Tokio 2020

Biles fiton të bronztën në traun gjimnastikor

Gjimnastja amerikane Simone Biles ka fituar medaljen e bronztë olimpike në Tokio në traun gjimnastikor të martën.

Superylli i gjimnastikës, ishte tërhequr nga garat, pas dështimit të saj në garë ekipore, duke thënë se dëshiron të kujdeset për shëndetin mental.

Ajo është rikthyer në garë të martën dhe fitoi të bronztën.

Përfundoi pas kinezeve Chenchen Guan dhe Xijing Tang që fituan medaljen e artë përkatësisht të argjendtë.

Për Bilesin është medalja e dytë në Tokio, pas të argjendtës në garën ekipore.

Ajo në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro kishte fituar katër të arta dhe një të bronztë. Ka 19 medalje të arta botërore, tri të argjendta e tri të bronzta.