Nora Gjakova thotë se medalja e saj e artë olimpike nuk do të ishte e mundur pa Majlinda Kelmendin.
Gjakova sot fitoi të artën olimpike në “Tokio 2020”, në kategorinë deri 57 kilogramë në xhudo. Për Kosovën është medalja e tretë e artë olimpike në përgjithësi dhe e dyta në Tokio.
Të artën e parë olimpike e kishte fituar Majlinda Kelmendi në “Rio 2016”, ndërsa të shtunën Distria Krasniqi fitoi të artën në Tokio.
“Nuk ishte lufta më e bukur, por nuk ka rëndësi; me rëndësi ishte të fitoja. Dua ta falënderoj Majlindën. Ajo shtroi rrugën dhe na përkrahu gjithë ne. Pa të, medalja e artë e Distrisë dhe imja nuk do të ndodhte kurrë”, ka thënë Gjakova për kanalin zyrtar të Lojërave Olimpike.
Deklarata e Norës është vlerësuar si deklaratë e ditës nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.