Tokio 2020

Udhëtimi për në Tokio në mesin e shumë sportistëve dhe së bashku me presidenten

Descriptive Text

Atmosfera në aeroplan në fluturimin e së enjtes në mëngjes nga Stambolli për në Tokio i shkonte për shtat ngjarjes më të madhe sportive që fillon të premten në kryeqendrën e Japonisë.

Sportistët rrinin kryesisht të qetë, pa komunikuar shumë mes vete. E kishin ndarë mendjen që udhëtimin e gjatë ta shfrytëzonin për të fjetur sa më shumë, që në Tokio të arrinin sa më pak të lodhur.

Universaliteti, njëri prej parimeve të lëvizjes olimpike po “respektohej”, në fluturimin për në Tokio, ku të premten fillojnë Lojërat Olimpike Verore.

Kishte sportistë nga shumë shtete e disa kontinente. Kishte sportistë të sporteve të ndryshme, me uniforma të ndryshme. Dominonin sportistët nga Ukraina, por kishte edhe nga Hungaria, Azerbajxhani, Sllovenia, Mali i Zi, Brazili, Mauritania, Gaboni... Ishte edhe një person me rekuizita të Shqipërisë e po ashtu një grup i vogël me rekuizita që në shpinë iu shkruante “Kosovo”.

Dy sportistë e tre drejtues sportivë e bënë të mërkurën rrugën nga Prishtina për në Tokio. Notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli kishin agjendën e njëjtë me Agron Kukën, kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Avni Nuhën, anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, dhe Gëzim Hazrollin, që merr pjesë në Lojëra Olimpike si trajner i shenjëtarisë.

Po përmes Stambollit në Tokio kanë udhëtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e po ashtu edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.

Presidentja Osmani ishte e shoqëruar nga një këshilltare dhe një pjesëtar i sigurisë. Ajo në Tokio pos që do ta përcjellë nga afër paraqitjen e disa prej sportistëve të Kosovës, pritet të ketë edhe takime të shumta me drejtues të shteteve.

Notarja Eda Zeqiri dhe notari Olt Kondirolli marrin pjesë në Lojërat e Tokios falë ftesës. Ata janë vendosur të enjten mbrëma në Fshatin Olimpik në Tokio dhe tashmë shumica e sportistëve kosovarë janë aty.

Eda e Olti nuk kanë pretendime të mëdha nga Lojërat Olimpike. Përmirësimi i rekordeve personale dhe eventualisht lënia pas e më shumë sportistëve do të ishte sukses.

Shumë më tepër pritet prej xhudistëve, që marrin pjesë me normë. Ata të enjten i mësuan kundërshtarët e parë dhe rrugën eventuale deri në podium. Me normë është edhe mundësi Egzon Shala, kurse me ftesë janë edhe qitësi Drilon Ibrahimi, atleti Musa Hajdari dhe boksierja Donjeta Sadiku. Edhe Donjeta e ka mësuar kundërshtaren e parë.

Në të vërtetë, gjithë garuesit e Kosovës tashmë janë të fokusuar te paraqitja në Lojërat Olimpike. Ndonëse në pak sporte kanë nisur garat, ceremonia hapëse është të premten. Prej të shtunës garat janë të shumta e thuajse të pandalshme. Prej sportistëve të Kosovës e para garon Distria Krasniqi, shpresa më e madhe për medalje.

Të fokusuar ishin edhe sportistët që të enjten në mëngjes fluturuan përmes Stambollit për në Tokio. Thuajse gjithë fluturimin prej 11 orësh e kanë kaluar në gjumë. Pas ngarkesave të mëdha në stërvitje, një udhëtim më pak i lodhshëm e ka ndikimin e vet të madh.

Në mbrëmje, sipas kohës në Japoni, aeroplani gjigant ka aterruar në Aeroportin Haneda. Aty ishte edhe më qartë atmosfera olimpike. Qindra sportistë, trajnerë e zyrtarë duke u ngutur për të përfunduar procedurat jo të pakta për ta lëshuar aeroportin.

