Ekipi olimpik i Australisë ka pasur një fillim optimist në kampanjën e Lojërave Olimpike të Tokios. Me nëntë medalje të arta deri të premten në mesditë, australianët tashmë kanë kaluar rekordin e tyre të medaljeve para pesë vjetësh në Rio, kur kanë mbetur më shumë se një javë deri të ceremonia mbyllëse e kësaj ngjarjeje shumësportëshe. Ka shumë shpjegime për këtë sukses: performanca e jashtëzakonshme individuale, fati i mirë, financimi i mjaftueshëm dhe planifikimi i kujdesshëm. Mirëpo, ka një faktor tjetër që nxit atmosferën e një ndjenje të mirë të Australisë në Fshatin Olimpik: kafeja e mirë.
Komiteti Olimpik i Australisë (AOC) kishte planifikuar me përpikëri çdo aspekt të pjesëmarrjes së ekipit në Tokio, dhe ishte dyfishuar në detajet më të vogla kur koronavirusi ndërpreu Lojërat vitin e kaluar. Ky planifikim shtrihej në organizimin e një karroce kafeje në pjesën australiane të fshatit olimpik, për të siguruar që sportistët të shijonin shijen e shtëpisë në Tokio. Por edhe planifikuesit e AOC-së u befasuan për të mirë kur në Fshatin Olimpik arriti një prej baristëve i angazhuar për kafe. Elliot Johnson, një fanatik i kafesë në Melburn, i cili ka qëndruar në Japoni për gati pesë vjet, ishte një zgjedhje e përshtatshme - nëse ishte e rastësishme - për një nga punët më të rëndësishme në Fshatin Olimpik. Pas punës në baret “Breakfast Thieves” në Fitzroy dhe “Little Rogue” në Melburn, Johnson u zhvendos në Japoni në fund të vitit 2016. Ai ka qenë duke bërë kafe në barin “Hokkaido”, që gjendet në ishullin kryesor të Japonisë, para se të nisej për në Tokio kur u angazhua për kafetë e sportistëve australianë.
“Kompania që është përgjegjëse për karrocën e kafesë - pronari i degës japoneze ka qenë një shok i imi qëkur u transferova në Japoni. Ai më dërgoi një mesazh disa muaj më parë, duke thënë se a do të isha i interesuar të punoja në Lojërat Olimpike, saktësisht në Fshatin Olimpik për ekipin e Australisë dhe pastaj gjërat rrodhën vetvetiu”, thotë Johnson.
Roli i Johnsonit në Fshatin Olimpik mund të ketë ardhur rastësisht, por baristi i Melburnit është përqafuar nga ekipi australian.
“Ai bën kafe shumë të mirë”, thotë Susie O'Neill, një ish-notare olimpike dhe zëvendës-kuzhiniere për ekipin australian në Fshat.
Baristi Johnson dhe kolegu i tij kanë bërë 600 kafe çdo ditë, nga ora 06:30 e tutje, duke përdorur tri aparate të kafesë.
“Ne me të vërtetë po i pompojmë 600 kafe dhe ata po ndiejnë nxehtësinë”, thotë ai.
Sportistët australianë po shijojnë një përzierje të kafesë nga Papua Guineja e Re dhe Brazili, të pjekur në vend jo shumë larg fshatit. “Kemi shumë lloje të kafeve, por esspreso ka një shije të shkëlqyeshme”, shtoi Johnson, duke thënë se kafeja e bardhë dhe e fortë mbetet me e kërkuara nga sportistët australianë.
Por, pavarësisht se u shërbeu heronjve fitues të medaljes së artë të Australisë çdo ditë, Johnson thotë se nuk ndihet i lodhur.
“Jam i lodhur, por jam i lumtur që po u shërbej të gjithë sportistëve, ndonëse nuk i njoh të gjithë. Ata janë të kënaqur me kafetë e mia që i shijojnë çdo ditë”, zbulon Johnson.
Në Komitetin Olimpik të Australisë kanë pranuar se karroca e kafesë është vetëm një pjesë e një strategjie për të siguruar që ekipi australian të ndihet si në shtëpi dhe mund të shmangë kontaktin me sportistët e shteteve të tjera, duke minimizuar kështu rrezikun nga koronavirusi. Mirëpo nëse flisni me çdo sportist të Australisë, ata do të pranojnë se kafeja që u shërbehet në Fshatin Olimpik ka një vend të veçantë në zemrat e tyre. I tillë është popullariteti i Johnson, saqë atij iu dha një uniformë zyrtare e ekipit.
“Të gjithë kanë qenë aq mikpritës”, thotë Johnson. “Të gjithë janë thjesht të entuziazmuar që pinë një kafe të mirë”.