Ylli i gjimnastikës, amerikania Simone Biles, ka marrë përkrahje shumë të madhe pasi hoqi dorë në fillim të garës ekipore dhe anuloi garën e përgjithshme individuale. Fituesja e gjashtë medaljeve olimpike është mbështetur nga miliona njerëz nëpër botë, pasi për shkak të stresit dhe ngarkesës mentale hoqi dorë nga dy gara në Tokio 2020.
Ajo ishte paraqitur vetëm në garën e parë në konkurrencë ekipore dhe më pas u tërhoq.
Të enjten në mëngjes, ylli Biles përmes Twitterit ka thënë se mesazhet që ka pranuar i kanë dëshmuar se ndikimi që ka shkon përtej paraqitjeve që ka pasur në gjimnastikë në dekadën e fundit. Ajo vlerësohet gjimastja më e mirë e të gjitha kohërave.
“Dashuria dhe përkrahja që më është ofruar më ka bërë të kuptoij se jam më shumë se të arriturat e mia dhe gjimnastika. Këtë asnjëherë nuk e kam besuar më parë”, ka shkruar Biles.
Përkrahja për Biles erdhi nga figura të njohura si ish-zonja e parë, Michele Obama dhe shumë e shumë sportistë të famshëm.
Në garën e përgjithshme individuale, që mbahet sot, Biles nuk do të marr pjesë. Ajo është e kualifikuar për të gjitha finalet në vegla e parter, që mbahen javën tjetër. Nuk dihet nëse do të marr pjesë në to.