Tokio 2020

Gara e bukur e kërcimit në ujë

 

Tokio, 28 korrik - Duken si një trup i vetëm. Ecin me hapa të njëjtë deri te vendi prej nga duhet të kërcejnë. Koncentrohen, në dukje, në mënyrë të njëjtë. Hapin duart njëjtë. Shtyten. Nisen në momentin e njëjtë. Shkëputen lart dhe bëjnë rrotullime e kthime të ndryshme në ajër. Bien në ujë. Natyrisht gati njëjtë dhe në kohë sa më të përafërt. Ata që bëjnë lëvizjet më të bukura, më të vështira dhe në mënyrë sa më të njëjtë, në fund shpallen fitues. Të mërkurën ishin kinezët. Bëhet fjalë për garën e kërcimit të sinkronizuar në ujë nga trampolina në tri metra lartësi. Në finale ishin tetë ekipe që përbëhen nga dy garues: SHBA-ja, Komiteti Olimpik i Rusisë, Japonia, Meksika, Italia, Britania e Madhe, Kina e Gjermania.

Gara finale u mbajt të mërkurën në mesditë, në Aquatics Centre në Tokio, në kuadër të Lojërave Olimpike. Nisi afro dy orë pasi përfundoi pjesa e parë e garave të notit. Interesimi për garën e kërcimit në ujë ishte shumë më i vogël.