Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Qeveria është në nivelin më të ulët të bashkëpunimit me shtetet që e ndihmuan Kosovën.
“Unë kam një bindje që as në ëndrrat më të këqija, në kohën kur këto shtete kanë ndihmuar ta formojmë shtetin, kemi shpallur Republikën, na kanë njohur pothuajse menjëherë, se do të vijmë në një situatë ku do të kemi një reagim kaq të ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës”, tha Miftaraj në “Tempus“.
Kjo ngase, sipas Miftarajt, Qeveria në njëfarë mënyre nuk i merr fare për bazë kërkesat, apo e ulë nivelin e bashkëpunimit në nivelin më të ulët që e ka pasur Kosova ndoshta prej vitit ’90 e tutje.
Po ashtu, ai tha se nëse merret për bazë shtrirja e sovranitetit në pjesën veriore të vendit, vendimet duhet ta kenë edhe legjitimitetin te ndërkombëtarët, sado që ato vendime të jenë të ligjshme të bazuara në Kushtetutë dhe në ligj.
Mirëpo, tha se ky legjitimitet nuk po arrihet.
“Me vetë faktin se në gjashtë muajt e fundit kemi një numër të madh të reagimeve të ShBA-ve, të Bashkimit Evropian, të shteteve të QUINT-it, pothuajse për çdo veprim që merret në veri, kemi një reagim, një kërkesë nga këto vende ku i kërkohet institucioneve të Kosovës që të mos merren veprime të pakoordinuara dhe të pabashkërenduara me ShBA, me Bashkimin Evropian”, shtoi tutje Miftaraj.
Po ashtu, ai tha se në takimet në Bruksel po edhe në takimet që kanë pasur me Miroslav Lajçak, ishte vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që kishte dhënë premtim publik se nuk do të marrë veprime në veri ose këto veprime do të jenë në koordinuara me KFOR-in, me EULEX-in dhe me partnerë tjerë ndërkombëtarë.
“Fjalët apo premtimet që i jep Qeveria e Kosovës, nuk është mirë që të shkelen në terren se kjo pastaj e ulë nivelin e besimit, apo mirëbesimit tek ndërkombëtarët në raport me Republikën e Kosovës”, shtoi Miftaraj.
Miftaraj: SHBA-ja po jep mesazh se ka raporte të mira me popullin, por jo me këtë Qeveri
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin mesazh se kanë raporte të mira me popullin e Kosovës, por jo edhe me Qeverinë.
Fillimisht, Miftaraj në “Tempus” të KTV-së tha se qytetarët e Republikës së Kosovës, më 14 shkurt 2021 e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe se shumica prej tyre kanë votuar me shpresën se premtimi i tyre do të jetë kryesisht në drejtësi, në punësim e në zhvillim ekonomik.
Mirëpo, sipas tij nuk ka ndodhur asnjëra prej tyre dhe se krejt kryefjala ka qenë veriu i Kosovës.
Tutje, ai tha se nëse SHBA thekson se kanë aleancë me popullin e Kosovës, por kanë probleme serioze me kryeministrin Kurti dhe me Qeverinë, është një mesazh se qytetarët e Kosovës nuk kanë faj që e kanë votuar këtë Qeveri, për shkak të asaj që kanë besuar.
“Dhe nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e theksojnë në mënyrë të vazhdueshme se kanë një aleancë të palëkundur me popullin e Kosovës, por po kanë probleme serioze me kryeministrin Kurti dhe me Qeverinë që është në pushtet, unë mendoj se është një mesazh i njohjes se qytetarët e Kosovës nuk kanë faj që kanë votuar më 14 shkurt 2021 këtë Qeveri se kanë besuar, e përsëris në sundim të ligjit, punësim, luftim të korrupsionit”, tha Miftaraj.
Mirëpo, sipas Miftarajt ekziston rreziku që kjo ndarje të mos bëhet pas zgjedhjeve të ardhshme nëse do të kemi një Qeveri të njëjtë dhe do vazhdojnë veprime të njëjta.
