Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në luftën në Kosovë. “Ato nuk parashkruhen dhe s’mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori dha agresori serb gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.
Në këtë mbledhje Kurti ka njoftuar se e ka emëruar Atdhe Hetemin drejtor ekzekutiv të Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Për të ndërtuar të ardhmen duhet adresuar të shkuarën. Ballafaqimi me të kaluarën është proces shërues dhe mekanizëm i domosodshëm për përparim shoqëror. Duke qenë e drejtë individuale e të mbijetuarve, viktimave dhe familjeve, por edhe kolektive është edhe obligim për shtetin. Shteti duhet të mundësojë që këto të drejta të realizohen. Qeveria është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë si parakushte për paqen e qëndrueshme”, ka thënë ai në këtë mbledhje duke shtuar se po jetësohet instituti që do t’i adresojë krimet e Serbisë.
“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi nuk janë të shkuara. Plagët janë ende të njoma. Ato janë të hapura për mijëra familjarë. I japim prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve. Gjatë këtij vitit janë kryer gërmime në 11 lokacione prej tyre 5 lokacione kanë rezultuar në gjetjet dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, pa përfshirë rastet e fundit në Bishtazin, Gjakovë dhe Prizren”, ka shtuar Kurti.
Ai ka deklaruar se sfidë për këtë çështje mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë.
Qeveria miraton 6 vendime për shpronësim
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën Qeveria e Kosovës ka miratuar 6 vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme.
Është miratuar propozim-vendimi për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizmi i projektit “Ndërtimi i ndërtesës administrative për nevoja të Ministrisë së Financave, punës dhe transferove, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës”, në Prishtinë.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe propozim-vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimit dhe investimit në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut”, në Klinë.
Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore n.sh. “Jugopetroll” për realizmi të projektit “Ndërtimi i sheshit qendror të qytetit”, në Rahovec.
Është miratuar edhe propozim-vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Programi për menaxhimin e mbeturinave të ngurta II-IV”, në Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Prishtinë.
Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore n.sh. “Progres”, e cila është e nevojshme për realizmin e projektit “Varrezat e qytetit të Prizrenit”, si dhe propozim-vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore n.sh. “Sharrprodhimi” për realizmin e projektit “Ndërtimi i zonës së gjelbër-parku publik për nevoja të komunitetit”, në Dragash.
Qeveria gjithashtu ka miratuar kërkesën e Komunës së Dragashit, për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të dy parcelave me sipërfaqe prej 18 mijë e 600 metrash katror, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Këto prona do të shfrytëzohen për ndërtimin e pikës grumbulluese të mbeturinave komunale për nevoja të fshatit Restelicë.
Bislim Bislimi emërohet sekretar i MKRS
Në këtë mbledhje Qeveria ka emëruar Bislim Bislimin në pozitën e sekretarit të përgjithshme në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, për një mandat katër vjeçar.
Qeveria gjithashtu ka miratuar nismën për plotësimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se me këtë ndryshim po synojnë që të thellojmë këtë bashkëpunim. “Në marrëveshjen aktuale kemi identifikuar disa sfida disa pengesa që do adresojmë në këtë ndryshim”, është shprehur Haxhiu.
