Tokio 2020

Pesë qendrat amerikane po shkaktojnë telashe në Tokio

Përfaqësuesja e SHBA-së në basketboll në konkurrencën e femrave ka një siklet të madh kur bëhet fjalë për lojtaret e qendrës, pasi në radhët e veta ka pesë sosh, ndoshta më të mirat të mbledhura ndonjëherë. Asnjë ekip në botë nuk e ka gjatësinë dhe përvojën për t’i përballur me qendrat amerikane – një grup që përfshin tri nga katër MVP-të e fundit të WNBA-së.

Brittney Griner (203 cm), A’ja Wilson (193 cm) e Breanna Stewart (193 cm), janë imponuese në pesëshen startuese, pastaj vijnë edhe Sylvia Fowles (198 cm) e Tina Charles (193), të cilat futen nga banka. Pesë basketbollistet shënuan së bashku 56 nga 81 pikët dhe 45 kërcime te SHBA-ja, në fitoren prej nëntë pikëve në ndeshjen hapëse të Lojërave Olimpike të Tokios kundër Nigerisë.

“Dua të them se shkathtësia është diçka që e veçon basketbollin amerikan nga të gjithë të tjerët. Gjatësia dhe aftësia jonë”, tha Stewart. “Të jesh në pozitën e qendrës dhe të jesh në gjendje të kalosh, gjuash dhe driblosh është diçka e veçantë. Mendoj se vazhdoj ta them këtë gjatë gjithë kohës, por është shumë mirë të jem në të njëjtin ekip me qendrat e tjera”.

Ata mund të jenë së bashku për të paktën edhe për një Olimpiadë, pasi mosha mesatare e tyre është 29 vjeç. Ajo që e bën këtë grup edhe më të rrezikshëm se disa ekipet tjera të mëparshme të SHBA-së, që kishin lojtare të shkëlqyera si Lisa Leslie, Venus Lacy, Yolanda Griffith dhe Tina Thompson, nuk është vetëm gjatësia e grupit, por siç tha Stewart, shkathtësia e tyre. Stewart luan si krah-qendër te SHBA-ja, që nuk është pozita e saj normale. Charles është zhvilluar në një lojtare të fortë në gjuajtjet për tri pikë. Ajo këtë vit ka pasur saktësinë 37 për qind nga gjuajtjet për tri pikë në WNBA, ndërsa mesatarisht ka shënuar 26.3 pikë për ndeshje – koshashënuesja më e mirë në ligë. Griner dhe Fowles, ta cilat janë ndoshta më tradicionalet e lojtareve të qendrës, janë zhvilluar në lojtare të rrezikshme prej gjuajtjeve nga gjysmë-distanca. Griner, e cila po luan në Olimpiadën e saj të dytë, tha se është e frikshme se sa i mirë mund të jetë ky grup.

“Ne kemi lojtare të gjata që janë të sakta për tri pikë dhe kjo aspak nuk është e lehtë. Po ashtu, vështirë është të mbahen sepse janë efikase edhe në gjuajtjet nga gjysmë-distanca dhe nën kosh, varësisht se ku luajnë. Kështu që, kur ky grup i ynë bashkohet, atëherë nuk ka ekip që na bën ballë”, insistoi Griner.

Wilson, rishtarja e grupit, udhëhoqi ekipin në fitoren e parë si koshashënuesja më e mirë, me 19 pikë të shënuara.

“Ne të gjitha jemi shumë të ndryshme dhe sjellim kaq shumë aspekte të ndryshme në lojë”, tha Wilson, e cila sezonin e fundit u shpall si lojtarja më e mirë (MVP) në WNBA. “Ne mund të jemi një ekip i rrezikshëm si brenda, ashtu edhe jashtë. Është kënaqësi për mua që jam pjesë e këtij grupi, me të cilin besoj se do ta fitojmë medaljen e artë”, u shpreh Wilson.

Ndërsa Nigeria u përpoq të luftonte me SHBA-në nën kosh, kundërshtari tjetër i amerikaneve tashmë ka thënë se as nuk do të provojë një gjë të tillë. Trajneri i Japonisë, Tom Hovasse, tha se ai do të ketë një nga lojtaret e tij “më të gjata” që tërë kohën do ta ruajë Grinerin kur të dy ekipet do të përballen mes vete të premten.

“Ne do ta ruajmë Brittney Grinerin me një lojtare të gjatë. Kjo është një sfidë”, tha Hovasse. “SHBA-ja, përfundimisht ka një ekip që mund ta mposhtë secilin kundërshtar. Shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta limitojmë sa më shumë Grinerin, ndonëse janë lojtaret e tjera të SHBA-së që do të na rrezikojnë. SHBA-ja ka shumë zgjidhje në pozitën e qendrës”.