Drejtori i IKD-së shtoi se ajo do ishte një lloj vule e qytetarëve të Kosovës për mënyrën se si po qeverisë kjo Qeveri, për vendimet që i ka marrë në Veri.
“Po nëse ky do të thotë zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm do të kemi një Qeveri të njëjtë dhe do të vazhdohet në mënyrë të njëjtë të funksionimit në raport me partnerët ndërkombëtarë sikurse tani, unë besoj se nuk do bëhet kjo ndarja më, se SHBA kanë raporte të mira me popullin, por probleme me Qeverinë, por raportet do të jenë të njëjta si me Qeverinë si me popullin e Kosovës, sepse kjo do të jetë një lloj vule e qytetarëve të Kosovës për mënyrën si po qeverisë kjo Qeveri për vendimet që i ka marrë në veri”, tha Miftaraj.
Miftaraj përmendi faktin se kryeministri Kurti në Washington nuk kishte asnjë takim në Shtëpinë e Bardhë.
Pallaska: Kurti kurrë nuk e ka fshehur se është antiamerikan
Avokati Dastid Pallaska, në emisionin “Tempus” në KTV tha se kryeministri Albin Kurti asnjëherë nuk e ka fshehur se është antiamerikan.
“Albin Kurti fundamentalisht dhe ideologjikisht është antiamerikan edhe e ka thënë edhe ai vetë, po e them edhe unë, vetëm po e parafrazoj. Ai ka qenë kundër pothuajse secilës politikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan në përgjithësi dhe në raport me Kosovën në veçanti”, tha Pallaska.
Ai tha se Kurti ishte edhe kundër Konferencës së Rambujesë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për administrimin e Kosovës, kundër procesit të negocimit në Vjenë - i cili ka rezultuar me pakon e Marti Ahtisaarit dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ka qenë kundër edhe me Kushtetutën e Kosovës, madje as shtetin e Kosovës nuk e ka pranuar, i cili është krijuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë politikë madhore amerikane në raport me Kosovës, në fakt ka qenë elementë të partisë së tij që kanë shkruar artikuj pseudo-shkencorë ku i kanë kundërshtuar edhe bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për kinse shkelje të së drejtës ndërkombëtare publike. Domethënë, ky njeri asnjëherë nuk e ka fshehur se është antiamerikan”, tha Pallaska.
Avokati shtoi se Kurti ka mundur të thotë që është proamerikan dhe një votues i papërgjegjshëm e ka dëgjuar çfarë ka thënë dhe jo si ka vepruar.
“Edhe pse s’kam qenë kurrë i përfaqësuar politikisht në jetën time, një gjë e kam pas të qartë, paraqet kërcënim, për shtetin e Kosovës ideologjia e tij”, tha Pallaska.
Pallaska tha se Kurti me gjithë makinerinë propagandistike të tij, dalëngadalë është duke u munduar që edhe popullin e Kosovës ta bëjë antiamerikan, të kundërtën që e kishte bërë Ibrahim Rugova.
Pallaska: Kurti i padijshëm dhe i papërgjegjshëm
Avokati Dastid Pallaska, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i padijshëm dhe i papërgjegjshëm.
“Këto veprime janë të papërgjegjshme, secili veprim i cili është i udhëhequr prej arsyes apo politikanëve të përgjegjshëm, ai e ka fillimin dhe mbarimin. Domethënë, secili politikan i përgjegjshëm thotë nëse unë e marr një veprim të caktuar, kundërveprimi i palëve të përfshira do të jetë ky, kjo do të jetë përgjigja e atyre kundërveprimeve dhe kështu shkohet deri në skenarin më të keq të mundshëm, i cili në këtë rast është shumë i rrezikshëm- eskalimi i një konflikti të armatosur në atë pjesë”, tha Pallaska në “Tempus” të KTV-së.
