TEMPUS

Vellija: Dalja e serbëve nga institucionet e drejtësisë, çështje politike

Fahret Vellija, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV tha se dorëheqja e serbëve nga institucionet e drejtësisë është çështje krejtësisht politike.

“Siç e dini, gjyqësori nuk ka bërë asnjë veprim që të vijë deri te dalja e serbëve nga institucionet e drejtësisë, por është një çështje krejtësisht politike. Ajo që ishte për neve e papritur, ne i kemi ndërmarrë masat menjëherë”, tha Vellija.

Ai theksoi se kishin zhvilluar takim të jashtëzakonshëm si Këshill, për të parë se cilat veprime konkrete duhet t’i ndërmarrë KGJK-ja lidhur me situatën.

“Neve na janë ofruar dorëheqjet e gjyqtarëve, respektivisht 25 gjyqtarëve dhe 119 të punësuarve tjerë në administratë. Ajo çka vlen të theksohet edhe për publikun është që dorëheqjet kanë ardhur vetëm nga pjesa e Mitrovicës, jo edhe nga pjesa tjetër e Kosovës”, shtoi Vellija.

Ai tha se dorëheqjet e serbëve janë analizuar nga tri perspektiva: e para nëse gjatë dorëheqjeve ka pasur ndonjë shkelje disiplinore nga gjyqtarët, ku përmendi shkarkimin e një anëtari të Këshillit dhe kryetares së Gjykatës, Ljiljana Stevanoviq.

Këndvështrimi i dytë tha se ishte nëse dorëheqjet kanë ardhur si pasojë e ndonjë presionin politik dhe i treti- çështja nëse dorëheqjet nuk kanë ardhur nga vullneti i tyre dhe të ruhet një derë e hapur për kthimin e tyre.

“Ne e kemi marrë një vendim dhe më tutje jemi duke e analizuar pjesën se çka më tutje. Ne presim dhe i bëjmë thirrje të kthehen në institucionet tona meqenëse mund të themi se nëse flasim për integrim të serbëve brenda institucioneve të Kosovës, mendoj që storia e suksesit është storia e gjyqësorit”, shtoi ai.

Vellija tha se janë duke analizuar se cilat do jenë veprimet konkrete nëse serbët nuk kthehen brenda institucioneve.