Haris Ademi, gazetar në ATV, tha se angazhimi i asistentëve të deputetëvë nuk ka pasur rezultate dhe as aktivitet prej tyre, pasi shumica nga ta janë angazhuar për motive partiake duke i shërbyer subjektit dhe jo deputetit.
“Është menduar që angazhimi i asistentëve do ta rris produktivitetin, aktivitetin e deputetëve, një gjë e tillë mendoj se ka qenë me rezultat 0, përkundër që shpenzohen minimum 550 mijë euro në vit për paga për ata asistentë që nuk kanë as zyrë se ku të qëndrojnë, shumica prej tyre nuk qëndrojnë në vend pune në Kuvend, janë disa prej tyre të angazhuar në motive partiake që i shërbejnë një subjekti dhe jo deputeti. Ndërsa, nuk është vërejtur aktivitet më i madh i deputetëve qoftë në pyetje parlamentare, qoftë në aktivizëm brenda legjislativit”, tha Ademi në “Tempus“.
Sipas tij, ky është motivi kryesor pse janë angazhuar këtë asistentë, që t’ju shërbejnë deputetëve, por një gjë e tillë thotë se nuk është vërejtur.
Gazetari tha se kanë kërkuar edhe vetë deputetët zyra për ta, për vete, por përveç anëtarëve të komisioneve, askush tha se nuk e ka një hapsirë ku ta ushtrojë aktivitetin e vet. Deputetët, ai thotë se takimet me qytetarë duhet t’i zhvillojnë nëpër lokale gastronomike e që sipas tij nuk është një pamje shumë e mirë kur një deputet gjithë agjendën e tij e ushtron jashtë parlamentit.
Ademi tha se ekziston nevoja për një objekt krejt të ri, pasi që në infrastukturën aktuale nuk mund të plotësohen krejt kushtet, as për mediat por as për vetë deputetët.
“Jam kritik për kryetarin e Kuvendit, për shkak se nuk ka paraqitje të shpeshtë para gazetarëve, nuk është gjithmonë para mediave kur përfundojnë mbledhjet e kryesisë, zakonisht dalin disa prej shefave të grupeve parlamentare, jo të gjithë. Përndryshe edhe vendi ku mbahen konferencat është jo i dinjitetshëm për mediat dhe gazetarët, konsideroj se kryetari i Kuvendit duhet të ishte më aktiv dhe të përfaqësonte ndoshta qëndrimin politik të Kuvendit duke e mbajt balancimin”, tha Ademi. /BetimipërDrejtësi
Haxholli: 12 javë të sesionit pa seanca, mungesë e paarsyeshme e deputetëve
Violeta Haxholli, menaxhere e projektit dhe hulumtuese e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se gjatë këtij sesioni pranveror katër javë radhazi në Kuvend nuk ka pasur seanca, që në total sipas saj janë 12 javë të sesionit në të cilat nuk janë mbajtur fare seanca.
E ftuar në “Tempus“, Haxholli ka përmendur edhe mungesën e deputetëve pa arsye në Kuvend si dhe mostransparencën nga komisionet.
Sipas saj, gjendja në Kuvend po shkon duke u përkeqësuar pasi që në këtë sesion është parë se mbledhjet e kryesisë shumë herë kanë dështuar për të thirrë seancat, ndërsa sipas saj kryetari i Kuvendit në mënyrë të njëanshme duke u bazuar në kompetencat e tij ka bërë thirrje për seanca.
“Që këtë praktikë disi e ka normalizuar pasi që ideja që kryetari t’i thërret seancat dhe jo kryesia do të duhej të ishte një praktikë e rrallë dhe kjo gjatë këtij sesioni u bë praktikë e shpeshtë”, tha tutje Haxholli.
Pra, ajo tha se kur dështonte mbledhja e kryesisë që nuk kishte kuorum, atëherë kryetari i Kuvendit i thërriste seancat që sipas saj fatkeqësisht edhe këto seanca kanë qenë të rralla.
