Tokio 2020

Finalja dramatike e gjimnastikës – ylli Biles tërhiqet për shkaqe shëndetësore, ruset fitojnë të artën

Një prej finaleve më të veçanta të garës ekipore në gjimnastikë artistike për vajza është zhvilluar të martën mbrëma në “Ariake Gymnastics Centre” në Tokio. Ishte finalja e Lojërave Olimpike dhe drama nuk ka mundur të mungonte.

Ndonëse gjimnastet ruse ishin në epërsi të vazhdueshme dhe bënë paraqitje të nivelit të lartë, fokusi ishte diku tjetër. Shumica e kameramanëve dhe fotoreporterëve, e që ishin shumë, kanë përcjellë me vëmendje çdo lëvizje e çdo veprim të yllit më të madh të gjimnastikës, amerikanes Simone Biles.

Biles, nga komuniteti i gjimnastikës vlerësohet gjimnastja më e mirë e të gjitha kohëve. Por kishte një natë të vështirë. Dhe prapë ishte në qendër të vëmendjes si në garë ashtu edhe pas saj.

Është pritur që Biles të jetë ylli i mbrëmjes. Por, kampionia e katërfishtë olimpike la garën pas disiplinës së parë, përkatësisht rotacionit të parë. Ajo pati një paraqitje të dobët në kapërcimin e kalit gjimnastikor dhe pas konsultimit me trajneren personale dhe trajneren e SHBA-së, vendosi të mos paraqitet në tri disiplinat e tjera.

Me të hyrë në “Ariake Gymnastics Centre”, ku kishte shumë gazetarë e zyrtarë, Biles pati një provë të frikshme në kapërcimin e kalit gjimnastikor (vault). U bllokua në platformën ku bëhet shkëputja dhe bëri një rrotullim e gjysmë në vend të dy e gjysmë që i kishte në plan. Gabimin e njëjtë e përsëriti edhe në garë dhe vlerësimi i gjyqtarëve ishte i vogël.

Dhe pas bisedës me trajnerët ajo e la arenën, për t’u kthyer më vonë me rroba të përgatitjes. Pra, nuk garoi më.

Image

Jordan Chiles, Grace McCallum dhe Sunisa Lee mbetën në ekipin amerikan dhe ato u paraqitën në tri disiplinat e tjera. Pra jo edhe ylli kryesor.

“Simone është larguar nga gara për çështje mjekësore. Do të ketë vlerësim të gjendjes së saj shëndetësore çdo ditë, për të përcaktuar nëse ajo do të paraqitet në garat e ardhshme”, njoftoi Federata e Gjimnastikës e SHBA-së, derisa gara ende ishte në fazën e hershme.

Pasi u kthye në arenë, 24-vjeçarja Biles është shfaqur e buzëqeshur. Me tuta të bardha veshur, u ka qëndruar afër shoqeve të ekipit, duke i përkrahur vazhdimisht. Ka uruar edhe gjimnastet ruse, që ishin në garë direkte me amerikanët, në secilën disiplinë. Biles u ka buzëqeshur edhe kamerave, ndërsa ka përshëndetur edhe kur një komentatore i ka thënë nga larg se të gjithë e duan.

Dukshëm më pak vëmendje kishin gjimnastet ruse. Sportistët rusë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 po paraqiten duke prezantuar Komitetin Olimpik të Rusisë, për shkak të një skandali të dopingut.

Gjimnastet e reja ruse kanë shkëlqyer në të gjitha disiplinat dhe kanë fituar titullin e kampionit. Gjimnastet e ROC (Komitetit Olimpik të Rusisë) kishin 169.528 pikë në fund. Ato të SHBA-së i kishin 166.096 pikë, që u mjaftuan për pozitën e dytë. Pozita e tretë dhe medalja e bronztë i takoi Britanisë së Madhe, që mblodhi 164.096 pikë.

Kur Angelina Melnikova kompletoi në mënyrë thuajse të përkryer paraqitjen e saj në parter (dysheme), ruset nisën festën. Ajo mori pikët e mjaftueshme për titull të kampionit. E arta për ruset është e para që kur Ekipi i Unifikuar kishte triumfuar në Barcelonë në vitin 1992. Suksesi i ruseve erdhi një ditë pasi rusët e ROC fituan titullin në konkurrencë të djemve.

