Erton Bega, njohës i ekonomisë, tha se shkalla reale tregon që kemi shumë më pak të punësuar dhe se norma e varfërisë ka mbetur e njëjtë vitet e fundit në Kosovë.
“Kosova vazhdon ta këtë normën më të ulët të punësimit në rajon, rreth 37 %, ku në vendet e rajonit është mbi 65 %. E njëjta normë mbi 70% është në vendet e Bashkimit Evropian. Pra, shkalla e punësimit real të popullatës tregon që ne kemi një numër shumë të vogël të të punësuarve në tregun e punës në Kosovë. Kjo për rrjedhojë të shumë faktorëve sociologjik se nëse për çdo 6 veta-qytetarë të Kosovës janë të painteresuar për të punuar, atëherë nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik, por mund të flasim për trend të normalizimit të vendeve të punës”, tha Bega.
Bega tha në “Tempus” se qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e Trustit atëherë kur u bë shpërndarja e tij si mjet për t’u përballur me inflacionin. Kjo ngase sipas tij, shumë persona e kanë paguar por nuk e kanë ditë çka është.
“Janë bërë disa faktorë bashkë që kanë ndikuar që të rritet deklarimi i punëtorëve dhe për rrjedhojë shkalla e punësimit është rritur, por nuk është ulur shkalla e papunësisë sepse nëse ulet shkalla e papunësisë, atëherë do të ulej edhe norma e varfërisë dhe në Raportin e Bankës Botërore e shohim që norma e papunësisë është ulur jashtëzakonisht shumë, por norma e varfërisë ka mbetur ajo që ka qenë në 3-4 vitet e fundit”, tha Bega.
Njohësi i ekonomisë tha se rezultatet e Bankës Botërore janë pasqyrë e bazuar në të dhënat që publikohen nga Agjencia e Statistikave dhe institucionet e tjera në Kosovë, të cilat pasqyrojnë në mënyrë reale zhvillimet e fundit në ekonominë e Kosovës.
“Për dallim prej shteteve të Evropës nga një mijë persona atje, rreth 700 janë të interesuar për të gjetur punë. Në Kosovë kjo normë është shumë e ulët dhe sillet rreth 400. Domethënë jemi rreth dyfish më poshtë se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Bashkimit Evropian sa i përket interesimit për të punuar”, tha Bega.
Ai tha se ka shumë faktorë që e kanë sjellë popullsinë e Kosovës në këtë gjendje. /BetimipërDrejtësi