“Përgjatë sesionit pranveror 12 herë në 12 javë nuk ka pas seanca, ka pasur raste kur katër javë radhazi nuk ka pasur seanca, pra në total 12 javë të sesionit nuk janë mbajtur fare seanca, ndërsa materiali legjislativ pra ka qenë në pritje për t’u trajtuar këtu, duke përfshirë edhe raporte shumë të rëndësishme të institucioneve të pavarura, raporte të auditimit të cilat ne i shohim në seancë që barten, ka raport që është i vitit 2022 edhe është bart do të thotë në vitin 2024”, tha Haxholli.
Sa i përket çështjes së transparencës, Haxholli deklaroi se ka tre vite që publiku nuk është në dijeni se si kanë votuar deputetët për ligjet e caktuara. Hulumtuesja përmendi edhe mungesat e deputetëve, ku sipas saj as deputetët e as kabineti qeveritar nuk e respektojnë institucionin e Kuvendit.
“Fillimisht, deputetët të cilët mungojnë pa arsye edhe pse do të thotë ligji për përgjegjësinë deputetëve që është në fuqi edhe rregullorja e parasheh kur një deputet mungon në seanca atëherë duhet të japë arsyet te kryetari dhe te kryesia në këtë rast kemi mungesa total të paarsyeshme që nuk arsyetohen askund dhe kjo vazhdimisht ka shkaktuar mungesë të korumit”, tha Haxholli.
E që një gjë e tillë sipas saj vazhdimisht shkakton vonesë në trajtimin e pikave apo grumbullim të madh të pikave të pashqyrtuara.
“Pothuajse çdo seancë i ka 50 pika, do të thotë vazhdimisht barten nga seanca në seancë edhe mbesin pa u trajtu edhe na tash e gjejmë veten në fund të sesionit pranveror, do të thotë me pak fare ligje të miratuara asnjë ligj të planit legjislativ të vitit 2024 dhe paramendoni tash situatën nëse Kuvendi shpërndahet para se të fillojë sesioni vjeshtor. Në një skenar të tillë, atëherë ne e kemi komplet një vit të humbur sa i përket planit legjislativ 2024, pra është komplet vit i humbur legjislativ”, ka thënë ajo.
Përkitazi me transparencën, Haxholli përmendi edhe punën e komisioneve të Kuvendit që sipas saj komisionet janë të obliguara të publikojnë procesverbalet dhe transkriptat e mbledhjeve, por këtë e bëjnë më vonesë.
“Sesionin e kaluar kanë qenë diku 60% të procesverbaleve të janë publiku, do të thotë 40% fare s’janë publiku”, shtoi Haxholli.
Edhe puna e komisioneve hetimore, Haxholli tha se kalon pa u evidentuar nga ana e Kuvendit në raport me publikun. /BetimipërDrejtësi
Jakaj: Në vitin 2002 ka pasur votim elektronik në Kuvend, tash jo
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se në vitin 2002 kishte votim elektronik në Kuvend ndërsa tani jo. Ai tha se Qeveria nuk i pranon komentet e shoqërisë civile për projektligjet.
Kjo legjislaturë, ai tha se nëse e shohim sa i përket votimit elektronik është shumë më keq sesa legjislatura para pavarësisë më 2002, pasi atë vit ishin votimet elektronike.
“Ne fillimisht kemi konsideru që janë probleme procedurale ligjore, por më pastaj viti i dytë, viti i tretë, i katërt, pastaj pjesa kur ke të digjitalizimi i sallës, ajo u bë në kohë kur puna intensifikohet në Kuvend, muajt prill, maj, qershor- janë muajt kur intensifikohet puna, në atë kohë merret vendim që me shku dy javë ditë në pushim, pastaj kalojnë dy javë ditë shihet se nuk po kryhet puna, thuhet se dy muaj ditë duhet për shkak të procedurave të prokurimit ndërkohë vazhdohet me seancë plenare atje në një sallë të improvizume, ku nuk e di edhe është e dyshimtë vendimmarrja për shkak të numrimit dhe nuk dihet se sa vota janë në një sallë plenare”, tha Jakaj në “Tempus“.
Sa i përket transparencës, ai tha se kjo legjislaturë është më e dobët sesa legjislatura në vitin 2002 dhe më dobët në raport me mbledhjet e komisoneve parlamentare sesa në vitet 2015, 2016 apo 2017, atëherë tha se ka pasur transmetim të të gjitha mbledhjeve të komisioneve parlamentare, e sot nuk është një gjë e tillë.
