1 perditesime
21:42

Sopjani: Bosnja, më e rrezikuar për një konflikt të ri

Shkëlzen Sopjani, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” tha se Bosnja është më e rrezikuara për një konflikt të ri.

Ai tha se mundësitë janë të vogla, mirëpo se vullneti është i madh në atë pjesë të kufirit, pasi sipas tij atje është një Milorad Dodik që fillet e karrierës i ka nisur si huligan.

“Njeri që ka qenë vullnetar në rrethimin e Sarajevës edhe ka shku me luftu për shkak se e ka ditë anglishten, e kanë marrë e kanë qitë me fol me gazetarë e kështu. Njeri që heronj të vetë i ka Ratko Mlladiqin edhe Karaxhiqin, dy kriminelë të luftës me aktgjykim të formës së prerë”, shtoi tutje ai.

Sopjani tha se në Bosnje e sheh potencialin më të madh për ndonjë konflikt të çfarëdo përmasave, pasi sipas tij edhe pretendimet janë shumë më të mëdha për bashkimin e Republikës Serbe me pjesën tjetër të Serbisë.

“E kemi mos të harrojmë Sanxhakun edhe Novi Pazarin që kanë pretendime serioze për shkëputje ndaj Serbisë”, tha tutje ai.

 

20:49

Sopjani: Dorëheqja e policëve serbë në veri, pikë kthese për Kosovën

Shkëlzen Sopjani, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se dorëheqja e policëve serbë në veri të vendit, ishte pikë kthese për Kosovën. Ai vlerëson se serbët bënë gabim taktik.

“Dorëheqja e këtyre policëve ka qenë pikë kthese, sepse ata e bënë një gabim taktik ku humbën terren dhe menjëherë Policia e Kosovës apo strukturat e vërteta të Policisë së Republikës Kosovës u vendosën në atë pjesë”, tha ai.

Sipas tij, kjo solli një skenar të ngjashëm si në Krime-Donbas, ku përmes njerëzve pa shenja dalluese të strukturave ushtarake apo të sigurisë të një shteti, u tentua të bëhej një puç.

“Tentojnë ta bëjnë një puç dhe ta marrin një kontroll, një pjesë të një territori të një shteti tjetër dhe të krijojnë një gjendje të re faktike në terren. E cila gjendje me vonë do i printe një gjendjeje tjetër juridike. Ajo iu dështoi dhe kjo falë reagimit të Policisë së Kosovës”, shtoi ai.

Sopjani u shpreh i bindur se në mesin e njerëzve që sulmuan në Banjskë, pjesa me e madhe e tyre kanë qenë prej njësive të specializuara të ushtrisë apo Policisë së Serbisë, me theks të veçantë xhandarmërisë.