Tokio 2020

Sportistët shkojnë të vetëm në Tokio, familjarët i shikojnë nga larg

Michael Phelps kapi dorën e nënës së tij, përtej një rrethoje pranë pishinës. Notari 19-vjeçar sapo kishte fituar medaljen e tij të parë olimpike - natyrisht të artë - në lojërat olimpike “Athina 2004” dhe këtë sukses donte ta ndante me gruan që e rriti.

Një lloj feste e tillë, mes më të dashurve, nuk do të ndodhë në lojërat olimpike “Tokio 2020”, që nisin javën tjetër me një vit vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Asnjë spektator - vendas ose i huaj - nuk do të lejohet në shumicën dërrmuese të ngjarjeve, ku sportistët do t’i varin vetë medaljet e fituara, për t'u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit. Po ashtu në podium nuk do të ketë asnjë shtrëngim të duarve apo përqafime.

“Më pëlqen të motivohem me turmën”, tha kampionia e gjimnastikës, amerikania Simone Biles. “Kështu që jam paksa e shqetësuar se si do të paraqitem në ato rrethana, ku nuk do të lejohen shikuesit”.

Vënia në pah e fytyrave të njohura gjatë garës mund të forcojë një sportist në një skenë të madhe. Kjo e ndihmoi Matthew Centrowitzin në provat e atletikës të SHBA-së, ku tifozët u lejuan.

“Duke e parë familjen time në turmë dhe duke i dëgjuar familjarët, e kisha një ndjenjë rehatie dhe atë që duhej të dëgjoja dhe të shihja për të qetësuar pak nervat e mia”, tha Centrowitz, kampioni olimpik në 1500 metra vrapim.

Sportistja më e re në ekipin olimpik të SHBA-së që do të paraqitet në Tokio, e quan “të çuditshëm” faktin që familja e saj nuk do të jetë në tribuna.

“Familjarët zakonisht janë në të gjitha garat e mia”, tha Katie Grimes, një notare 15-vjeçare nga Las Vegasi.

Katie Hoff ishte në të njëjtën moshë me Grimesin, kur ishte anëtarja më e re e ekipit amerikan në vitin 2004 në Athinë. Nervat iu ngritën asaj në ngjarjen e parë. Hoff pati probleme me frymëmarrjen dhe të vjella para se të futej në pishinë për shkak të emocioneve të mëdha.

“Shpresoj se ne notarët me përvojë mund t'u tregojmë të rinjve disa gjëra dhe të krijojmë një mjedis paksa ma familjar, në mënyrë që të mos ndihen të vetmuar”, tha notarja Katie Ledecky, që ka tri medalje të arta olimpike. “Ne do të sigurohemi që të qëndrojmë në kontakt me familjet tona dhe t'i mbajmë të njoftuar me atë që po bëjmë”.

Vendimi për të ndaluar tifozët u mor pas shqetësimeve për shëndetin dhe sigurinë. Lojërat do të mbahen në një gjendje të jashtëzakonshme në Tokio, me rritjen e infeksioneve të koronavirusit në një vend ku 16.8 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.

Variante të ndryshme të koronavirusit po shfaqen në të gjithë botën. Kjo nënkupton se reagimet e anëtarëve të familjeve, të ngazëllyer apo të tronditur e duke qarë në tribuna, do të mungojnë në Tokio. Gjithashtu nuk do të ketë brohoritje të tifozëve duke e valëvitur flamurin e vendit të tyre. Prodhuesit televizivë do të duhet të kërkojnë diku tjetër për atmosferë brenda ngjarjeve sportive.

Djali i Phelpsit, Boomeri, i cili ishte tremuajsh në Olimpiadën e kaluar, u bë një pamje e adhurueshme në pishinën olimpike në vitin 2016. Asnjë fëmijë nuk do të lejohet këtë herë. Njerëzit që i rritën, i ngushëlluan, i financuan dhe i inkurajuan pas lëndimeve dhe humbjeve, do të duhet të jenë të kënaqur për të mbajtur kontaktin me sportistët e tyre përmes telefonatave, teksteve dhe videobisedave, kur nuk i shikojnë garat në pajisje të ndryshme.