“Sa i përket komenteve të shoqërisë civile, respektivisht të IKD-së, këtu kam 10 vendime të ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit të Kosovës, ku Gjykata Kushteteuese disa i ka rrëzu pjesërisht e disa tërësisht, për Ligjin për Byronë para tre orëve është publikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në 183 faqe, është konfirmuar gjithcka çka IKD e ka thënë në vitin 2021, te analiza jonë kur e kemi publikuar për Projektligjin për Byronë”, tha Jakaj. /BetimipërDrejtësi
Ademi: Mosmiratimi i shumë ligjeve u bë për shkak të pafuqisë së grupit më të madh parlamentar
Haris Ademi, gazetar në ATV, tha se pafuqia e grupit më të madh parlamentar, pra atij të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë që të mos miratohen shumë ligje.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Ademi tha se pushimet e Kuvendit dhe renovimet e sallës, kanë pamundësuar edhe me shumë aktivitetin e deputetëve në seanca plenare.
“Një raport të sotëm në lajme qendrore vendosëm me titullu ‘deputetët joaktivë në korrik edhe pushim në gusht’, domëthënë muaji i fundit sidomos ka qenë muaji më joaktiv, për shkak që janë mbajt vetëm dy seanca brenda një dite, njëra ka qenë përkujtimore për Srebrenicën, tjetra kjo ka qenë seancë e dështuar për shkak të kuorumit. Opozita e bojkotoi atë seancë edhe kësisoj kanë funksionuar në një sallë alternative. Mendoj që ka qenë e gabuar nisja e renovimit të sallës së seancës plenare kur Kuvendi është aktiv, pa shkuar në pushime verore. Kjo e ka pamundësuar ndoshta aktivitetin e zakonshëm të deputetëve në seanca plenare”, tha Ademi.
Sipas tij, ka edhe dukuri tjera që e kanë përcjellë këtë sesion.
Gazetari Ademi tha se ndoshta diskutimi për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme “i ka bërë më pasivë deputetët brenda punëve të tyre”.
“Zgjedhjet nuk u arritën, krejt çfarë ka përfitu Kuvendi prej këtij diskutimi është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat lëshoi pe Partia Demokratike e Kosovës, si zgjidhje e gjitha atyre dhjetëra milionave euro në një vendim të kandidatit për kryeministër Bedri Hamza. Përndryshe është vërejtur edhe një pafuqi e grupit parlamentar më të madh që ka ekzistu në historinë e parlamentarizmit, Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos të disa projektligje vitale siç është Kodi Civil, është diskutu edhe nuk ka harmoni brenda grupit parlamentar”, ka thënë Ademi. /BetimipërDrejtësi
Jakaj: Kuvendi pa planifikim e me mungesë të thellë të transparencës edhe në këtë sesion pranveror
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Kuvendi i Kosovës edhe këtë sesion pranveror është karakterizuar me mungesë të thellë të transparencës dhe pa ndonjë planifikim të punës.
Sipas Jakaj, fenomeni që e ka karakterizuar Kuvendin gjatë viteve 2022-2023, e ka karakterizuar edhe në këtë sesion pranveror.
“Nuk ka pasur planifikim të punës ta zëmë me rregulloren e Kuvendit parashihet që të bëhet një planifikim dhe atë ta miratojë seanca plenare nuk ka, nuk ka as iniciativë përkundër faktit që në vitin 2022 ka pasur një iniciativë nga kryetari dhe kryesia që t’i planifikojë punët dhe këtë planifikim ta miratojë në seancë plenare, ndërkohë nuk arrin ta bëjë”, tha tutje Jakaj në emisionin “Tempus” në KTV.
Në anën tjetër, Jakaj tha se këtë sesion e ka karakterizuar edhe mungesa e thellë e transparencës, sipas tij Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos i publikojë votimet e deputetëve të Kuvendit.
“Pastaj tjetër ka qenë sa i përket ligjbërjes, procesi është karakterizuar përveç mungesës se efikasiteti edhe kundër-kushtetutshmërisë, pra kemi Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, pastaj patëm prej Gjykatës Kushtetuese vendimin për Ligjin për Byronë, i cili ligj tashmë u rrëzua dhe disa ligje të tjera”, tha tutje ai.
