Enver Dugolli, deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nuk ka pasur vullnet politik për hetimin e krimeve të luftës ne Kosovë.
Ai tha se është shqetësuese çështja e numrit të të dënuarve, ku tha se ka një diskrepancë të madhe sa i përket ndjekjes dhe hetimit të mirëfilltë dhe gjykimit të mirëfilltë të krimeve të luftës, “për shkak se nëse i referohemi këtij numri, 70 të dënuar, del se shumica prej tyre janë shqiptarë dhe sipas tij gjithçka mund të themi këtu por nuk mund të themi se ka drejtësi”.
“Nuk ka pas një vullnet politik në radhë të parë që të orientohen pistat e hetimeve dhe të marrin dënimin e merituar ata që vërtet kanë kryer krime lufte në Kosovë”, ka shtuar Dugolli.
Ai i ka mbijetuar masakrës së Dubravës, si dhe ka përjetuar tortura të panumërta në burgjet serbe, mirëpo thotë se zëri i tij dhe tjerëve ka qenë i injoruar edhe nga ndërkombëtarët edhe nga vendorët.
“Nëse i referohemi tash masakrës së Reçakut, falë raportimit të William Walker e misionit vëzhgues të OSCE-s, por edhe gazetarëve, bota e kuptoi se çfarë ndodhi. Por, çka të bëjmë me ato masakra që veç Zoti e ka pa se çka ka ndodhë aty, me njëfarë forme janë dëshmitarët shqiptarë të cilët shpërfillen me njëfarë forme dhe me kalimin e kohës ose vdesin ose memoria e tyre zhduket, e tash jemi thellësisht të prekur si popull”, ka shtuar Dugolli.