Sipas tij, në rast se një politikan merr veprime sikurse ato në veri dhe pret që nuk ka kundër-reagim, atëherë është i padijshëm.
“Nëse je një politikan i Kosovës i cili e ke nisë një veprim popullist, hapjen e urës a veprimet tjera mbylljen e objekteve edhe nëse ke prit ti që nuk ka kundër-reagim duke i marrë parasysh gjitha rrethanat, atëherë ti je i padijshëm. E nëse ti e ke ditë që ka kundërveprim, por e ke ditë që vetë je i papërgatitur për kundërpërgjigje ndaj asaj përgjigje, atëherë ti je një politikan i papërgjegjshëm”, tha Pallaska.
Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare e di se çfarë veprime stimulojnë ato veprime dhe në çfarë mund të eskalojnë.
“Arsyeja pse bashkësia ndërkombëtare nuk po e përkrah Qeverinë e Kosovës në të gjitha këto veprime është se këto veprime janë të papërgjegjshme” , tha Pallaska.
Avokati tha se është banale promovimi i larjes në Liqenin e Ujmanit. Sipas tij, kjo madje është në kundërshtim me ligjin sepse ai ujë përdoret për si ujë i pijshëm.
“Është e ndaluar me ligj me u la nëpër liqene artificiale të cilat shërbejnë si burim i furnizimit me ujë të pijshëm apo edhe për qëllime të tjera për amvisëri”, tha Pallaska.
Pallaska: Partia në pushtet po i shkel premisat mbi të cilat u themelua shteti i Kosovës
Avokati Dastid Pallaska, tha se Kosova sot është bërë burim i krizës sërish për faktin se partia në pushtet “po i shkel premisat mbi të cilat u themelua ky shtet”.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Pallaska tha se Kosova prej vitet ’80 dhe më pas në vitet ’90 ishte burim i krizës në rajon, për arsye se popullata e Kosovës trajtohej në mënyrë të padinjitetshme e cila kaloi në dhunë të hapur, e që kulmoi me luftë. “Të gjitha këto ishin pasojë e mungesës së demokracisë së atij mjedisi politik dhe shoqëror në të cilin gjendej Kosova dhe fakti që shtetet në kuadër të së cilave ishte Kosova në atëkohë, nuk ishin shtet multietnike, pra nuk kishin asnjë respekt jo vetëm për pakicat që jetonin në ato shtete, por as për të drejtat bazike njerëzore. Për këtë arsye, Kosova u bë burim i krizës, më pas ndodhi lufta”, tha Pallaska.
Sipas tij, pavarësia e Kosovës kurrë nuk ka qenë qëllim më vete, as shpërblim i bashkësisë ndërkombëtare për të gjitha vuajtjet e popullit tonë, por ka qenë instrument politik për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Sot, Kosova është burim i krizës sërish, por fatkeqësisht kjo krizë sot prodhohet për faktin që Qeveria, apo partia në pushtet i shkel premisat mbi të cilat është themeluar ky shtet dhe me veprimet e njëanshme shkakton turbulenca që mund ta cenojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha avokati Pallaska.
Kjo sipas avokatit bëhet duke marrë veprime që bien ndesh me politikën e bashkësisë ndërkombëtare, e që është ruajtja e stabilitetit në rajon.
Ai kritikoi opozitën, duke thënë se do duhej të kërkonte llogaridhënie.
Pallaska theksoi se Kosova sovranitetin edhe në veri nuk e ushtron e vetme, pasi mbrojtjen e shtetit dhe njerëzve e kryen në bashkëpunim me NATO-n.
“Dhe është paradoks në vete që Qeveria e Kosovës ta konsiderojë veten që ka të drejtë apo autorizim që të vendos se kur dhe si mund të përdorë për shembull trupat ushtarake të NATO-s për shtrirjen dhe mirëmbajtjen e sovranitetit në cilindo cep të Kosovës”, tha Pallaska, duke shtuar se kjo është arsyeja pse bashkësia ndërkombëtare është e zemëruar me Qeverinë.