Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se Bashkimi Evropian do të duhej të reagonte më ashpër lidhur me situatën aktuale në vend.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Miftaraj tha të martën se në këtë periudhë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është zhdukur.
“Në këtë fazë ne e kemi parë pak si shqetësuese është mungesa mund të them e një reagimi më të ashpër qoftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga SHBA, do të thotë se sa me lehtësi po pranohet vendimi i Listës Serbe për t’u larguar nga Kuvendi. E thashë në fillim, tërheqja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve serbë, e minon në njëfarë mënyre vetë substancën, bazën e marrëveshjes së Brukselit”, tha Miftaraj.
Sipas tij, në prapavijë mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, e cila mund të jetë shumë afër dhe që partnerët ndërkombëtarë nuk është se po i kushtojnë vëmendje veprimeve të njëanshme qoftë nga Kosova, qoftë nga Serbia.
“Nëse nuk do të ndodhte, e përsëris, nëse gjyqtarët, prokurorët dhe policët nuk kthehen në vendet e punës dhe nëse kthehet ajo anarkia që ishte deri para vitit 2016, një investim që ka qenë i jashtëzakonshëm nga BE dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, shkon në pa kthim”, shtoi Miftaraj.
“Në këtë fazë besoj që do të duhej një reagim më i ashpër në radhë të parë nga Bashkimi Evropian, është e çuditshme se si z.Lajçak është zhdukur fare si duket nga harta. Nuk e shohim në ditët e fundit që ka një qëndrim apo një reagim me ato që po ndodhin në Kosovë. Krejt çka pamë ishte një shpërndarje e një postimi të një zëvendës shefi të sekretarit të NATO-s, i cili garantoi në njëfarë mënyrë që NATO do të kujdeset për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, por nuk kemi ndonjë reagim të tij apo kërkesë në raport me palët në terren”, tha tutje Miftaraj.
-
Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ndikoi në dialog
-
Lajçak: Fokusi këtë javë te takimi i parë i Komsionit të Përbashkët për të zhdukurit
-
Lajçaku me ministrin francez diskutojnë për procesin e dialogut
-
Lajçak: Jam optimist se ka përparime në disa tema në dialog
-
Lajçaku thotë se në dy javët e fundit fokusin kryesor e kishte te dialogu Kosovë – Serbi