Jasmine Camacho-Quinn ka shkëlqyer në vrapimin 100 metra me pengesa dhe është bërë sportistja e dytë nga Porto Riko që ka fituar medaljen e artë.
24-vjeçarja kishte kohë prej 12:37 sekonda, të hënën në Stadiumin Olimpik në Tokio, duke lënë prapa amerikanen Kendra Harrison.
Në garën e fortë për pozitën e dytë, Harrison e kaloi vijën për 12:52 sekonda, vetëm 0.03 sekonda para Megan Tapper të Xhamajkës që fitoi të bronztën.
Camacho-Quinn nuk ia ka dalë të përmirësojë rekordin olimpik prej 12:26 sekonda që e kishte vënë në gjysmëfinale. Por ka fituar medaljen e parë në atletikë në histori të Porto Rikos dhe të dytën e vendit gjithsej. Tenistja Monica Puig kishte fituar të artën në vitin 2016.
Ishte një lloj shpërblimi për Camacho-Quinn, për të cilën përvoja e parë në Olimpiadë ishte e dhimbshme – ishte diskualifikuar në vitin 2016. Në Rio ajo ishte prej lidereve në gjysmëfinale para se të prekte pengesën e tetë. Duke dështuar të mbaj ritmin dhe formën, ajo kishte rrëzuar të nëntën, para se të ndalej në shteg.
Rruga deri në Tokio ishte me rënie e ngritje.
“Kam vrapuar për rekord botëror. Kam goditur pengesa, por çdo gjë ndodhë për një arsye. Jam rikthyer dhe kam fituar të artën. Të artën time të parë. Të gjithë ne duhet të shpërblehemi për këtë. Ne ia dolëm”, ka thënë ajo.
Edhe për Harrisonin 2016-a ishte vit i paharruar. Amerikania kishte vendosur rekord të botës prej 12:20 sekonda në vrapim 100 metra me pengesa. Por kishte dështuar të kualifikohej në Lojërat e Rios, pasi përfundoi e katërta në garën amerikane.
“Kam munguar në vitin 2016 për t’u kthyer këtu dhe për të fituar medalje për vendin tim. Nuk mund të jem më e lumtur”, ka thënë Harrison.
“Ndihem shumë mirë. Ju punoni shumë për këtë dhe ushtroni fuqishëm. Të dalësh në podium është e jashtëzakonshme”.