Tokio 2020

Në KOK, krenarë me medaljet e arta në Tokio, synojnë edhe më shumë në Paris

Pas dy medaljeve të arta të fituara në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), synojnë që pas tre vjetësh në Paris, ky numër të shtohet. Në fakt, kreu i KOK-ut, Ismet Krasniqi, beson se në LO “Parisi 2024” nuk do të shtohet vetëm numri i medaljeve, por edhe i sportistëve pjesëmarrës. Kosova i ka fituar dy medalje të arta në Tokio, falë xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Krasniqi triumfoi në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Gjakova në atë deri 57 kilogramë. Krasniqi ka pranuar se nuk ka pritur dy medalje të arta nga Tokio, sukses të cilin e ka quajtur historik pas atij të Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”.

Ai ka vlerësuar paraqitjet e të gjithë sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike të Tokios. Kosova në këtë ngjarje u përfaqësua me 11 sportistë, prej të cilëve vetëm gjashtë ishin me normë olimpike. Vetëm edhe një sportist i ekipit olimpik të Kosovës nuk ka garuar. Mundësi Egzon Shala do të garojë më 5 gusht në kategorinë deri në 125 kilogramë, derisa të tjerët i kanë përfunduar garat.

“Është një sukses shumë i mirë. Sukses i pritur, ndoshta jo dy medalje të arta. Kemi pritur më shumë se një medalje të artë, pra edhe një të argjendtë apo një të bronztë. Por, dy medalje të arta është një sukses historik pas atij të Majlinda Kelmendit në vitin 2016 dhe jam shumë i lumtur e krenar”, është shprehur Krasniqi. “Distria e Nora na kanë bërë krenarë, por edhe të gjithë sportistët e tjerë me paraqitjet dinjitoze. Atmosfera ishte shumë e mirë brenda ekipit olimpik. Të gjithë ishin të bashkuar, kanë punuar së bashku dhe kanë përkrahur njëri-tjetrin. Kështu që, suksesi i Norës dhe Distrisë është sukses i përbashkët i të gjithë ekipit olimpik, kështu e cilësoj”.

Pas dy medaljeve të arta që sporti i xhudos ia siguroi Kosovës në Olimpiadë, Krasniqi është i bindur se edhe sportet e tjera do ta marrin shembull punën e trajnerit Driton Kuka, i cili në dy paraqitjet e tij në Lojërat Olimpike me Kosovën ka fituar tri medalje të arta. Madje, Krasniqi porositi të gjithë sportistët e tjerë që të marrin mësim nga xhudistet Krasniqi e Gjakova për punën e bërë.

“Besoj që tashmë sportet e tjera kanë marrë mësim nga xhudoja dhe besoj që të gjithë trajnerët e Kosovës të shkojnë rrugës së Driton Kukës, që të punojnë seriozisht dhe të përkushtohen më shumë në sport”, tha Krasniqi. “Mesazhi im është që të gjithë sportistët është që të marrin mësim se si duhet fitohet dhe të punohet. Distria dhe Nora shkruan historinë që do të jetë në të gjithë shqiptarinë. Lakmi na kanë të gjitha shtetet e Evropës dhe të botës. Ishim konkurrentë në xhudo me një shtet si Japonia, vend në të cilin ka lindur xhudoja. Është për t’u krenuar që edhe Japonia na e ka lakmi”.

Krasniqi është optimist se në Lojërat Olimpike të Parisit, si numri i medaljeve ashtu edhe i sportistëve do të shtohet.

“Besoj që duhet të përkushtohemi edhe më shumë, sepse tashmë Kosova është mësuar me medalje në çdo Olimpiadë që ka marrë pjesë. Duhet të punojmë edhe më shumë dhe në Paris pas tre vjetësh të kemi më shumë medalje, por edhe më shumë pjesëmarrës”, insistoi Krasniqi.

Krasniqi ka folur edhe për paraqitjen e atletit Musa Hajdari në disiplinën 800 metra vrapim. Ai nuk arriti të kualifikohet në gjysmëfinale, pasi doli i fundit në baterinë e parë.

“Një paraqitje që e kemi pritur, bazuar në kushtet e atletikës në Kosovë. Mund të them se paraqitje mjaft e mirë e Hajdarit dhe besoj se do t’i përmirësojmë kushtet për të ardhmen që të kemi më shumë pjesë për t’u stërvitur atletët. Besoj se nuk jemi larg dhe me një punë të përkushtuar mund t’i afrohemi medaljes në të ardhmen”, tha Krasniqi, që foli edhe për pritjet e mundësit Shala. “Në përgjithësi, paraqitjet e sportistëve tanë ishin mjaft të mira. Më 5 gusht e kemi edhe sportistin e fundit, mundësin Egzon Shala. Ai ka një konkurrencë mjaft të mirë, por me pak fat mund të shkojë më larg”.

Në xhiron e parë, Shala do të përballet me bjellorusin Dzianis Khramiankou. E nëse kalon në xhiron e dytë, atëherë Shala do të përballet me fituesin e duelit mes gjeorgjianit Geno Petriashvili dhe rusit Sergei Kozyeev.