Tokio 2020

“Krenaria e Kosovës”, liderët kosovarë mburren me fitoren e Distria Krasniqit

Festë në Prishtinë, urime nga liderët për "krenarinë e Kosovës" (20:50)

Për xhudisten Distria Krasniqi, qindra qytetarë u mblodhën të shtunën pasdite në sheshin "Zahiri Pajaziti" në Prishtinë.

Festa e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Departamenti i Sportit dhe Kulturës i Komunës së Prishtinës, u shoqërua me muzikë dhe fishekzjarrë, derisa nga KOK-u thanë se pos Majlinda Kelmendit, po shndrisin edhe sportistët e tjerë kosovarë.

“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Presim podium edhe Majlindën, Norën, Lorianën, Akilin, Egzon Shalën, Musa Hajdarin, Donjeta Sadikun dhe shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndrisin në Kosovë”, ka thënë Musa Selimi anëtar i Bordit të KOK-ut.

Triumfin e Distria Krasniqit e uruan liderë partish, krerë institucionesh dhe individë nga bota e sportit dhe artit.


Fitorja e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” nga Distria Krasniqi është mirëpritur me gëzim të madh në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani e cila është edhe vetë në Tokio, tha se fitorja e Distrias është nder, krenari e lumturi e papërshkrueshme.

“Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës. Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo”, shkroi Osmani.

Në Facebook reagoi edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. “Kosova zemërmadhe – e artë në Lojërat Olimpike”, shkroi ai bashkangjitur me një fotografi të ekipit në Tokio.

Kryeministri Albin Kurti shkroi se me zemër është në Tokio. “Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh”, tha ai.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sot Distria arriti të bëhej më e mira në xhudo ashtu siç synonte.

“Një ngjitje e jashtëzakonshme drejt së artës olimpike. E mbaj mend Distrian si një 15 vjeçare që me shumë pasion e punë synonte të bëhej më e mira në xhudo - jo vetëm për shkëlqimin e saj, por edhe të Kosovës. Dhe ajo sot e arriti këtë! Të lumtë Distria! Faleminderit për këto emocione, faleminderit për medaljen e dytë të artë olimpike për vendin tonë. Faleminderit mjeshtrit të papërsëritshëm Toni Kuka”, shkroi Krasniqi.

E, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi se Krasniqi ua hapi rrugën medaljeve të tjera për kosovarët atje.

“Sportistët tanë, të rinjtë e të rejat tona, mbesin ambasadorët më të denjë të Republikës. Janë pasuria më e madhe e vendit tonë. Na mbajnë faqebardhë e na bëjnë zemrat mal me çdo paraqitje gjithandej nëpër botë. Janë inspirim i vërtetë për plot të tjerë që një ditë ëndërrojnë ta bëjnë krenar një komb të tërë”, shkroi Abdixhiku.

Ramush Haradinaj nga AAK duke e quajtur “vajza e artë” Distria Krasniqin, falënderoi atë dhe trajtnerin “për secilin sukses dhe emocion”.

Historike e quajti edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, fitoren madhështore të Krasniqit.

Urime ka shprehur edhe Ambasada amerikane përmes Twitterit, duke e quajtur Distria Krasniqin si shembull inspirues për kosovarët.