Për yllin amerikan të gjimnastikës, Simone Biles, e bronzta ka vlerën e arit. Biles ka garuar për herë të parë që nga gara ekipore në Tokio 2020, duke fituar të bronztën të martën në traun gjimnastikor.
Për Biles është medalja e shtatë olimpike në karrierë. Të artën e fitoi kinezja Chenchen Guan, ndërsa kinezja tjetër Xijing Tang fitoi medaljen e argjendtë.
“(E bronzta) do të thotë më shumë se të gjitha të artat pasi kam kaluar nëpër shumë gjëra në pesë vjetët e fundit dhe në javën e fundit derisa isha këtu. Ishte thjeshtë... ishte shumë emocionale”, ka thënë Biles për NBC. “Dhe jam shumë krenare për veten dhe për të gjitha këto vajza po ashtu. Nuk jam brengosur për rezultatin. Isha e lumtur që e përfundova ushtrimin dhe që garova sërish”.
Ajo ishte tërhequr në mes të garës ekipore për shkak të problemeve mentale. Nuk kishte garuar në disa gara individuale, ndërsa u kthye të martën. Ajo është e vetëdijshme për ndikimin që ka sa i takon shëndetit mental, sidomos për sportistë.
“Në fund të fundit ne nuk jemi vetëm argëtues. Jemi njerëz po ashtu. Ka gjëra që na ndodhin prapa skenës. Është dashur të bëj një hap prapa dhe të fokusohem te vetja”, ka shtuar gjimnastja më e mirë e të gjitha kohërave.
Biles kishte fituar pesë medalje në Rio 2016, ndërsa tani i ka dy medalje në Tokio 2020. Por vlerësohet lart ndikimi i saj në përpjëkjet për më shumë vëmendje për shëndetin mental të sportistëve. Lojërat e Tokios nuk kanë shkuar ashtu si pritej për Biles. Përvojën në Olimpiadën e Tokios ajo e vlerëson si një prej të cilës duhet të mësojnë të gjithë. Por, për çka është ajo krenare?
“Përfundimisht që kam sjellë dritë në diskutimet për shëndetin mental. Është një gjë me të cilën përballen njerëzit. Edhe ne jemi njerëz dhe kemi ndjenja. Pas garës ekipore, ne kemi shkuaër në fshat dhe sinqerisht kam pritur të ndihem pak e turpëruar. Sportistët kanë ardhur duke më thënë se sa shumë do të thotë për ta, sa shumë kam bërë për botën e tyre. Ishte ndjenja më e çmendur që kam pasur ndonjëherë. Në atë moment jam ndier se ‘ka më shumë se gjimnastika dhe medaljet’”, ka thënë 24-vjeçarja Biles.
Më herët këtë vit kishte lënë hapur mundësinë që të garoj në Parisi 2024, ndërsa pas garës në traun gjimnastikor amerikania ka theksuar se është e gatshme për të qëndruar pak anash. Por ajo nuk ka përjashtuar asgjë.
“Së pari duhet të mendoj për të gjitha gjërat që ndodhën këtu. Kishte shumë. Ishin pesë vjet shumë të gjatë”.
Ajo ishte tërhequr nga gara ekipore për shkak të stresit dhe presionit që kishte ndier. Dhe përkrahja e botës së sportit ndaj saj ishte jashtëzakonisht e madhe.