Ylli i gjimnastikës, amerikania Simone Biles, ka hequr dorë nga paraqitja në finale të garës së përgjithshme individuale. Kjo është bërë e ditur të mërkurën nga Federata e Gjimnastikës së SHBA-së.
Biles, gjimastja më e mirë e të gjitha kohërave, dështoi të martën mbrëma në kapërcimin e kalit gjimastikor dhe hoqi dorë nga paraqitja në tri disiplinat tjera në garën ekipore. Në fund fituan ruset, kurse SHBA-ja u rendit e dyta.
Ajo të enjten është dashur të paraqitet në finale të garës së përgjithshme individuale (në të gjitha veglat), por ka hequr dorë. Biles ishte favorite për medalje të artë.
Biles ka gjashtë medalje të arta olimpike, ndërsa ajo dëshiron të fokusohet në shëndetin mendor të saj, sipas Federatës amerikane. Nuk ka vendim nëse Biles do të paraqitet në garat nëpër vegla të caktuara, javën e ardhshme. Për çështje shëndetësore ajo kishte lënë në gjysmë garën e së martës.
“Pas vlerësimit shtesë të gjendjes shëndetësore, Simone Biles është tërhequr nga finalja e garës së përgjithshme individuale në Lojërat Olimpike të Tokios, në mënyrë që të koncentrohet në shëndetin mendor të saj”, thuhet në komunikatë.
“Simone do të vazhdoj të vlerësojë çdo ditë gjendjen shëndetësore për të vendosur nëse do të marr pjesë në garat individuale javën e ardhshme. Jade Carey, që kishte rezultatin e nëntë më të mirë në kualifikime, do të jetë në vend të saj”.
Biles ka marrë përkrahje të madhe nga sportistët amerikanë, pasi për shkak të presionit dhe stresit u detyra të heq dorë nga gara e së martës. Ajo ka thënë se ka shpresuar që të kënaqet në Lojërat e Tokios dhe se nuk e ka këtë ndjenjë.