Për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus, në Japoni masat janë më të rrepta. Organizatorët kanë hequr dorë nga mundësia që në ngjarje sportive të ketë shikues. Fillimisht ishte thënë se do të lejoheshin vetëm tifozët vendës, por pas valës së fundit të infektimeve u vendos që ngjarja më e madhe sportive të mbahet pa praninë e shikuesve në stadiume. Ka pasur protesta në Tokio për të kundërshtuar mbajtjen e Lojërave Olimpike, ndërkohë që numri i të infektuarve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë. Por organizatorët lokalë dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kanë vendosur ta mbajnë ngjarjen, që ka ndikim të madh edhe financiar në shumë vende të botës. Anulimi në fazë të vonshme i Olimpiadës do të ishte goditje shumë e rëndë.

Dhe organizatorët në vend të anulimit kanë vendosur për masa shtesë për gjithë pjesëmarrësit. Kjo bëhej e qartë me të hyrë në brendi të aeroportit. Për të dalë nga aeroporti procedura ishte shumë e gjatë dhe kalonte në faza të shumta, të paktën gjashtë. Fillimisht evidentohej plotësimi i një aplikacioni që e ka përfshirë Qeveria e Japonisë për të parandaluar përhapjen eventuale të virusit. Më pas jepeshin të dhënat në një vend tjetër dhe vazhdohej me testim për COVID-19. Të dhëna të tjera kërkoheshin në vazhdim dhe procedura vazhdonte edhe me disa hapa të tjerë. Binin në sy buzëqeshja e vazhdueshme dhe angazhimi i madh i të angazhuarve lokalë në aeroport për të asistuar të gjithë. Dhe kalimi nga një fazë në fazën tjetër të procedurës bëhej fare i lehtë falë asistimit të stafit lokal japonez. Edhe nëse procedura komplikohej dhe qëndrimi në aeroport zgjatej për 4-5 orë për shkak të lëshimeve në nivele të ndryshme, stafi lokal ishte vazhdimisht në gatishmëri. Ekipi i Kosovës e ka kaluar pa komplikime gjithë procedurën, por gazetari i KOHËS dhe dhjetëra të tjerë është dashur të qëndronin më gjatë.

Atmosferë e njëjtë është edhe në fshatin olimpik. Në të vërtetë, në të gjitha ngjarjet e mëdha sportive prej pandemisë e tutje, atmosfera është më e zbehtë. Sportistëve u kërkohet që të shmangin kontaktet, të qëndrojnë me ekipet e tyre dhe të mos lëvizin pos në arenat ku ushtrojnë e garojnë. Edhe në fshatin olimpik, të paktën deri të enjten, atmosfera e zakonshme olimpike ka munguar, kanë njoftuar nga KOK-u. Ka shumë kërkesa e masa për sportistë dhe për përcjellësit e tyre. Dhe sportistët lëvizjen e kufizojnë maksimalisht. Ka pak gjasa që kjo të ndryshojë në ditët e ardhshme. Dhe në rrethanat e reja, fokusi është më i madh – të jepet më e mira në arenë dhe eventualisht të synohet medalja.

“Kanë ndryshuar shumë rrethanat në sportin ndërkombëtar. Në të gjitha garat ka rregulla strikte”, tregon Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës. “Ne si xhudistë qëllimin e kemi të qartë – medaljen. Shpresojmë të na shpaguhen mundi dhe sakrifica e deritashme”, ka shtuar ai.

Xhudistët kanë udhëtuar një javë më herët për në Japoni dhe të enjten janë vendosur në fshatin olimpik. Distria Krasniqi garon menjëherë të shtunën dhe nuk pritet të jetë në ceremoninë hapëse. Flamurin e Kosovës do ta mbajnë Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.

Sportistët e Kosovës janë në mesin e 11.638 sportistëve që kërkojnë suksesin në Lojërat Olimpike. Natyrisht, vetë pjesëmarrja në ngjarjen më të madhe është sukses.

“Është ndjenjë e veçantë që do të garojmë në Lojëra Olimpike, në skenën më të madhe sportive”, thotë notari Olt Kondirolli.

Lojërat e ardhshme Olimpike do të mbahet menjëherë në vitin 2024. Por një është e sigurt – Lojëra si të Tokios nuk ka pasur ndonjëherë dhe vështirë se do të përsëriten.