Tokio 2020

Kinezi Zou i artë në paralele

Gjimnasti nga Kina, Zou Jingyuan e ka fituar të martën medaljen e artë në paralele. Zou pati një rezultat prej 16.233 pikë, që ishte më i larti në çdo ngjarje të gjimnastikës gjatë nëntë ditëve të garave në “Ariake Gymnastics Center”.

Zou edhe në kualifikime ishte fantastik, por në finale arriti ta sigurojë medaljen e artë, pas të bronztës që e fitoi në garat ekipore javën e kaluar. Lukas Dauser i Gjermanisë e mori medaljen e argjendtë në paralele, duke e lënë pas vetes turkun Ferhat Arican që e fitoi të bronztën.

Amerikani Sam Mikulak, që po paraqitet në Olimpiadën e tij të tretë, përfundoi i gjashti në finalen me tetë gjimnastë.