Tokio 2020

Shqipëria në “Tokio 2020” me shpresë për medaljen e parë olimpike

Shqipëria nis një tjetër pjesëmarrje olimpike me shpresë për ta fituar medaljen e parë në ngjarjen më të madhe sportive. Kuqezinjtë përfaqësohen nga nëntë sportistë në lojërat olimpike “Tokio 2020”, që zyrtarisht fillojnë të premten.

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë shtetet e vetme evropiane, pa llogaritur ato fare të vogla, që nuk kanë medalje olimpike. Kjo është informata e parë që del kur kërkohet në internet për Shqipërinë në Lojërat Olimpike.

Me pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike Verore të vitit 1972, sportistët e Shqipërisë në disa raste i janë afruar medaljes olimpike, sidomos në peshëngritje. Por ajo ka munguar deri më tani.

Në Tokio, Shqipëria përfaqësohet nga nëntë sportistë. Shumica prej tyre janë me ftesë, që në fakt jep pak gjasa për medalje.

Atletja Luiza Gega ka siguruar normë falë renditjes. Ajo do të garojë në 3000 metra me pengesa dhe në vrapim 5000 metra. Izmir Smajlaj mori ftesë dhe do të garojë në kërcim së gjati.

Rusi i natyralizuar, Matvei Petrov, do të garojë në gjimnastikë, falë ftesës së komisionit trepalësh. Ftesë ka marrë edhe xhudisti Indrit Cullhaj, që për një kohë ka ushtruar në Kosovë. Ai garon në kategorinë deri 66 kilogramë.

Komisioni trepalësh e ka ftuar edhe qitësen Manuela Delilaj, që garon në disiplinën pistoletë ajrore në 10 metra.

Ftesë për universalitet pranuan notarët Kledi Kadiu e Nikol Merizaj, që garojnë në 100 metra stil të lirë. Synimi i tyre mund të jetë shmangia e pozitave të fundit, njëjtë si i notarëve kosovarë.

Shpresat më të mëdha sërish janë për peshëngritje, pa lënë anash atleten Gega. Në peshëngritje, Briken Calja merr pjesë me normë, falë renditjes, në kategorinë deri 73 kilogramë. Ndërsa Erkand Qerimaj garon falë “rindarjes së vendit për normë të pashfrytëzuar”. Ai garon në kategorinë deri 81 kilogramë.

“Kemi bërë maksimumin tonë gjatë këtyre muajve, duke u siguruar sportistëve kushte maksimale për stërvitje, për të arritur rezultate sa më të mira në Olimpiadë. Madje edhe shpresojmë të arrijmë në zonën e medaljes me ndonjë prej tyre, duke parë vullnetin dhe punën e madhe që kanë bërë ata”, ka thënë Fidel Ylli, president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Peshëngritësit e Shqipërisë kanë fituar medalje në gara të ndryshme, botërorë e evropianë, por nuk kanë fituar ende medalje olimpike.

Shqipëria kishte debutuar në Olimpiadë në vitin 1972. Më pas garuesit e Shqipërisë kanë munguar deri në vitin 1992. Prej atëherë kanë garuar rregullisht, ndërsa shifra e pjesëmarrësve ishte rreth dhjetë për Olimpiadë. Në Lojërat Olimpike Dimërore, Shqipëria ka nisur të garojë prej vitit 2006. Vazhdon të jetë shumë larg medaljes sa u takon Lojërave Olimpike Dimërore, njëjtë si Kosova.