Amerikanët duartrokitën himnin kombëtar iranian. Iranianët duartrokitën himnin e SHBA-së. Kishte disa shtrëngime duarsh para, shumë më shumë shtrëngime duarsh pas, dhe fjalë sportive midis lojtarëve gjatë gjithë lojës. Për dy orë ishte diplomaci basketbolli.
Është ende disi e rrallë që SHBA-ja dhe Irani - kombe që nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike për më shumë se katër dekada - të mblidhen në çdo gjë, nga ngjarjet sportive e deri te bisedimet bërthamore. Ndodhi të mërkurën në Lojërat Olimpike të Tokios, ku SHBA-ja lehtësisht mposhti Iranin 120:66, një rezultat që së shpejti mund të harrohet, por një skenë që mund të mbahet mend gjatë.
“Në përgjithësi, unë mendoj se njerëzit në vende të ndryshme shkojnë shumë më mirë sesa qeveritë e tyre”, tha trajneri amerikan Gregg Popovich.
Gjithsesi, dukej se ishte kështu të mërkurën në Saitama. Popovich shtrëngoi duart me trajnerin e Iranit, Mehran Shahintab dhe anëtarët e stafit të tij para dhe pas ndeshjes, duke komplimentuar mënyrën se si iranianët - një grup me një ish-lojtar të NBA-së kundër një ekipi prej 12 lojtarësh aktualë të NBA-së – u paraqitën. Për trajnerin e Iranit nuk ishte asgjë e pazakontë që t’i shkëmbente disa fjalë pas ndeshjes me homologun e tij amerikan.
“Njerëzit janë të ndryshëm dhe të ndarë nga politika”, tha Shahintab.
Kanë kaluar 41 vjet qëkur SHBA-ja dhe Irani i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, një lëvizje që erdhi disa muaj pasi Irani mori Ambasadën amerikane në Teheran më 4 nëntor të vitit 1979 dhe duke shkaktuar atë që u bë një krizë 444-ditore me pengje. Ka pasur sanksione dëmtuese ekonomike të vendosura në Teheran nga Washingtoni dhe një tërheqje të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e fuqive botërore nga ish-presidenti Donald Trump, flamuj të SHBA-së shpesh digjen në tubime dhe protesta në rrugët e Teheranit. Mirëpo, sportet janë shpesh një forcë bashkuese ndërmjet shteteve që nuk kanë raporte të mira politike. Ndoshta shembulli më i famshëm është ajo që njihet ende si “diplomacia e pingpongut” - kur pingpongistët nga SHBA-ja dhe Kina luajtën në fillim të viteve 1970 dhe në thelb filluan një përmirësim të madh të marrëdhënieve midis dy vendeve. Olimpiadat gjithashtu kanë tendencë të krijojnë momente që me gjasë nuk do të ndodhnin në botën politike. Në fillim të kësaj jave, Shahintab shtrëngoi duart me trajnerin e Çekisë pas lojës; ai trajner, Ronen Ginzburg, është nga Izraeli - një komb që Irani nuk e njeh. Nëse udhëheqësit politikë nga Irani dhe Izraeli shtrëngojnë duart, do të ishte një lajm në faqen e parë. Në Lojërat Olimpike, kjo ndodhi pa bujë.
“Ne jemi thjesht këtu për të luajtur basketboll”, tha qendra e Iranit, Hamed Haddadi.
Edhe në mes të retorikës politike tashmë me dekada, SHBA-ja dhe Irani kanë treguar se sportistët e këtyre kombeve mund të bashkëjetojnë. Mundësit nga SHBA-ja shkuan në Iran në vitin 1998, ku ishin të rrethuar në rrugë - në një mënyrë të mirë. Mundja është jashtëzakonisht e popullarizuar në Iran, kështu që kur ai grup amerikan doli për të blerë, ata e gjetën veten duke shtrënguar duart dhe duke bërë fotografi. Ka pasur ngjarje të tjera mundjeje që përfshinin kombet që nga ajo kohë.
“Sapo të shkoni te politikanët, ajo lloj gjëje, ajo bëhet shumë më e komplikuar: interesat vetjake, ideologjitë dhe agjendat personale”, tha Popovich. “Por njerëzit në përgjithësi shkojnë mirë, e vlerësojnë njëri-tjetrin, pa marrë parasysh për cilin vend po flisni. Unë vërtet e besoj këtë. Unë gjithmonë e kam besuar atë”.
Të paktën një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare të sportit nuk ishte i befasuar që loja e basketbollit SHBA-Iran ndodhi pa incidente.
“Nuk ka mundur të ketë incidente, sepse ata janë sportistë elitarë. Po të kishte incidente, sigurisht se do të dëmtohej reputacioni i sportit të dytë më të popullarizuar globalisht, basketbollit”, tha Heather Dichter, një profesoreshë në Menaxhimin e Sportit dhe Historisë së Sportit në universitetin “De Montfort” në Angli.
Disa nga lojtarët në ekipin amerikan e njihnin Haddadin, qendrën iraniane me përvojë të kaluar në NBA. Shumë nga lojtarët e Iranit nuk i kishin takuar basketbollistët e SHBA-së më parë, dhe amerikanët nuk hezituan për asnjë moment të flasin për lojën. Atyre nuk iu interesoi se si takimi midis kombeve mund të perceptohet në qarqet diplomatike.
“Unë mendoj se është politike, apo jo? Ne qëndrojmë larg kësaj, sepse neve në intereson vetëm basketbolli”, tha basketbollisti i SHBA-së, Kevin Durant.
Popovich lavdëroi sistemin e lojës që trajnerët iranianë kishin instaluar, komplimentoi mënyrën se si kundërshtarët sulmuan dhe uroi homologun e tij, Shahintab pas ndeshjes. Ai nuk mund ta imagjinonte që takimi të shkonte ndryshe.
“Lojërat Olimpike, ky është një vend dhe kohë ku sportet i kapërcejnë të gjitha ato gjëra të vogla mes qeverive”, tha Popovich. “Nuk është për t'u habitur që trajnerët kënaqeshin të takoheshin dhe bisedonin me njëri -tjetrin, që lojtarët treguan aftësi sportive. Ne thjesht dëshirojmë që kjo të ndodhë në jetën reale”.