Belgzim Kamberi, hulumtues në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se e kemi nënvlerësuar reagimin e ndërkombëtarëve për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.
“Më duket që ne nuk kemi qenë mjaftueshëm të vetëdijshëm që çështja e sigurisë dhe stabilitetit është tejet e rëndësishme për perëndimin në këto ditët që po jetojmë dhe që çfarëdo destabiliteti, çfarëdo imazhi të dhunës e mos të flasim për imazhet e ushtarëve të NATO-s nëpër mediat ndërkombëtare, të plagosur, natyrisht që ata u plagosën nga protestuesit e dhunshëm serbë, por megjithatë ata që merren me gazetari e dinë që aty flitet për Kosovën. Mendoj që këtë aspektin e sigurisë dhe stabilitetit nuk e kemi lexuar mjaftueshëm dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe i Presidentit Macron që ke shumë i ashpër gjithashtu, për mua nuk ishte ndonjë befasi”, tha Kamberi.
Ai tha se në këtë situatë, të kesh probleme të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, nuk të falet.
“Kurt vjen në një situatë që e ki luftën në Ukrainë dhe e ke dy muaj më herët një marrëveshje në Ohër që e kanë pranuar palët, sado që është e vërtetë që nuk e kanë nënshkruar, edhe ma pak se dy muaj më vonë përfundon me pamje të tilla, atëherë mendoj që e kemi nënvlerësuar reagimin e perëndimit”, tha i njëjti.