Distria Krasniqi ia ka dhënë të mbarën ekipit kosovar të xhudos në Lojërat Olimpike, ndërsa pritjet janë të mëdha që njëjtë do të vazhdojë kampionia olimpike ende në fuqi, Majlinda Kelmendi.
Majlinda garon të dielën, në ditën e dytë të Lojërave Olimpike. Ajo garon në kategorinë deri 52 kilogramë. Gjithnjë synimi i kampionëve olimpikë është ta mbrojnë titullin. Këtë e synon edhe Majlinda natyrisht.
Ajo e fillon garën prej xhiros së parë. Përballë do ta ketë fillimisht hungarezen Reka Pupp. Por, Pupp pritet të jetë vetëm e para prej disa kundërshtareve të Majlindës, që kishte fituar të artën në “Rio 2016”, në debutim të Kosovës në ngjarjen më të madhe sportive.
Për shkak se mungoi një kohë nga garat, Majlinda është “vetëm” bartësja e katërt” në “Tokio 2020”, lojërat e shtyra për një vit për shkak të pandemisë.
Amandine Buchard e Francës është e para, Uta Abe e Japonisë është e dyta, ndërsa Odette Giuffrida e Italisë e treta. Dy të parat vlerësohen rivalet e mëdha të Majlindës për medalje.
Shtyrja e Lojërave Olimpike ishte pozitive për Majlindën. Ajo është në formë fizike dukshëm më të mirë se në verën e kaluar. Gjendjen shëndetësore e ka dukshëm më të mirë.
“Në përgjithësi gjithçka ka shkuar ashtu si duhet. Edhe pse ndoshta për trajnerin, për Tonin, fakti që janë shtyrë Lojërat Olimpike ka qenë më vështirë. Mirëpo, mendoj që për mua personalisht ka pasur efekt pozitiv pasi në vitin 2020 nuk është që kam qenë edhe aq mirë për shkak të lëndimeve. Kam pasur kohë një vit për t’u rikuperuar edhe fizikisht, edhe psikikisht për të arritur ta përmbushë programin ashtu si duhet. Mendoj që jam në formë të mirë, po ndihem mirë fizikisht, psikikisht. Është Olimpiada e tretë për mua dhe mendoj që kam eksperiencë mjaft. Ka nisur pak ajo adrenalina, stresi, që është shumë normale por në përgjithësi çdo gjë është mirë”, ka thënë Majlinda ditë më parë për KOHËN.
Për shkak të lëndimeve dhe pandemisë, Majlinda ka garuar pak në dy vjetët e fundit. Këtë vit kishte një vend të tretë në Mastersin në Doha dhe një të tretë në Grand Slam të Tel-Avivit. Ndërkohë, nuk garoi në Evropian e Botëror. Vjet nuk ka garuar fare.
Ajo ka tempuar formën që në Lojërat Olimpike të jetë në pikën më të lartë. Dhe kur e ka ditën dhe kur është në formë të lartë, Majlinda vështirë se mund të ndalet.
Ajo pranon se do të ishte e jashtëzakonshme të marrë medalje në Japoni, në vendin ku ka lindur xhudoja.
“Caku im është ta mbroj titullin, të bëhem përsëri kampione olimpike. Është shumë e vështirë, por nuk është e pamundur. Siç e thashë më herët, po ndihem mirë dhe do ta jap maksimumin. Nuk do të ishte çudi të bëhem kampione olimpike, nuk do të ishte çudi ta marr cilëndo prej medaljeve, por nuk është çudi dhe nuk është turp, siç e them gjithmonë, të humbësh në Lojëra Olimpike. Njerëzit duhet ta kuptojnë se përderisa një garues e fiton normën olimpike, ai automatikisht është kandidat për t’u bërë kampion olimpik. Kështu që nuk është turp të biesh në xhiro të parë. Çfarëdo që ndodh në Lojëra Olimpike është shumë normale. Mirëpo, unë për vete, cak e kam medaljen e artë, por prapë e them, cilado prej medaljeve që do të vinte për mua do të ishte e suksesshme”, ka theksuar Kelmendi.