Presidentja Osmani udhëtoi për në Japoni për pjesëmarrje në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020 si dhe për takime bilaterale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Olimpike, ndërkaq Presidentja Osmani do t`i mbështesë ata nga afër, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas njoftimit, gjatë ditëve në vijim Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shtetit japonez.
“Gjatë qëndrimit në Tokio, Presidentja Osmani së bashku me liderë të tjerë botërorë do të pritet nga Perandori Naruhito. Teksa në kuadër të takimeve bilaterale, Osmani do të realizojë takime me kryeministrin e Japonisë, Yoshihide Suga, ministrin e jashtëm Toshimitsu Motegi, me përfaqësues të organizatave ekonomike e tregtare si dhe me përfaqësues të tjerë shtetëror”, thuhet në komunikatë.