Arbëri

Kamberi: Vuçiqit t’i rritet presioni, incidente në veri mund të ndodhin sërish

Hulumtuesi në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Belgzim Kamberi, ka deklaruar se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duhet t’i rritet presioni nga bashkësia ndërkombëtare dhe të zotohet që të mos ushqejë qarqe destabilizuese.

Ai ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se ekziston mundësia që sërish të ketë sulme të Serbisë në veri të Kosovës.

“Potencial për të pasur incidente të sërishme në veri ekziston dhe do të ekzistojë. Garancionet dhe deklarimet të Serbisë nuk mjaftojnë sepse edhe para Banjskës, zyrtarët e Serbisë dhe presidenti Vuçiq është paraqitur si person paqedashës që angazhohet për paqe, por Banjska ndodhi. Vuçiqit duhet t’i rritet presioni dhe të jep zotime që Serbia jo vetëm të mos ushqejë qarqe të ndryshme destabilizuese, por të trajtojë si duhet çështjen e Banjskës. Ne nuk duhet të harrojmë që Radojçiqi është i lirë dhe po qarkullon në Serbi”, ka thënë Kamberi.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë një qasje më ndryshe me Serbinë, në mënyrë që sipas tij, pala serbe t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara me Kosovën.

Ai ka shtuar se propozimi i ri i bashkësisë ndërkombëtare po del të jetë me kërkesa të vjetra.

“Pakoja e re po duket si pritje nga Kurti e Vuçiqi që të ridëshmojnë se do të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit...Marrëveshja stagnonte edhe para Banjskën...Përpos deklarimit të (Edi) Ramës, edhe Vuçiqi e Kurti kanë treguar gatishmëri në takim me Macronin dhe janë kthyer në takim me Josep Borrellin e Miroslav Lajçakun. Në takimin me Macronin, Scholzin e Melonin, Kurti e Vuçiq u tha se kanë qenë pozitivë për të zbatuar marrëveshjen.