Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Rexhepi: Qëllim primar e kam unifikimin e praktikës brenda sistemit gjyqësor

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka deklaruar se qëllim primar e ka unifikimin e praktikës brenda sistemit gjyqësor.

Në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, ai ka theksuar se Gjykata Supreme është në gjendje relativisht të mirë në aspektin e gjyqtarëve dhe stafit.

“Si kryetar i Gjykatës Supreme, qëllim primar përveç vendosjes së lëndëve, e kam unifikimin e praktikës brenda sistemit gjyqësor. Do të thotë, ky është qëllimi primar. Për këtë qëllim, edhe në planin vjetor edhe në planin e punës, rezymenë e paraqitur para Këshillit Gjyqësor me rastin e zgjedhjes, janë parapa disa prej qëllimeve dhe disa prej hapave të cilat duhet ndërmarrë si kryetar, por edhe si Gjykatë me qëllim që të arrihet ajo që të gjithë qytetarët e synojnë, një sistem gjyqësor ku vendoset për të drejtat dhe liritë e qytetarëve në një kohë të arsyeshme, por që vendosja të jetë e tillë që gjithë qytetarët ta kenë besimin se gjithmonë do të marrin gjykim të drejtë”, është shprehur Rexhepi.

Kryetari i Supremes ka theksuar se janë duke punuar për identifikimin e problemeve e më pas zgjidhjet adekuate për ato probleme, ndërsa shtoi se ka probleme mjaft të mëdha brenda sistemit.

Rexhepi ka thënë se gjatë këtij viti do të jenë mikpritës të konferencës së kryetarëve të gjykatave të Evropës Lindore dhe Qendrore.