Tokio 2020

Atletja holandeze konfirmon synimin historik në tri gara në Olimpiadë

 

Atletja holandeze Sifan Hassan ka njoftuar se do të bëjë një “sulm të guximshëm dhe historik” në tri gara të vrapimit – 1500 metra, 5000 metra dhe 10 mijë metra – në Lojërat Olimpike të Tokios. Dhe, në të tri garat, Hassan synon medalje të artë. Përpjekja e saj e trefishtë për të artën në Olimpiadë, do të përfshijë gjashtë gara të vështira në tetë ditë, duke përfshirë garën në vrapimin 1500 metra të hënën në mëngjes, e ndjekur nga finalja në 5000 metra në të njëjtën natë, në temperatura mbi 30 gradë Celsius dhe lagështi të lartë.

Mirëpo, Hassan, e cila fitoi të artën në 1500 metra dhe 10 mijë metra në Doha, në vitin 2019 dhe mbajti shkurtimisht rekordin botëror në 10 mijë metra në qershor, tha se me padurim po i pret të tri garat në Tokio, ku beson se do të jetë e suksesshme. Ajo shtoi se arsyeja që vendosi të garoj në këto disiplina për njëherë, ishte se dëshironte ta sfidonte veten në distancat e saj të preferuara.