Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Azemi: Kemi punëtorë që paguhen me 130 e 170 euro, shqetësuese mbetet ikja e tyre

Jusuf Azemi- Kryetar i Sinidkatës së Punëtorëve të Sektorit Privat

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, të hënën në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ka raste kur punëtorët në sektorin privat paguhen me 130 e 170 euro, ndërsa theksoi se shqetësuese është ikja e punëtorëve nga Kosova.

Ai tha se kanë pritur që të ketë përmirësime të vogla në këtë sektor dhe jo të atilla spektakolare siç tha që u janë premtuar nga secila qeveri.

“Jo me dëshirën tonë e themi, pozita e punëtorëve të sektorit privat, në veçanti ata të cilët sepse kemi punëtorë të cilët paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës përmes kompanive private. Këta janë punëtorët me pagat minimale, kemi punëtor që sot paguhet me 130 e 170 euro”, tha Azemi.

Ai theksoi se ka një lëvizje të vogël, e cila erdhi si pasojë e imponimit nga mungesa e punëtorëve.

“Tani është mungesë e theksume në nivel të Kosovës. Nëse e përmbyllim, është një gjendje tepër e rëndë, tepër shqetësuese. Shqetësimi sa është për paga të vogla, shqetësimi hala edhe më i madh është ikja e punëtorëve të sektorit privat, kryesisht të punëtorëve vital dhe të kualifikuar, për të cilën ne kemi shpenzuar shumë dhe tani tregjet e punës në vendet përreth po i thithin”, tha Azemi.