“Nëna me tha se në televizor gjithsesi do të më shohë shumë më mirë, ndonëse nuk është njëjtë sikurse në tribunë”, tha notarja holandeze, Kira Toussaint. Nëna e saj, Jolanda de Rover, është fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 1984.

Ofrimi i mbështetjes dhe miqësisë midis sportistëve që zakonisht garojnë individualisht ka marrë një rëndësi të re për trajnerët gjatë pandemisë. Ata po u drejtohen veteranëve për t’i informuar dhe qetësuar të rinjtë që paraqiten për herë të parë në këtë ngjarje të madhe sportive.

“Ne do të duhet të mbështetemi te njëri-tjetri shumë më tepër sesa do të duhej nëse të dashurit tanë do të ishin në gjendje të vinin në Tokio për të na parë”, tha Lindsay Mintenko, drejtoresha e ekipit amerikan të notit. “Lidhja mund të jetë më e fortë, sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër”.

Atletja amerikane në kërcim së larti, Vashti Cunningham do të ketë afër trajnerin e saj, Randall Cunninghamin, i cili është gjithashtu babai i saj. Por asaj do t’i mungojë pjesa tjetër e familjes.

“Thjesht ndihesh mirë të shkosh dhe të hash me ta, të dalësh nëpër dyqane dhe të flasësh për gjithçka. Për këtë arsye është e rëndësishme që familja të jetë në Lojërat Olimpike”, tha ajo. “Por nuk ka shumë rëndësi për mua nëse ka tifozë apo jo. Jam shumë e ngazëllyer të shkoj atje dhe të kërcej. Dëshiroj që familjet tona të vijnë dhe të na shikojnë, por situata është e tillë që duhet pranuar”.

Hedhësi amerikan i diskut, Mason Finley është i përgatitur që në fshatin olimpik të luajë videolojëra me sportistët e tjerë. Gruaja e tij shtatzënë dhe dy qentë e presin në shtëpi.

“Thjesht, do të futem atje sikur në fole dhe do të argëtohem me Nintendo, pasi nuk kam tjetër opsion”, tha ai.

Disa familje sportistësh do të organizojnë ahengje për të shikuar ngjarjet në shtëpi. Nëna e Biles, Nellie nuk do të marrë pjesë.

“Unë do të jem në shtëpi duke parë vetë garat e gjimnastikës dhe vajzën time. Nuk do të shkoj të ndonjë familje tjetër pasi nervozohem”, shtoi ajo.

Familja e notarit Chad le Clos do të shkojë në SHBA për ta parë në televizor, sepse gara e notit do të transmetohet në orën tre të mëngjesit në vendlindjen e tij, në Afrikën e Jugut.

“Duhet të jetë e tmerrshme të më shikosh në tre të mëngjesit, sepse pas garës nuk ke çfarë të bësh. Kështu që familja ime do të më përkrah nga SHBA-ja nëpërmjet televizorit”, tha Le Clos.

Caeleb Dressel, notari më mbizotërues në botë, mezi arrin ta shohë, e lëre më të kalojë kohë me gruan dhe familjen.

“Nuk është diçka nga e cila unë jam i varur”, pranoi ai. “Unë e di që ata do të jenë në shtëpi dhe do të kontaktoj me ata sa herë që kam nevojë”.

Nellie Biles dhe burri i saj drejtojnë një qendër trajnimi për gjimnastikë në Spring të Teksasit, kështu që ajo di rreth protokolleve dhe kufizimeve të COVID-19. Megjithatë, ajo mendon se të kesh një numër të limituar spektatorësh në arenën me 12 mijë ulëse në Tokio do të kishte funksionuar.

“Ne mund të mbajmë distancë dhe të mos shihemi. Kompleksi ku mbahen garat e gjimnastikës është shumë i madh dhe do të kishte vend për familjet”, shtoi Nellie Biles. “Është e vështirë për mua të kuptoj se ata nuk mund të ofrojnë strehim. Kjo do të jetë një ngjarje gjimnastike që nuk do ta harroj kurrë, sepse nuk do të jem e pranishme”.