Gjatë garës, disponimi i disa mijëra të pranishmëve në arenë ishte për të përkrahur amerikanet, sidomos Jordan Chilesin. Por pasi u shpallën fituese, rusët morën duartrokitje të madhe. Ndonëse në hije të amerikaneve, ato kishin paraqitje thuajse pa gabime dhe fituan medaljen e artë.

Në ceremoninë e medaljeve nuk është shfaqur flamuri rus, nuk është intonuar himni i Rusisë. Është shfaqur flamuri i Komitetit Olimpik të Rusisë dhe është intonuar himni i tij. Gjimnastet ruse nuk ia kanë vënë vetes medaljet si gjithë sportistët e tjerë në Tokio 2020. Ato ia kanë vënë njëra-tjetrës, për ta bërë më të bukur ceremoninë.

Amerikanet ishin favorite të mëdha, kanë dominuar thuajse gjithë dekadën, por në fund u kënaqën me të argjendtën.

“Këtë medalje e kam falë vajzave të tjera”, ka thënë Biles. “Definitivisht nuk është Olimpiada që kam menduar se do të jetë. Ne dolëm në arenë dhe nuk e bëmë atë që duhej ta bënim”.

Image

Melnikova, që ishte e fundit që garoi, ka thënë se ishte shumë e fokusuar kur doli në parter.

“E kam ditur se mund ta bëj këtë dhe e kam bërë. Isha e bindur se mund t’ia dal. Nuk kam provuar asnjëherë më parë në jetë një gjë si kjo. E kam ditur menjëherë se jemi fitues, pa dalë rezultati në ekran”, ka theksuar gjimastja ruse.

Ylli Biles është shprehur krenare me shoqet e ekipit. Sipas saj, ato e meritojnë të artën për luftën që e kanë bërë. Ajo luftë u siguroi medaljen e argjendtë olimpike. Grace McCallum ka theksuar se Biles ka inspiruar paraqitjen e tyre.

Ekipet e gjimnasteve përbëhen nga katër garuese. Por, vetëm tri garojnë në disiplinë. Biles është dashur ta udhëheqë SHBA-në drejt titullit të kampionit, por nuk e ka bërë këtë.

Ka pasur shumë përkrahje për amerikanen pas largimit nga gara për shkaqe shëndetësore. Ka të bëjë me presionin që ajo ndien. Dhe përkrahja i ka ardhur nga e gjithë bota sportive, sidomos nga sportistët dhe figurat e sportit në SHBA.

“Unë vetëm po merrem me disa gjëra”, ka thënë Biles pas garës. “Kemi edhe disa ditë para gareve individuale. Do të mundohemi t’i kalojmë këto. Terapia ka ndihmuar shumë, njëjtë si trajtimi mjekësor. Kanë shkuar mirë. Por kur jeni në situatë shumë stresuese, nuk dini si t’i përballoni gjithë këto emocione, sidomos në Lojëra Olimpike”.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, arriti në arenë dhe foli me Biles.

“Kam dashur që këto lojëra të jenë për mua. Kam ardhur dhe kam ndier që ende po e bëj për të tjerët. Kjo më ka lënduar zemrën. Të bëj atë që dua është marrë nga unë për të kënaqur të tjerët”, ka theksuar amerikania Biles.

Gara ekipore në gjimnastikë është shumë interesante. Tetë ekipet finaliste ndahen në katër grupe dhe garojnë në të njëjtën kohë në disiplinat e ndryshme. SHBA-ja ishte në çift me ekipin e ROC dhe nisën garën në kaprëcimin e kalit gjimnastikor. Vazhduan në paralelen e shkallëzuar, në trarin gjimastikor dhe në fund në parter. Kina ishte me Francën, Belgjika me Britaninë e Madhe dhe Italia me Japoninë. Pasi përfundohej gara në njërën disiplinë, ekipet i ndërronin disiplinat. Gjithsej ishin katër rotacione.

Kishte shumë lëvizje të bukura në të gjitha veglat e po ashtu në dysheme. Por, munguan prej asaj që pritej më së shumti. Dhe titulli shkoi në Rusi, jo në SHBA.