Hulumuesi i IKD-së theksoi po ashtu se Kuvendi është përcjellë me gjuhë joparlamentare, gjuhë mizogjene e seksiste që është bartur prej seancës plenare edhe në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare.
“Pra kundër-kushtetutshmëri, mungesë e transparencës, kundërligjshmëri dhe mungesë të efikasitetit ka qenë çështjet që e kanë përcjellë ose fenomenet e këqija që e kanë përcjellë Kuvendin gjatë këtij sesioni”, tha Jakaj. /BetimipërDrejtësi
Gajtani: Ka pyetje parlamentare të cilat presin që një vit pa përgjigje nga pushteti
Flamur Gajtani, gazetar në “Klan Kosova”, tha se ka pyetje parlamentare të cilat presin që një vit të marrin përgjigje nga pozita.
“Për një kohë të gjatë ka pasur mospërgjigje nga komplet kabineti qeveritar në krye me Kryeministrin Albin Kurti, meqenëse të njëjtit e kishin marrë këtë vendim pas mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga partitë opozitare, si revoltë kishin vendosur t’i mos përgjigjen asnjë pyetjeje në të cilat ka interes opozita. Kemi pyetje parlamentare që janë duke pritur më shumë se një vit”, tha Gajtani.
Lidhur me renovimin e sallës së Kuvendit, ai tha se kishte qenë pikërisht koha kur flitej për një mocion kundër Qeverisë.
“Ne e dimë që edhe gjatë kësaj kohe ka pasur të paktën dy seanca që janë mbajtur, të cilat kanë qenë solemne, ka qenë pikërisht adresimi i Tony Blair, ish-kryeministrit britanik dhe seanca solemne për çlirimin e vendit, e cila ka qenë pikërisht në sallën plenare, në kohën kur ishte thënë se ishte në renovim dhe kemi parë që në kohën kur janë mbajtur këto seanca nuk ka pasur asgjë që renovohej”, tha Gajtani në “Tempus”.
Sipas tij, në përgjithësi mungesa e deputetëve dhe miratimi minimal i ligjeve e ka karakterizuar këtë sesion pranveror të Kuvendit.
“Në shumë raste kemi pa që edhe vetë pushteti ka pasur probleme ta sigurojë shumicën e thjeshtë”, tha Gajtani.
Gazetari Gajtani tha se dy seancat e fundit janë mbajtur në sallat alternative dhe kishte telashe të sigurohej kuorumi meqenëse pozita dy herë radhazi e ka lëshuar sallën për të njëjtat arsye.
Haxholli: Sesioni i sivjetmë pranveror i Kuvendit, më i dobët se ai i vitit të kaluar
Violeta Haxholli, menaxhere e projektit dhe hulumtuese e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se sesioni i sivjetmë pranveror i Kuvendit është më i dobët sesa ai i vitit të kaluar.
E ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Haxholli tha se ky sesion më 31 korrik konsiderohet i përfunduar.
“Nëse e krahasojmë me sesionin pranveror të vitit të kaluar, lirisht mund të themi që është një sesion më i dobët në krahasim me atë të vitit të kaluar, edhe sa i përket miratimit të ligjeve, edhe mënyrës se si janë trajtuar temat e ndryshme, atëherë është sesion më i dobët”, tha Haxholli.
Sa i përket agjendës legjislative, tha se 102 projektligje ishin paraparë të miratohen në këtë vit dhe se deri më tani në këtë sesion pranveror nuk është miratuar asnjë prej projektligjeve, me përjashtim të disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Në total janë miratuar 36, përfshirë edhe 20 marrëveshje ndërkombëtare, por që të gjitha janë pjesë e agjendave të kaluara legjislative, do të thotë që janë trashëguar më herët, por që të këtij viti nuk ka. Kjo tregon menjëherë që nuk ka pasur rezultate të mira ky sesion”, tha Haxholli.
Hulumtuesja e KDI-së tha ka përkqësim sa i përket rezultateve të Kuvendit këtë vit, duke theksuar se ka pasur më shumë mungesa e më pak mbikëqyrje në këtë sesion.
E njëjta shtoi se ka pasur edhe indiferencë të deputetëve ndaj temës së dialogut Kosovë-Serbi. /BetimipërDrejtësi