Çështja e hallkave elektronike ka nxitur debat mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe hulumtuesit të lartë të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, të hënën në emisionin “Tempus” në KTV.
I gjithë debati nisi kur ministrja po fliste për ndërhyrjet në drejtësi, e që Shala ia përmendi ndërhyrjet përmes deklaratave.
“Unë nuk e konsideroj ndërhyrje. Nëse vritet një grua në prag të Gjinekologjisë, qysh mos me reagu”, tha Haxhiu.
Ajo tha se 600 mijë euro kanë qenë të ndara vetëm për vitin 2023 për hallkat elektronike, por që nuk është kryer kontrata.
“Se ka pas probleme në procedura, ka qenë kontratë e njëanshme. Tek MPB-ja janë, të kisha sugjeru me dërgu pyetje te MPB-ja. Ligji për mbikëqyrjen elektronike është prej 2015-ës në fuqi”, tha Haxhiu.
Edhe
MPB-ja lanson projektin për hallkat elektronike
“Në vitin 2021 a e keni ditë që nuk funksionon ky ligj, që duhet me i ble hallkat elektronike”, tha Shala, duke theksuar se buxheti është ndarë vetëm pasi kjo çështje është bërë publike, pasi u vra një H.M., në QKUK.
Por, Haxhiu tha që të gjitha veprimet i kanë ndërmarrë në raport me përgjegjësitë që kanë.
“Ne e kemi ditë për secilën çështje dhe i kemi ndërmarrë veprimet në raport me përgjegjësitë që kemi”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se buxheti është ndarë në fillim të vitit 2023.
Kurse, Shala e pyeti “A keni përgjegjësi për shkak të moszbatimit të ligjit, a keni përgjegjësi për vrasjen e gruas në QKUK”.
Edhe
Në mungesë të hallkave elektronike, dhunuesit nuk kontrollohen nga shteti
“Si shoqëri, secili kemi përgjegjësi. Si shoqëri dhe si institucione të Kosovës, asnjëherë nuk është bërë ma shumë sesa në këtë Qeveri, në adresimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe femicidit”, tha Haxhiu.
Ministrja tha se nuk guxojmë t’i normalizojmë dhe neglizhojmë rastet e tilla.
“Nëse ti thua që është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë pse flet kur vritet një grua ose nuk trajtohen seriozisht rastet e raportimit të dhunës në familje, është qasje e gabuar”, tha Haxhiu.
Por, Shala tha se raportet ndërkombëtare e thonë të kundërtën.
Lidhur me hallkat, Haxhiu tha se “nuk është nënshkruar ende kontrata. Është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
Edhe
Haxhiu: Dhunuesit do të monitorohen me hallka elektronike
E njëjta tha se nëse personat përgjegjës kanë thënë se ka shkelje, nuk mund t’iu thotë ta nënshkruajnë kontratën, ndërsa shtoi se po të ndërhyjë në procedura, bën vepër penale.
E në fund, Shala tha se për shkak të mungesës së hallkave është vrarë një grua në QKUK.