Tokio 2020

Ylli i basketbollit tërhiqet nga Lojërat Olimpike për shkak të ankthit

Pas disa javësh me ndjenjën aq shqetësuese sa vështirë mund të flinte ose të hante, ylli i WNBA-së, Liz Cambage vendosi që mënyra më e mirë për t’u siguruar që të ruante shëndetin mendor dhe fizik ishte të tërhiqej nga ekipi olimpik i Australisë.

Basketbollistja që mori pjesë dy herë në Lojërat Olimpike ka qenë e shqetësuar për jetën brenda të së ashtuquajturës “flluskë” në Lojërat Olimpike të Tokios, të cilat fillojnë javën e ardhshme me kryeqytetin japonez në një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.

Cambage postoi një deklaratë në mediat sociale të premten për të thënë se perspektiva për të mos pasur miq, familje, tifozë dhe asnjë sistem mbështetjeje jashtë skuadrës së basketbollit të femrave gjatë Lojërave Olimpike është “sinqerisht e tmerrshme për mua”.

“Po më thyhet zemra të njoftoj se po tërhiqem nga Lojërat Olimpike”, tha Cambage. “Por, mendoj se ky është vendimi më i mirë si për ekipin ashtu edhe për mua”.

Mungesa e qendrës së fuqishme dhe koshashënueses më të mirë, do të jetë një pengesë e madhe për Australinë që të ketë rastin për të fituar medalje në LO “Tokio 2020”. Cambage pushtoi ballinat për një ngulitje në Lojërat Olimpike të Londrës, ku e ndihmoi Australinë të fitonte medaljen e bronztë në vitin 2012. Ajo ishte ndër lojtaret kryesore në turneun olimpik katër vjet më vonë, pavarësisht që ekipi i Australisë përfundoi në pozitën e pestë. Qendra 29-vjeçare e skuadrës amerikane, Las Vegas Aces, tha se gjatë muajit të fundit kishte sulme paniku, që nuk e linin të flinte dhe të hante.

“Mbështetja te mjekimi i përditshëm për të kontrolluar ankthin tim nuk është vendi ku unë dua të jem tani”, tha ajo në deklaratë. “Sidomos duke ecur në garë në skenën më të madhe sportive në botë”.

Lojërat Olimpike të Tokios, të shtyra për 12 muaj shkaku i pandemisë së koronavirusit, do të fillojë më 23 korrik. Basketbollistet e Australisë do ta luajnë ndeshjen e parë katër ditë pas ceremonisë hapëse.

Sportistët nuk do të lejohen të largohen nga fshati olimpik ose vendet e garave dhe stërvitjes, ndërsa inkurajohen që të largohen nga Japonia sa më shpejt të jetë e mundur pas përfundimit të ngjarjeve të tyre. Tifozët janë ndaluar në shumicën e stadiumeve.

Cambage, e cila ka qenë me ekipin australian në Las Vegas javën e fundit për ndeshje kontrolluese, tha se kishte nevojë “të kujdeset për veten mendërisht dhe fizikisht”.

Ajo ishte në uniformë të ekipit “All Star” të WNBA-së, që luajti të mërkurën kundër ekipit olimpik të SHBA-së, por nuk u paraqit në fitoren e ekipit të saj, 93:85.

Komiteti Olimpik i Australisë të premten tha se po eksploronte potencialin për një zëvendësim të vonshëm për qendrën Cambage.

“Liz ka dhënë një kontribut të madh në ekipin olimpik australian gjatë dy kampanjave të Lojërave Olimpike”, tha Ian Chesterman, udhëheqësi i delegacionit olimpik të Australisë në Tokio. “Ne e respektojmë vendimin e saj dhe i urojmë asaj që të kthehet më e fortë dhe me shëndet të plotë”.

Cambage nuk është sportisti i parë australian që tërhiqet nga Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të shqetësimeve mbi kufizimet. Tenisti Nick Kyrgios u tërhoq më herët gjatë javës duke përmendur shqetësime në lidhje me shëndetin e tij, pandeminë dhe faktin që asnjë tifoz nuk do të lejohej të hynte në stadiume.

Cambage tha se kushdo që e njeh e di se “një nga ëndrrat e mia më të mëdha është fitimi i një medaljeje të artë olimpike me Australinë”.

“Çdo sportist që garon në Lojërat Olimpike duhet të jetë në kulmin e tij mendor e fizik dhe për momentin unë jam shumë larg nga vendi ku dua dhe duhet të jem”, tha Cambage. “Nuk është sekret që në të kaluarën unë kam luftuar me shëndetin tim mendor dhe kohët e fundit kam qenë me të vërtetë e shqetësuar për t'u drejtuar në një Olimpiadë të izoluar”.