Avokati Artan Qerkini, në emisionin “Tempus” në KTV. tha se Qeveria e ka për detyrë të japë përkrahje logjistike për hetimin e krimeve të luftës.
“Tani duhen shumë më shumë resurse, sepse deri më tani ka pasur objektive që të procedohet penalisht me të pandehurit që nuk janë në Kosovë. Dihet se shumica e të dyshuarve për krime lufte, jetojnë në Republikën e Serbisë. Ne nuk mund të krahasohemi as me Bosnjën e as me Kroacinë, sepse edhe Bosnja edhe Kroacia kanë marrëveshje bashkëpunimi me shtetin e Serbisë për procedimin e rasteve të krimeve të luftës, ku edhe mund të kërkojnë ekstradimin e shtetasve të tyre. Ndërsa, ne këtë nuk e kemi, deri tani kemi pasur mungesë objektive, sepse nuk kemi pasur të drejtë të ngremë aktakuzë ligjërisht nëse të pandehurin nuk e merrnim në pyetje. Me ndryshimet legjislative që do të hyjnë në fuqi më datën 18 shkurt të këtij viti, ju do të keni mundësi të ngrehni aktakuzë edhe nëse nuk keni pasur mundësi ta merrni në pyetje të pandehurin, kjo nëse prokuroria e bind gjykatën se i ka marrë të gjitha veprimet e arsyeshme për ta siguruar prezencën e të pandehurit në procedurë, edhe përkundër ndërmarrjes së tyre ka dështuar, atëherë mund ta marrë në pyetje të pandehurin”, tha Qerkini.
Ai shtoi se detyrë e Qeverisë është që prokurorinë vetëm ta mbështesë në aspektin logjistik dhe ta aktivizojë më shumë që zyrën në kuadër të ministrisë së Drejtësisë për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, për sigurimin e provave në vendet e treta.