TEMPUS

Shabiu: I rrezikshëm diskursi urrejtës i zyrtarëve të Qeverisë ndaj gazetarëve, medieve e shoqërisë civile

Marigona Shabiu

Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e YIHR-Kosovë (Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se diskursi urrejtës i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës ndaj gazetarëve, medieve dhe shoqërisë civile, është i rrezikshëm.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga kjo retorikë nxitëse e urrejtjes ndaj mediave, mirëpo edhe ndaj organizatave të shumta të shoqërisë civile, ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut në përgjithësi, e që është shumë e rrezikshme për këtë hapësirën qytetare, të cilën ne provojmë ta ruajmë me kaq fanatizëm dhe provojmë që ta shfrytëzojmë sa më shumë që është e mundur drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve, sidomos të këtyre grupeve që janë të diskriminuara, që janë në pozita më të margjinalizuara në shoqërinë tonë, mirëpo edhe në kuadër të institucioneve publike në përgjithësi”, tha Shabiu.

Ajo përmendi edhe sulmet linçuese të zyrtarëve të Qeverisë, saktësisht deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati në rastin kur më 2 maj po diskutoheshin gjetjet e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Më 2 maj kur po diskutohej një raport tjetër po ashtu shumë i rëndësishëm për situatën e të drejtave të njeriut i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku një prej ministrave- ministri Murati në foltore të Kuvendit i cilëson disa nga gjetjet e këtij raporti si të ndikuara nga dezinformatat të ardhura nga shoqëria civile, nga mediat, të cilat janë sipas tij të kapura nga strukturat e pushteteve të kaluara, e që kjo është deklaratë shumë e rrezikshme sepse e ulë besimin e qytetarëve në organizatat e shoqërisë civile dhe minimizon rolin dhe rëndësinë që OJQ-të e kanë në monitorim, raportim dhe mbrojtje të demokracisë”, tha Shabiu.

Sipas saj, ky etiketim dhe linçim kaq i hapur është shqetësues, mirëpo deklarata të tilla kemi parë edhe në të kaluarën pas raporteve dhe deklaratave kritike ndaj Qeverisë, që janë cilësuar si tendencioze e me agjenda të caktuara.

“Një diskurs i tillë urrejtës ndaj gazetarëve, mediave dhe shoqërisë civile është shumë i rrezikshëm”, tha Shabiu.

Ajo thotë se diskursin e urrejtjes dhe gjuhën diskriminuese e kemi parë ndaj grupeve të margjinalizuara: komunitetit LGBTIQ+, komunitetet joshumicë, e të tjerat.

Shabiu tha se nuk ka pasur hapa të marrë nga Kuvendi për shkarkuar deputeten Duda Balje nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut lidhur me çështjen diskriminuese ndaj komunitetit LGBTIQ+. Ajo thotë se nuk ka vullnet politik për ta adresuar këtë çështje.

Shabiu theksoi se me të drejtat e qytetarëve në disa raste bëhen pazare politike sidomos me grupet e cenueshme, kurse bëri të ditur se kanë paditur Kuvendin që ka dështuar t’i ndëshkojë deputetët që kanë përhapur gjuhën diskriminuese apo të urrejtjes dhe është paditur deputetja Labinotë Demi-Murtezi për diskriminim.

“Në deputete e cila është e thirrur për ta mbrojtur Kushtetutën, për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, për ta mbrojtur barazinë, qytetarët nga diskriminimi, pikërisht e bën të kundërtën”, tha Shabiu.


Shabiu: Situata e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2023 s'ka shënuar progres të theksuar

Drejtoresha ekzekutive e YIHR-Kosovë (Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut), Marigona Shabiu, tha se situata e të drejtave të njeriut në Kosovë sa i përket rritjes së standardit të mirëqenies së jetës së qytetarëve nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar vitin që lamë pas.

E ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Shabiu tha se edhe këtë vit, Raporti i Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2023, shpërfaq problemet, sfidat, shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut.

Sipas saj, Raporti me theks të veçantë fokusohet tek grupet që janë në pozitë më të cenueshme në shoqërinë tonë, siç janë gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, si dhe personat LGBTIQ+.

“Si edhe vitet e kaluara, përmes këtij raporti ne si organizata të shoqërisë civile në bazë të vlerësimeve që i kemi bërë, kemi konkluduar që situata e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit që e kemi lënë pas nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar sa i përket rritjes së standardit të mirëqenies të jetës së qytetarëve, e në shumë pika madje ka pasur edhe ngecje, ka pasur edhe regres”, tha Shabiu.

Ajo tha se regresi është shënuar në aspektin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë, pikërisht për grupet që janë më të cenueshme.

“Një ndër shqetësimet kryesore që e nxjerrë raporti është dhuna në baza gjinore, dhuna ndaj grave, rastet e larta të femicidit. Fatkeqësisht edhe vitin e kaluar kemi pasur një numër të lartë, katër raste të femicidit janë shënuar vitin e kaluar”, theksoi Shabiu.

E njëjta tha se janë shtuar raportimet e rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, tha se e gjetur shumë shqetësuese është se Kosova e ka vdekshmërinë e fëmijëve të lartë në krahasim me standardin e BE-së.

Shabiu tha se në aspektin e qasjes në shërbime shëndetësore, është gjetur se ky ishte sektori që ka më së shumti shkelje. Ajo shti se shkelja rritet në aspektin e personave me aftësi të kufizuara, komunitetin LGBTIQ+ dhe pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, për shkak të diskriminimit.
Kurse, theksoi se e drejta për gjykim të drejtë në një kohë të arsyeshme ka qenë një prej gjetjeve kryesore.

“Ka dalë edhe në bazë të raportit si një ndër shkeljet më të shpeshta të të drejtave të qytetarëve. Është një e drejtë shumë e rëndësishme, por që vazhdimisht edhe në bazë të raportimeve tona të përditshme vazhdon të jetë një prej shqetësimeve kryesore që shpërfaq mungesën e efektivitetit, shkeljen e të drejtës për qasje në drejtësi për qytetarët e Kosovës”, tha Shabiu.

Ajo po ashtu përmendi përpjekjet e politikës për ndërhyrje në gjyqësor përmes deklaratave publike.

“Ne konsiderojmë që është një prej raporteve më të rëndësishme që e paraqet situatën e të drejtave të njeriut me një qasje, me një pasqyrë shumë kritike dhe shumë reale. Është raporti i pestë me radhë ku ne si organizata që shoqërisë civile që punojmë në fusha të ndryshme të të drejtave të njeriut, me grupe të ndryshme të margjinalizuara në Kosovë, bëhemi bashkë dhe të gjithë kontribuojmë në përpilimin e këtij raporti”, tha Shabiu.