Japonia ka thyer rekordin e saj për medalje të arta të fituara në një pjesëmarrje të vetme në Lojërat Olimpike. Kombi pritës i Olimpiadës ka ende edhe nëntë ditë të garave dhe numri i medaljeve të arta për Japoninë mund të shtohet.
Fitorja e japonezëve 45-36 kundër ekipit të rusëve në finalen e konkurrencës ekipore në garat e skermës të premten solli medaljen e 17-të të artë për Japoninë në Tokio.
Ka kaluar një javë nga ceremonia e hapjes dhe ngjarjet e fundit të ndarjes së medaljeve janë më 8 gusht, kur edhe do të mbahet ceremonia mbyllëse e Olimpiadës.
Rekordi i mëparshëm i Japonisë për medaljet e arta ishte në Lojërat Olimpike “Tokio 1964” dhe “Athina 2004”. Në të dy këto Olimpiada, Japonia kishte fituar nga 16 medalje të arta.
Mirëpo, që nga ajo kohë, numri i ngjarjeve sportive në programin olimpik është rritur. Ekipi olimpik i Japonisë përbëhet prej më shumë se 600 sportistë në Tokio dhe është më i madhi i këtij vendi ndonjëherë në këtë ngjarje. Shumë nga ata sportistë gjithashtu kanë më shumë mundësi këto ditë për të arritur në podium në ngjarjet ekipore ose të përziera krahas garave të tyre individuale në shumë disiplina sportive.
Shumica e atyre medaljeve të arta - nëntë nga 17 - kanë ardhur në xhudo. Qëkur xhudistja Naohisa Takato u bë sportistja e parë e vendit pritës që u ngjit në podium të shtunën, arti ushtarak japonez ka qenë një burim i pasur ari.
Skateboarderja 13-vjeçare, Momiji Nishiya, ishte një fituese e njohur e medaljes së artë në debutimin e këtij sporti në Lojërat Olimpike. Ndërsa, notarja Yui Ohashi i ka tejkaluar të gjitha pritjet me dy medalje të arta. Medalja e 17-të e artë bëri që Japonia të bëhej kombi i parë aziatik që fitoi në garën ekipore të skermës në konkurrencën e meshkujve duke e mposhtur në finale ekipin e Komitetit Olimpik të Rusisë.
Japonia ishte skuadra e dytë më e dobët e renditur në turne, por mposhti Francën e rangut të lartë me rezultatin 45-44 në çerekfinale. Në finale, Koki Kano mundi garuesin e kategorisë së dytë Sergey Bida 8-3 në ndeshjen e fundit, për ta vulosur fitoren e Japonisë. Asnjë ekip nga jashtë Evropës nuk kishte dalë në podium që nga Kuba në Lojërat Olimpike të Sidneit të mbajtur në vitin 200.
Ndërkohë, Koreja e Jugut e mundi Kinën me rezultatin 45-42, për ta fituar medaljen e bronztë. Megjithatë, në tabelën e përgjithshme të medaljeve të fituara deri më tani në Lojërat e Tokios, Japonia renditet e dyta pas Kinës. Japonia deri më tani në total ka 28 medalje të fituara, ku krahas 17 të artave i ka edhe katër të argjendta e shtatë të bronzta. Ndërkohë Kina, që prin në këtë tabelë, ka fituar deri më tani 40 medalje në total – 19 të arta, dhjetë të argjendta dhe 11 të bronzta. Në pozitën e tretë renditet SHBA-ja me 41 medalje, prej të cilave ka 14 të arta, 16 të argjendta dhe 11 të bronzta.