Sapo rrotat e skateboardit të saj të fillojnë të rrokullisen në garën në Tokio, Sky Brown 13-vjeçare do të shkruajë historinë. Sportistja e ekipit olimpik të Britanisë do ta thyejë një rekord, që qëndron për gati një shekull.
Ishte notarja nga Manchesteri, Margery Hinton, që e përfaqësoi Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike të vitit 1928 në Amsterdam me 13 vjet, kur e vendosi rekordin si pjesëmarrësja më e re në këtë ngjarje të madhe sportive. Në fakt, Sky Brown është paksa më e re, pasi sapo ka mbushur 13 vjet dhe pritet të jetë njëra prej yjeve të Lojërave Olimpike në Tokio, ku skateboardingu bën debutimin si sport olimpik.
Brown është gati për debutimin e saj të madh në skenën botërore. Adoleshentja, e cila jeton në Kaliforni dhe ka babanë nga Anglia, insistoi se fare nuk ka presion kur gjendet mbi skateboardin e saj.
“Jo, nuk kam presion fare. Në momentin që rrotat fillojnë të rrokullisen, ndihem e emocionuar dhe mundohem të bëj paraqitjen më të mirë të mundshme. Pra, besoj se jam gati për Lojërat Olimpike”, tha Brown, e cila gjithashtu është sportistja më e re në ekipin olimpik të Britanisë.
Në të vërtetë pjesëmarrja e 13-vjeçares në LO “Tokio 2020” nuk ishte aspak e lehtë për dy arsye. E para, ajo është dashur t’i bindë prindërit e vet për t’u paraqitur në këtë ngjarje. Dhe e dyta, Brown ka pësuar një aksident pranverën e shkuar dhe ishte në rrezik për jetën.
Edhe
Japonezja 12-vjeçare fiton medalje olimpike
Nëse Lojërat Olimpike do të mbaheshin në vitin 2020, atëherë Brown ende do të ishte në fazën e rikuperimit.
“Prindërit e mi menduan se do të ishte presion i madh për mua, kështu që ata nuk donin të më lejonin. Mirëpo në fund ata u pajtuan që unë të shkoja në Lojërat Olimpike pas shumë lutjeve. Në fakt ishte ftesa e ekipit britanik që i bëri ata të ndihen paska më të qetë”, thotë Brown, që kujtoi edhe aksidentin e tmerrshëm. Ajo ra nga skateboardi i saj prej një lartësie prej 4.5 metrave, ku i theu kafkën dhe disa brinjë.
“Rrëzimi është pjesë e këtij sporti. Pra, ju do të rrëzoheni ndonjëherë. Mirëpo, duhet të ngriheni dhe të vazhdoni. Mua rrëzimi vetëm më ka forcuar dhe këtë do ta dëshmoj në Lojërat Olimpike”, shtoi Sky.
Menaxheri i ekipit britanik të skateboardit, Darren Pearcy, me padurim pret debutimin e Brownit në Lojërat Olimpike. Ai është i bindur se 13-vjeçarja do të shkëlqejë, por i vjen keq që nuk do të ketë shikues për ta parë nga afër paraqitjen e saj.
“Ajo është talente natyrale dhe jam shumë i kujdesshëm kur flas me të se si duhet të veprojë dhe të paraqitet në këtë ngjarje. Sky ka punuar shumë dhe me padurim pres ta shoh duke performuar”, shtoi Pearcy.
Edhe
Kinezja 12-vjeçare shkruan histori, bëhet më e reja me medalje në kampionate botërore
Punë të madhe sikurse Sky Brown ka bërë edhe Bombette Martin, 15-vjeçarja që do të jetë pjesë e ekipit britanik të skateboardingut në Tokio. Edhe nga Martini, Pearcy pret paraqitje fantastike.
“Janë një dyshe dinamike që do t’i japin shkëlqim këtij sporti që debuton në Lojërat Olimpike. Asnjëherë më parë ky sport nuk ka pasur kaq shumë femra, kurse Sky e Bombette garantojnë të ardhmen e skateboardingut”, u shpreh Pearcy.
Në ekipin britanik tashmë e kanë krijuar një plan të kujdesshëm për të siguruar që të dy adoleshentet të mbrohen nga interesi i pashmangshëm kur do të garojnë.
“Ne do të krijojmë një mjedis që ato mos të ndihen të mbingarkuara. Ato janë ende fëmijë dhe gjëja më e rëndësishme është që të jenë të lumtura dhe të kënaqen. Ne nuk po flasim për medalje, por për të ardhmen e tyre. Ne i mbështesim ato që të kenë një paraqitje të mirë”, shtoi Pearcy.
Edhe
Kinezja 12-vjeçare debuton në Botërorin e të rriturve, kualifikohet në finale
Pavarësisht se nuk ka presion për ndonjë sukses, synimet e Brownit janë të mëdha. Madje, ajo është e sigurt për një medalje olimpike.
“Mezi pres të garoj dhe shpresoj të paraqitem mirë. Në të vërtetë do të përpiqem për të marrë medaljen e artë”, tha Sky.