shqiptarë shesin muskuj patriotikë nëpër Faceboook e Instagram.

Ec bre njerëz shkoni pak dhe qetësohuni në bregdetin shqiptar, dhe mundohuni ta gjeni një vend ku së paku ju lejojnë të qarkulloni me autobusë si kosovarë , diku ku kamerieri ju vjen bile pas një ore, mundësisht ku ashensori, kondicioneri dhe frigoriferi konsiderohen gjëra normale dhe brenda çmimit, dhe aty ku me pak fat, por jo dhe lehtë, hasni ndonjë fytyrë mikpritëse nëpër recepcione të lodhta.

E kur vjen shtatori, reflektoni në atë kush jeni dhe sa meritoni. Ndoshta edhe nuk jeni ai evropiani që gjithmonë keni ëndërruar e menduar se jeni. Shikoni rreth vetes, shtëpisë, qytetit, shtetit. Tekefundit, ju po kënaqeni me të gjitha këto që po ju ndodhin. Ndaj, shijojeni jetën kështu siç edhe e keni.